Me fitoren 2:0 ndaj Borussia Dortmundit në finalen e Ligës së Kampionëve, Real Madridi u shpall kampion i Evropës për herë të 15-të në histori. Ky ishte edhe fundi i formatit aktual i Champions-it.
UEFA ka shpallur një plan ambicioz për Ligën e Kampionëve në sezonin 2024/25, i cili përfaqëson ndryshimin më të madh në formatin e kompeticionit që nga fillimi i tij në vitin 1992 (deri atëherë kompeticioni quhej Kupa e Kampionëve të Evropës).
Formati i ri shkaktoi reagime të ndryshme brenda komunitetit të futbollit, ndërsa disa klube, trajnerë dhe lojtarë shprehën hapur qëndrimet e tyre – pro ose kundër formatit të ri.
“Ne duhet të sigurohemi që të gjithë të kenë një shans në sportin tonë. Se të vegjlit ende mund të luajnë kundër të mëdhenjve, dhe ndonjëherë edhe të trondisin botën duke fituar mbi ta. Ky është thelbi i futbollit. Pikërisht kjo e bën futbollin një lojë kaq të madhe dhe të bukur”, tha Aleksander Čeferin, president i UEFA-s, në prezantimin e tij të formatit të ri të kompeticionit.
Çdo klub të paktën tetë ndeshje
Në formatin e ri të Champions League nuk ka më faza në grupe. Në vend të 32 klubeve të mëparshme të ndarë në tetë grupe, tani 36 klube do të formojnë një ligë të vetme. Çdo ekip do të luajë tetë ndeshje – dy më shumë se në formatin e mëparshëm – kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm, katër në shtëpi dhe katër jashtë. Tetë më të mirat pas fazës së parë do të kualifikohen automatikisht në raundin e 16-të, dhe ata që do të vendosen nga vendi i nëntë në vendin e 24-të do të luajnë një play-off me dy ndeshje.
Vendimi i UEFA-s erdhi pasi klubet më të pasura u përpoqën të nisnin një Superligë në të cilën do të kishte vende vetëm për më të mirët dhe më të pasurit. Pra, duhej të ishte një garë e mbyllur.
“UEFA është në marrëveshje me shoqatat, klubet, ligat, lojtarët, trajnerët dhe tifozët. Ajo është e bashkuar me partnerët televizivë, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Brukselin dhe të gjitha qeveritë evropiane për të kundërshtuar planin arrogant dhe të përbuzur të hartuar nga një grusht miliarderësh, të cilët nuk mund ta pranojnë konceptin se në fushën e futbollit, si në jetë, mund të humbasësh ndaj dikujt që është më i dobët se ju. Në këtë rast fitoi edhe futbolli”, thotë Čeferin.
Në këtë mënyrë presidenti i UEFA-s shpalli fitoren ndaj idesë së Superligës dhe shtoi se çështja e të drejtës për një garë të tillë nuk duhet të zgjidhet në gjykata, por në shoqëri sepse është çështje morali, jo legjislacioni, duke iu referuar ndalimit nga gjykata për fillimin e Superligës.
“Mund të duket si një precedent i rrezikshëm, por në këtë rast shkaku është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër”, tha njeriu i parë i futbollit europian.
Reagime të ndara të aktorëve kryesorë
Të ndryshme kanë qenë reagimet e aktorëve të futbollit. E ndërsa disa e mirëpritën këtë hap si një rifreskim dhe një mundësi për ndeshje më tërheqëse, të tjerë shprehën shqetësimin për mundësinë e një numri të tepërt ndeshjesh dhe lodhjen e lojtarëve.
“Formati i ri sjell më shumë ndeshje dhe më shumë konkurrencë, gjë që do të jetë një sfidë, por edhe një mundësi për ne për të treguar forcën tonë”, tha Thomas Tuchel, ish-trajneri i PSG-së dhe Bayernit, për France Football.
Disa klube, si Real Madrid dhe Manchester City, kanë shprehur rezerva për ndryshimet, duke përmendur rreziqet e mundshme për lojtarët dhe cilësinë e garës.
Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, tha se formati i ri ka anët e mira dhe të këqija, por se duhet kohë për të dhënë një vlerësim përfundimtar.
“Kjo është një mundësi që klubet nga ligat e vogla të provojnë veten, por edhe rrezikun e lodhjes dhe lëndimeve të lojtarëve. Duhet të kemi kujdes”, tha drejtori i nënkampiones së Europës.
“Mos e humb cilësinë në dëshirën për sasi”
“Më shumë lojëra nuk do të thotë domosdoshmërisht konkurrencë më e mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos humbasim cilësinë në kërkim të sasisë”, tha Sergio Ramos, kapiteni i Sevilla-s, dikur i Real Madrid, për Marca.
Edhe pse nuk luan më në Evropë, por në Arabinë Saudite, ka shprehur mendimin e tij një prej futbollistëve më të mirë të botës, Cristiano Ronaldo.
“Më shumë ndeshje do të thotë më shumë mundësi për të luajtur, por edhe më shumë presion dhe lodhje”, tha portugezi.
Edhe pse është ende herët për të bërë vlerësime, klubet nga ligat e vogla dhe ata që luftojnë për të hyrë në Ligën e Kampionëve mund të jenë përfituesit më të mëdhenj të formatit të ri. Një numër më i lartë i ndeshjeve do të thotë gjithashtu të ardhura më të larta nga të drejtat televizive dhe sponsorizimet, të cilat mund të çojnë në një stabilitet më të madh financiar për këto klube.
UEFA ka hedhur një hap të guximshëm me formatin e ri të Ligës së Kampionëve, por mbetet të shihet se si do të ndikojë në cilësinë e kompeticionit, por edhe te lojtarët dhe klubet. Nëse ky do të jetë një revolucion apo një ndryshim i rrezikshëm, do të shihet në sezonet e ardhshme. /tesheshi.com/