Nga Donat Maloku
Posti i presidentit të Republikës së Kosovës, pritet të jetë një “betejë e ashpër”, në politikën kosovare.
Presidentes aktuale, Atifete Jahjagës i ka mbetur më pak se një vit në krye të shtetit, ndërsa një mandat i dytë, disa herë është përmendur nëpër qarqe të ndryshme. Në rast se Jahjaga vendos të garojë për qëndruar në krye të shtetit, kundërkandidati i saj do të jetë kryetari i PDK-së Hashim Thaçi.
Kryetari i PDK-së, tashmë ka nisur publikisht ‘luftën’, me Jahjagën duke thënë se kurrë nuk do ta votonte atëpër presidente të ardhshme “Unë do të respektoj marrëveshjen që e kemi si partnerë të koalicionit dhe koalicioni është i vendosur që ta respektoj deri në fund këtë marrëveshje, prandaj nuk mund të vjen në shprehje votimi i ndonjë kandidati pa adresë dhe legjitimitet qytetarë”, ka deklaruar Thaçi.
Derisa, Thaçi nuk e dëshiron Jahjagën në krye të shtetit, në anën tjetër partite opozitare e kanë bërë të qartë se nuk do ta votojnë Thaçin për president.
Ndërkaq, deri më tani presidentja Jahjaga nuk ka folur nëse do të sfidojë apo jo Thaçin për president, dhe një gjë të tillë nuk pritet ta bëj deri në përfundim të mandatit, atëherë edhe kur do të mësohet e ardhshmja e saj politike.
Analistët politik vlerësojnë se ish kryeministri Thaçi shihet si kandidat i pakontestuar, Derisa sipas tyre Jahjaga ka pak gjasa, për të mos thënë fare për të udhëhequr vendin edhe një mandate pasi I mungon përkrahja politike.
Ish kandidati për president të Kosovës, Seremb Gjergji ka deklaruar për portalin “Te Sheshi”, ka deklaruar se presidenti i vendit do të ishte mirë të zgjidhet nga vota e lirë e jo përmes Kuvendit.
Gjergji, thotë se nëse ka zgjedhje të përgjithshme, do të kandidon si i pavarur.
“Edhe pse të gjitha ndryshimet kushtetuese janë përfunduar në vitin 2011 dhe janë konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese të rregullta në vitin 2012, por Kuvendi i Kosovës nuk i ka votuar ato ndryshime. Nëse, Kuvendi vazhdon të mos i votoi këto ndryshime, atëherë edhe presidenti i ardhshëm do të zgjidhet përmes Kuvendit të Kosovës. Në kuadër të këtij procesi përmes Kuvendit, z. Thaçi është kandidat i pakontestuar për President. Ndërsa presidentja Jahjaga as që do të vij në konsideratë. Marreveshja ndërmjet PDK-LDK – nënkupton këtë çështje. Presidenti, obligativisht nuk duhet të jetë deputet i Kosovës – andaj, të gjitha partitë duhet ta shqyrtojnë shumë këtë çështje. Zgjedhjet e lira, mbi të gjitha, do ta mundësonin ta kemi një President që ia kthen imazhin Kosovës dhe hap përspektivë për vendin”, ka deklaruar Gjergji.
Njohësi i rrethanave politike në vend, Florim Zeqa ka deklaruar për portalin “Te Sheshi”, se gara për president do të jetë e paparashikueshme, në veçanti pas marrëveshjes politike PDK-LDK, e cila në vete përmbanë kushtëzimin e zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të vendit në fillim të vitit 2016-të. Sipas tij, (mos) votimi nga ana e LDK-së do të jetë përcaktues i jetëgjatësisë “kurorës” së panatyrshme qeverisëse mes dy subjekteve diametralisht të kundërta politike.
“Gjasat për rizgjedhjen e zonjës Atifete Jahjaga, edhe pse në dukje minimale mund të bëhen realitet vetëm në rast të mosvotimit të Thaçit nga ana e LDK-së, e cila do të shënonte fundin e këtij koalicioni dhe fillimin e një procesi të ri zgjedhor. Në të dyja variantet, nuk do të kemi zgjedhjen e duhur për president të vendit, ngase as njëri (Thaçi) dhe as tjetra (Jahjaga) nuk përfaqësojnë unitetin politik në vend, e aq më pak, kur kjo e fundit e cila nga opinioni vendor shifet si “majonetë” e këtij të parit. Siç dihet zgjidhja më e mirë do të ishte zgjedhja e drejtëpërdrejtë nga populli e presidentit, mirëpo në rrethanat e krijuara (me qëllim nga subjektet aktuale qeverisëse), mungon infrastruktura ligjore për një gjë të tillë, pashmangshëm do të prodhojë edhe kandidatura të tjera që do t’ua prishin llogaritë dy kandidatëve të apostrofuar për postin e të parit të vendit tonë. Me një fjalë rrethanat politike imponojnë konfigurime të reja politike, si kusht të vetëm dhe të domosdoshëm për ndaljen e dukurive të shëmtuara politike, të zgjedhjes së drejtuesve shtetëror përmes diktatit politik nga ana e ndërkombëtarëve, në kundërshtim të plotë me vullnetin e elektoratit. Andaj nga kjo situatë e krijuar, duket se më afër do të kemi zgjedhje nacionale (parlamentare) se sa votim për president në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Zeqa.
Analisti politik, Islam Krasniqi thotë se dështimi i themelimit të Gjykatës Speciale në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe pamundësisë se arritjes së numrave dëshmon se sa i brishtë është koalicioni qeverisës dhe sa problem do të jetë që edhe ish kryeministri Thaçi të zgjidhet President në rundin e parë. Duke parë Krasniqi thotë se kundërshtimet e disa deputetëve të pozitës tregojnë se sa do të jetë e vështirë për të siguruar numrat që Thaçi të bëhet i pari i shtetit.
“Nuk mendoj se presidentja e dalë nga zarfi do të kandidohet për tu rizgjedhur presidente përsëri sepse nuk e ka fuqi as juridike as politike, nuk e ka përkrahjen as nga partitë politike, as nga shoqëria civile dhe kjo ia pamundëson një gjë të tillë edhe pse etja për pushtet është shumë e madhe. Edhe pse kanë filluar disa fërkime mes presidentes Jahjaga dhe zëvendës kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme z. Thaçi, kjo nuk do të thotë se është ‘luftë’ për postin e presidentit sepse Thaçi për dallim nga Jahjaga ka edhe legjitimitet qytetarë, si dhe fuqi politike. Nëse ndalemi pak mund të kuptojmë së vendi i të parit të shtetit që e përfaqëson unitetin e popullit do ti takojë ish kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit sepse është njeriu më i votuar në këto 10 vitet e fundit dhe përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare nuk i mungon”, ka deklaruar Krasniqi.
Analisti tjetër, Albinot Maloku thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte që presidenti të zgjedhet nga populli, duke thënë se nuk beson në një “luftë” mes Hashim Thaçit dhe Atifete Jahjagës, për shkak të pabarazisë së forcës politike që kanë këta të dy mes vete.
“Zonja Jahjaga ka ardhur si presidente e imponuar dhe me marrëveshje mes vendorëve në njërën anë dhe ish-ambasadorit amerikan Dell në anën tjetër dhe sot ajo mund të ëndërroj, por që me vota nuk mund të bëhet kurrë presidente, nga se askush nuk ka vullnet ta ketë më atë si presidente. Deri më tani shefi i shtetit të Kosovës është zgjedhur mbi bazën e koalicioneve ose të marrëveshjeve dhe bazuar nga kjo, Hashim Thaçi do të jetë president. Jahjaga pas 2016 i përket historisë sa i përket postit të shefit të shtetit”, ka deklaruar Maloku për portalin “Te Sheshi”.
Por, se si do të rrjedhin ngjarjet politike mbetet të shihet, megjithatë një gjë pothuajse është e sigurt, viti 2016 do të jetë vit i zgjedhjes se Hashim Thaçit president ose vit i zgjedhjeve të parakohshme. /tesheshi.com/