Nga Miradie Hasani
Gjatë një viti, gjithsej 11 festa fetare në Maqedoni janë ditë jo pune. 6 nga ato kryesisht festojnë besimtarë të përkatësisë fetare ortodokse, kurse nga 5 të mbeturat, 3 janë festa katolike, kurse vetëm 1 është festë që i përket besimtarëve muslimanë, por që është shtetërore.
Dy ditë më parë u shënua Dita e Shën Klimentit të Ohrit, që për të katërtin vit me radhë shënohet si festë shtetërore me të cilën kujtohet vepra e shkrimtarit dhe iluministit të parë origjinal slloven, peshkopit të parë slloven dhe krijuesit të Shkollës letrare të Ohrit.
Sipas ligjit për festa, ndryshimet e të cilat u miratuan më 15 shkurt të vitit 2007, Maqedonia në vit kremton këto festa shtetërore në të cilat pushojnë të gjithë qytetarët:
24 maji – Dita e Shën Kirilit dhe Metodit ,
2 gushti – Dita e Republikës,
8 shtatori – Dita e pavarësisë,
11 tetori- Dita e kryengritjes poullore,
23 Tetori – Dita e luftës revolucionare maqedonase,
8 dhjetori – Dita e Shën Klimentit të Ohrit,
1 janari – Viti i Ri,
7 janari, Krishtlindjet sipas kalendarit ortodoks,
1 Maji – Dita e Punës
Dita e parë e Ramazan Bajramit
Dita e Pashkëve
Nga qeveria thonë se nuk janë të fokusuar në uljen e numrit të festave por që janë të fokusuar në zbatimin e reformave 3-6-9.
Ata thonë se nëse në opinion ekziston mendimi se janë të nevojshme ndryshime tek kalendari i festave, Qeveria është e gatshme nëpërmjet debatit të hapur të precizohen ndryshimet eventuale.
“Nëse në opinion ekziston mendimi se janë të nevojshme ndryshime në kalendarin për ditë jo pune dhe festa në vend, në atë rast Qeveria është e gatshme që nëpërmjet debatit të zgjeruar publik, të precizojë ndryshimet eventuale të të njejtit”, thuhet nga kabineti i Qeverisë.
Sipas Ligjit, nëse ndonjëra nga këto ditë qëllon të jetë e diel, atëherë pushohet ditën e hënë. Po ashtu sipas Nenit 4 të këtij Ligji ditë jo punë për besimtarët ortodoks janë edhe 6 festa tjera. Ndërkohë, ditë jopune për besimtarët musliman është Dita e parë e Kurban Bajramit. Sipas Ligjit ka edhe nga një ditë feste për të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në Maqedoni, një për shqiptarët, një për turqit, një për hebrenjtë, një për serbët, një për romët, një për vllehët dhe një për boshnjakët. Ligji po ashtu thotë se të punësuarit kanë të drejtë të kërkojnë kompensim nëse punojnë në ditët e festave. /tesheshi.com/