Kur analistët e politikave në qendrën e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve në Atlanta u takuan me zyrtarë të lartë të buxhetit, atyre iu tha se ishin shtatë fjalë apo fraza që nuk duhet të përdoreshin më në dokumentet zyrtare. Mes këtyre fjalëve ishin “të prekshëm, titull, diversitet, transgjinor, fetus, bazuar – në – të dhëna- apo bazuar-në-shkencë”.
Sipas medias amerikane, departamenti i Shëndetësisë ka ndaluar përdorimin e këtyre fjalëve. Lëvizja shihet si e motivuar ideologjikisht dhe është përballur me rezistencë nga brenda agjencisë kryesore të shëndetit puublik.
Edhe pse disa e konsiderojnë atë një shembull tjetër të kërcënimit që vjen nga administrata Trump për pavarësinë e agjencive federale shkencore, ka mjaft precedentë të tjerë jashtë territorit amerikan që vendosin kufizime gjuhësore.
Disa ndalesa mbi frazat gjuhësore kanë qenë më serioze se të tjerat. Parlamenti polak miratoi një ligj vitin e kaluar që lejonte gjykatësit të dërgonin në burg deri në tre vjet këdo që përdorte frazën “kampet polake të vdekjes”. Ligji u miratua me argumentin se qytetarët e rinj që dëgjonin frazën, mund të merrnin për të mirëqënë që Polonia ishte përgjegjëse për kampet naziste të Luftës së Dytë që ndodheshin në këtë vend e ku u vranë me miliona njerëz.
Termi përdorej dhe ende përdoret me raste nga vëzhgues të huaj apo politikanë, përfshirë presidentin Barak Obama, i cili iu referua “kampit polak të vdekjes” në vitin 2012 kur vizitoi Varshavën. Incidenti shkaktoi një ankth të vërtetë diplomatik për Shtetet e Bashkuara, pasi kryeministri i atëhershëm polak, Donald Tusk, e akuzoi Obamën për “injorancë, mungesë njohurish dhe qëllime të këqija”.
Ka edhe raste të tjera, si p.sh beteja e gjatë e Francës kundër ndikimeve të huaja në gjuhën e saj. Mjafton të marrësh në konsideratë vendimin e qeverisë në vitin 2003 për të ndaluar fjalën “email”. Në vend të kësaj, një komision i ministrisë së Kulturës vendosi në atë kohë se zyrtarët duhet të përdornin fjalën “courriel”, një përzierje e dy fjalëve franceze për “elektronike” dhe “postë”.
“Evokative, me një tingull të vërtetë francez, fjala “courriel” përdoret gjerësisht në shtyp dhe konkurron në mënyrë avantazhuese fjalën e huazuar nga anglishtja ‘email’”, shkruante komisioni. Popullariteti global i “email” sidoqoftë vazhdon i pamposhtur, pavarësisht përpjekjeve franceze.
Edhe sot e kësaj dite, zyrtarët shkurajohen të përdorin me mijëra fjalë nga një listë e hartuar nga ana e Akademisë Franceze, si pjesë e rolit të saj për të garantuar gjuhën e vendit dhe për të parandaluar infiltrimin e termave anglisht. Më së fundmi, institucioni deklaroi ndalimin e fjalës “hashtag,” për shembull.
Një urdhër-ndalimi i vitit 2009 mbi disa fjalë britanike nga liderët e këshillave rajonale po ashtu mund të shihen si të motivuara ideologjikisht, duke pasur parasysh se në to përfshihen fjalë të tilla si “fuqizim i qytetarëve”, “legjitimitet demokratik” apo “mandat demokratik”. Sidoqoftë, këshillat argumentuan se ndalimi i rreth 200 fjalëve dhe frazave supozohej ta bënte komunikimin zyrtar me qytetarët më pak të komplikuar dhe do të ndihmonte banorët të kuptonin më mirë procesin e politikbërjes.
“Sektori publik nuk duhet të fshihet pas zhargonit dhe frazave të padepërtueshme”, shpjeguan këshilltarët.
Në raste të tjera, sidoqoftë, ndalimi i disa fjalëve apo frazave ka pasur motive të qarta ideologjike. Në vitin 2015, anëtarët e parlamentit të Ontarios votuan për të ndaluar përdorimin e frazës “nënë apo baba” për të reflektuar diversitetin gjinor. Ligjvënësit më liberalë ranë dakord që zyrtarët duhej të përdornin fjalën “prindër” apo “kujdestarë” dhe vota jo-detyruese u mirëprit menjëherë nga qeveria e Ontarios.
Gjetkë, miratimi i gjuhës neutrale ndaj gjinisë, është përballur me më shumë rezistencë. Konformiteti gramatikor u citua si arsye nga qeveria franceze këtë verë, kur ajo vendosi të ndalojë ministrat e vet nga përdorimi i versioneve mashkullorë apo femërorë të emrave në komunikimin e tyre. “Administratat shtetërore duhet të përputhen me rregullat gramatikore dhe sintaksore për arsye të kuptueshmërisë dhe qartësisë”, shpjegoi kryeministri Edouard Philippe.
Megjithatë, vendi ka bërë disa përpjekje për një gjuhë më progresive në lidhje me gjininë, duke ndaluar fjalën “mademoiselle” në dokumentet zyrtarë. E përdorur për të paraqitur një grua të pamartuar, termi tregon padrejtësisht, sipas autoriteteve, statusin martesor të një gruaje, ndërkohë që në frëngjisht ekziston një term i vetëm për gratë dhe burrat që nuk janë të martuar. Ky ishte argument i autoriteteve franceze këtë pranverë.
Administrata Trump në ndalimin e saj të fjalëve duhet se ka zgjedhur shtatë shënjestra vërtet shumë të ndryshme.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/