Qytetarët serbë të Kosovës po festojnë sot Ditën e Shën Vidit, të njohur më shumë si “Vidovdan”. Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 628 të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Lazar.
Për shënimin e kësaj dite, sot është mbajtur liturgjia e shenjtë në Manastirin e Graçanicës, me ç’rast Patriarku serb Irinej u ka bërë thirrje sot serbëve në Kosovë të mos i shesin tokat meqë kjo tokë është e larë me gjakun e paraardhësve.
“Çdo buc e kësaj toke flet për vuajtje, ndërsa ku ka vuajtje aty ka ringjallje. Ne i admirojmë ata që kanë mbetur këtu. Adhurojmë trimërinë e tyre. Kemi ardhur këtu që ju, të cilët jetoni këtu, në këto hapësira të mbeteni. Mos i shitni tokat, sepse kjo tokë është e larë me gjakun e të parëve tanë”, citohet të ketë thëë Irinej nga KiM radio.
“Nëse ka ditë kur të gjithë mendojmë bashkërisht dhe që na mbush kjo është dita e Vidovdanit. Dita e madhe kur populli serb përjetoi të premten e madhe, kryqëzimin e vet. Ky kryqëzim jeton sot e gjithë ditën. Si popull duhet ta bartim kryqin që e ka mbajtur edhe Zoti ynë…” ka thënë patriarku.
Ndërkohë një ceremoni tjetër fetare është paralajmëruar të mbahet në Gazimestan, disa kilometra në veri të Prishtinës, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar beteja e Kosovës e shekullit XIV.
Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989, në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviq, u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit të Serbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave./tesheshi.com/