Të boshatisura nga ideologjia, pa vizion, të kalbura e të deformuara, dy organizimet kryesore politike në Shqipëri i kanë hedhur sytë nga jashtë për t’i dhënë dhe pak frymë gjallimit të tyre në agoni.
“Bild” është dashuria dhe urrejtja e tyre e re pasi kanë provuar në vend për vite me radhë të bëjnë për vete dhe të mbajnë në krah parti pa peshë dhe pa vlerë të divorcuara sa nga njëra dhe nga tjetra.
Tabloidi u shkon për mrekulli interesave të tyre, i njohur për scoop-et dhe për emrin e fituar si shpesh i pabesueshëm. “Bild”-i vë e heq raportime si t’i teket, duke ngritur tymra hutues dhe duke turbulluar mendjet naive të njerëzve të thjeshtë në Shqipëri.
E gjitha është një lojë e pastër mediatike e “Bild”-it, e pashqetësuar për atë çka prodhon në një tjetër vend, por dukshëm e interesuar për të krijuar showdhe për të qenë në krye.
Pesha e “Bild”-it është rritur aq shumë në pak muaj në Shqipëri, sa fare mirë tabloidi mund të ndikojë në rrjedhën politike shqiptare. Shkurt, ai vlen tani mbase dhe më tepër se LSI-ja për t’i dhënë avantazh njërës palë. Për më tepër, ngaqë ngjan tepër me të, si një vajzë e dritave të kuqe që përbetohet për ndershmëri.
PD-ja e pati për do kohë flamurtaren e vet “Bild”-in kur botoi sigurisht me porosi përgjime të një dosje hetimore, por refuzoi t’ia pranojë të vërtetat kur për pak orë tabloidi botoi një artikull ku për Bashën ngriheshin pikëpyetje të frikshme.
PS-ja iu referua pikërisht “Bild”-it për akuzat ndaj Bashës, megjithëse muaj më parë e kishte bërë për një lek tabloidin gjerman për publikimin e përgjimeve.
“Bild”-i është shndërruar në instrumentin me të cilin partitë kryesore godasin njëra-tjetrën, në njëfarë të fejuar të përkohshme për secilën prej tyre. Asnjërës nuk i intereson martesa me tabloidin, por përdorimi i tij.
“Bild” ështëkarta e re në politikën shqiptare, e aftë për të lëvizur ekuilibrat e brishtë të një lufte mes dy kaheve politike që fare pak të bëjnë me politiken e vërtetë.
“Bild” është karta e re e sapozbuluar e përcaktimit të virgjërisë së dy grupimeve politike që asnjëherë nuk kanë qenë të dëlira.
Në të vërtetë, parë hollë-hollë, “Bild” është po aq jo i virgjër sa ato. “Bild”-i është i pafajshëm veç në interesin e tij për të prodhuar scoop-e dhe për të mbijetuar në tregun e vështirë mediatik; kushdo që e përdor atë në politikën shqiptare nuk ka pikë pafajësie. /tesheshi.com/