Kajro, kryeqyteti i Egjiptit, me një popullsi që vlerësohet të jetë 20 milionë banorë mund të mos ofrojë shumë vend për të gjetur një banesë të përshtatshme. Me mijëra njerëz, përgjatë dekadash, janë zhvendosur drejt Nekropolit të Kajros, vendvarrimit më të vjetër në qytet. Atje, në varrezën islamike që daton që në shekullin e shtatë, ata kanë gjetur strehë, duke jetuar pranë e pranë me të vdekurit e qytetit.
Disa nga familjet që jetojnë në “Qytetin e të Vdekurve”, siç njihet varreza, kanë qenë atje për rreth tre apo katër breza, duke jetuar mes pak a shumë një milion varresh, mes të cilëve edhe yje të famshëm të kinemasë, si Farid al-Atrash dhe motra e tij, Asmahan, që zbukuruan ekranin në vitet ’60.
Shumë nga këta njerëz e quajnë vendin ku jetojnë shtëpinë e tyre e një pjesë edhe punojnë aty, duke u përkujdesur për varret, duke gërmuar varre të reja dhe madje, duke u shitur lule atyre që vizitojnë të afërmit gjatë të premtes.
Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Reuters, një agjenci funerali merr zakonisht 150 paundë egjiptianë ose 19 dollarë për çdo varr të ri që ndërton për familjet e varfra dhe midis 400 e 500 paundëve egjiptianë nga klientët më të pasur. Nga këto, gërmuesi i varrit merr nga 50 deri në 70 paundë egjiptianë.
Përveç këtyre aktiviteteve që kanë lidhje me varret, në qytet ka edhe biznese të vogla që u lejojnë banorëve të plotësojnë nevojat e përditshmërisë siç është blerja e perimeve apo qumështit nga prodhuesit e zonës, apo edhe një rruarje të shpejtë nga një berber që e ka ngritur dyqanin e tij me një karrike mbi një prej varreve të shumtë që ndodhen aty.
Të gjitha këto gjëra së bashku mblidhen për të krijuar as më shumë e as më pak por një qytet brenda qytetit, një vend që mund ta quash shtëpi brenda një metropoli tepër të populluar, si Kajro.