Nga Shkëlzen Rrecaj
Fadil Maloku, sociolog i njohur dhe njeri me ndikim në mendimin publik të Kosovës, flet për disa zhvillime të fundit, në rrafshin politik e në atë social. Ai vlerëson se ndërkombëtarët, para se të hedhin kritika, duhet të shohin se ku po gabojnë vetë me “Kosovën” si produkt i tyre. Po ashtu, ai cek dhe çështjen e veteranëve të UCK-së, si dhe të tjera që po janë trend i zhvillimeve të përditshme…
Si e vlerësoni 100-ditëshin e qeverisë Mustafa, më konkretisht punën e koalicionit PDK-LDK?
100-ditëshi i këtij koalicioni më së miri dëshmon se koalicionet “dinozaur” në fakt jo gjithherë janë premtuese për zhvillimin dhe prosperitetin e një vendi që gjendet në tranzicion. Bile kam përshtypjen që këto koalicione të kësaj natyre dhe volumi hyjnë në transaksione dhe obligime shumë më të panatyrshme, në kuptimin e premtimeve që duhet përmbushur gjatë mandatit qeverisës. Kështu që mendoj se fakti dhe akti i transparencës dhe përcjelljes se obligimeve që kanë marrë qeveritarët e tanishëm do të jenë shumë më të mbikëqyrura. si nga publiku i gjerë ashtu edhe nga partitë opozitare. Kjo dëshmon se demokracia po konsolidohet dhe se po vjen fundi i improvizimeve
Opozita më 18 prill ka paralajmëruar protestën e radhës. Në fakt ata kanë përmendur disa arsye të protestës siç janë: çmimi i lartë i energjisë elektrike, kontrolli që i bën pushteti transmetuesit publik, uzurpimi i sistemit të drejtësisë dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sa janë reale këto kërkesa të opozitës për të nxjerrë qytetarët përsëri në shesh?
Opozita e tanishme e kuptoi që mund të bëhet interesante në publik vetëm nëse arrin bindshëm të artikulojë defektet institucionale, gabimet në qeverisje, talljet dhe nënçmimet me publikun akoma indiferent dhe mashtrimet me premtimet e qeverisë aktuale. Në këtë rrugëtim kujtoj që ajo, pa “amin”-in e shumicës së qytetarëve, vetëm sa mund ta komprometojë idenë e protestimit. Them kështu ngase protestimi masovik, mund të sjell dhe keqkuptime e paragjykime eventuale të ardhura nga qeveria lidhur me formën, mënyrën dhe idenë e protestimit. “Alibia” në këtë rast duhet të ndërtohet me fuqinë e argumentit (rastet e abuzimeve me pushtetin) dhe argumentin e fuqisë (masivizimin e publikut). Pra, kujtoj që duhet pasur shumë kujdes dhe të mos keqkuptohet dhe keqinterpretohen si kërkesat ashtu edhe nevojat e publikut nga ato të partive politike! Një digresion i kësi sojit, kujtoj që më së miri i shërben kauzës se vetëdijesimit qytetar dhe ndërtimit të kapaciteteve demokratike në Kosovë.
Në disa postime, hera-herës keni reaguar edhe ndaj garës së veteranëve të UCK-së, më mirë të themi edhe komandantëve se cili ka pas ushtarë me shumë. Si e komentoni ketë dukuri?
Ajo që e kam thënë edhe me herët pra, se është absurde gara për të fituar statusin e veteranit, pjesëtarit apo pjesëmarrësit të UÇK-së, pa qenë fare të tillë. Është absurde dhe paradoksale edhe për arsye se sjellja e tillë indolente çon një mesazh shumë të keq për qytetarët se edhe në luftë paskan bërë hile; dhe se aty (disa prej këtyre matrapazëve) paskan qenë aksidentalisht. Gjithashtu, është turp i madh futja në lista e njerëzve të politikës, biznesmenëve, e familjarë komandantësh pa qenë fare në luftë! Edhe më absurde dhe më e turpshme është shpallja e njerëzve si molla(!) invalid të luftës! Të hysh në konkurrencë me njerëz që kanë humbur gjymtyrë, pasuri e edhe jetën për idealin e lirisë, është kulmi i paturpësisë! Apo edhe më keq; t’i fusësh në lista akraba, miqtë, klientelistët, në cilësinë e vendimmarrësit (lexo: komandantit!), kur dihet botërisht se të njëjtit as me një gjygym uji s’i kanë kontribu luftës së 99-tës! Kjo dëshmon paradoksin e keqinterpretimit të qëllimshëm të një soji të mentalitetit tonë social për situatën dhe atmosferën historike, siç ishte ajo e vitit 1999, ngase, sikur të ishin gjithë këta “pjesëmarrës”, “invalid”, e “luftëtarë” të sakrifikuar për lirinë e Kosovës, jam shumë i bindur që s’do kishim nevojë fare për NATO-n. Kjo në fund të fundit dëshmon edhe për një korrupsion të lartë moral, etik, social dhe padyshim institucional, ngase, “hartuesit” e këtyre listave gjithsesi është dashur paraprakisht të jenë shumë më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm!
I nderuar profesor Maloku, ju shpeshherë postoni fotografi të diplomimit të studentëve. Kosova çdo vit nxjerr gjenerata të tëra të diplomuarish. Si njohës i trendeve sociale dhe politike a ka shpresë për rininë tonë në këtë vend apo ata të ardhmen e tyre do të duhej ta kërkonin gjetkë? Me një fjalë a bëhet ky vend?
Është e vërtetë që në sferën e punësimit në gjitha këto vite të pasluftës është menduar dhe vepruar shumë pak, për të mos thënë aspak. Arsyet mund të jenë të llojllojshme, por adresa e gjithë kësaj varfërie dhe papunësie është padyshim tek ata që e kanë udhëhequr Kosovën në gjitha këto vite të pasluftës, pra tek qeveritarët. Ata, duke kuptuar se në agjendat e tyre mund të “përforcojnë” problemet dhe temat e (“nxehta”) ashtuquajtura “kombëtare” dhe “patriotike”, si ato rreth statusit të padefinuar politik, pastaj problemeve me veriun e Kosovës etj., pra temave kryekëput politike, në një mënyrë blenë jetëgjatësinë dhe kultivuan shumë më lehtë dhe më sigurt si: “mirëmbajtjen” e pushtetit dhe manipulimin me qytetarët e Kosovës, ashtu edhe qëndrimin e tyre në pushtet! “Ikja” e politikanëve nga problemet reale jetësore, tani e gjithë këtyre viteve të pasluftës, ka bërë që qytetarët e frustruar të fillojnë të gjykojnë jo më me logjiken e ikonografisë patriotike, por me logjikën e nevojave dhe kërkesave ekzistenciale. Gjë që për mendimin tim shënon një hap përpara në kuptimin e asaj që tani të targetohen me ashpër nga ana e qytetarëve elitat përgjegjëse politike, pra, edhe të kërkohet si përgjegjësia, ashtu edhe transparenca dhe llogaridhënia. Dhe kjo është e shëndetshme si për shoqërinë ashtu edhe për demokracinë akoma të brishtë kosovare.
Kohëve të fundit janë shtuar zërat kritikë nga përfaqësuesit ndërkombëtar se ky vend nuk mund të përparojë duke frekuentuar kafenetë (periferike). Sa janë me vend këto kritika?
Kafenetë, s’duhet harruar se frekuentohen nga të papunët e jo nga ata që kanë zëne ndonjë punë, sikurse në vendet e këtyre kritikëve! S’duhet harruar se Kosova është “projekt perëndimor” dhe se një pjesë e ngecjes, vonesës apo edhe dështimit të plotë të këtij projekti iu bie edhe ndërkombëtareve. E them kështu se për dallim nga një Serbi, Maqedoni, apo edhe Mali të Zi, ku prezenca e tyre është në një mënyrë tjetër (pra, atë të investimeve dhe prezencës me kompani multinacionale, ku punësimi zbutet dukshëm), në Kosovë, kjo ushtrohet përmes “këshillimeve”, “ligjërimeve” dhe përrallave mbi demokracinë, institucionalizimin, sigurinë, stabilitetin etj….
Po ashtu shpesh ju gjejmë të angazhoheni me punën e medieve. A mendoni se ato janë duke e bërë punën e tyre me profesionalizëm apo ky ‘pushtet i katërt’ nuk dallon shumë prej atyre tre të tjerëve?
Defekti i medieve tona në Kosove qëndron në rënien në grackë e politikës. Kjo në vendet e tranzicionit, sidomos në rastin tonë i ka bërë shumë të varura (ekonomikisht dhe financiarisht) dhe inerte në raport me publikun dhe ndërtimin e kapaciteteve demokratike. Dhe kjo varësi ka shpjegimin e vet që ndërlidhet me lakminë për të ushtruar ndikim në publik si edhe për ta konsoliduar bazën e vetë materiale. Në ketë segment, unë kujtojë që sponsorët e pavarësisë se Kosovës është dashur me shumë të punojnë dhe të investojnë. Për arsye se pa medie të pavarura ekonomikisht, është vështirë të ndërtohet edhe demokracia edhe institucionet demokratike
Z.Maloku, ju keni qenë kontribuues i çmuar në një subjekt politik në vend. Të shumtë janë ata që i dinë arsyet e largimit tuaj. Por, në anën tjetër ka patur tendenca që sa më heshturazi të kalojë ky largim. A mund t’na i risillni këto arsye për lexuesit tanë?
Në subjektin që ju po përmendni, unë isha i angazhuar në cilësinë e ekspertit dhe asgjë më shumë e as me pak. Në këtë cilësi, si institucionalit i përbetuar jam munduar të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e institucionit ku isha, ku s’pranova të hekën simbolet e KQZ-së, si institucion i pestë me peshë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e si “prokuror” i qëndrimeve të mia parimore, unë s’pranova asnjë joshje me privilegjet e bollshme të pushtetit, bile as ambasador e as poste partiake e ministrore. Do të ishte e pamoralshme nga ana ime të shkëmbeja (të bëja pazar, thënë më thjesht) dinjitetin dhe reputacionin tim me gjera të tilla. Më shkarkoi Presidentja e “zarfit”, së bashku me qeveritarët e tanishëm dhe të djeshëm! Të bëja të kundërtën do ishte thjesht prostitucion politik! Mbeta idealist dhe s’jam fare pishman! Edhe për arsye se e kam ndërgjegjen e pastër!
A mendoni t’i rifuteni politikës?
Mendoj që rrethanat sociale dhe më shumë ato kulturore s’janë në favor timin.Ta shohim, ka ide, ka projekte nga miqtë dhe ata që ia duan të mirën Kosovës. Po presim.
Ju jeni i dhënë pas mendimit filozofik dhe njëkohësisht jeni dhe sociolog. A ka nevojë sipas jush kjo klasë politike për filozofëve në politikë? Dikush duhet të dijë edhe pyetjet t’i bëjë…
Dëgjo, unë mendoj, por jo vetëm që mendoj por edhe gjykoj, se në jetën publike asgjë s’të ipet gratis! Ti duhet të dëshmosh me kualitetet tua në cilëdo sferë që vepron se meriton ta kesh vendin dhe funksionin tend me meritor. Tjetër, është që në shoqërinë tonë akoma nuk ka arritur ajo pjekuri sociologjike e vetëdijes për t’u sistemuar në vendin që duhet. Kjo periudhë është periudhë e matrapazëve dhe e mashtruesve ordinerë që pa fije turpi i operacionalizojnë qëllimet e tyre meskine, qofshin ato materiale apo sociale. Unë shpresoj dhe punoj që gjeneratat e reja ta kuptojnë këtë dallim; dhe kujtoj që tani për tani është stadisfaksioni më i madh nëse arrij të paktën ta ndihmojë këtë projekt të vetëdijesimit të rinjve
Ju tashmë keni të botuar një ditar me kujtime nga lufta: “Veç Zoti na shpëtoi!” Si mendoni a e kemi forcuar marrëdhënien me besimin, apo tani që jemi të lirë nuk kemi më nevojë për Zotin?
Besimi sot pas rënies se komunizmit është jo vetëm trend lokal por edhe global. Duke e shikuar nga ky këndvështrim, vetëm të marrët mund të gjykojnë dhe veprojnë nga pozicionet e kundërta. Në një shoqëri që është në proces të (vetë)kërkimit të identitetit të vetë të natyrshëm social, kulturor, politik, ekonomik, etj. siç është kjo e jona, është e natyrshme që të ketë edhe ballafaqime, përjashtime, kontestime dhe refuzime të vlerave të huaja të cilat kisha me thënë thellësisht e cënojnë terezinë identitare të shqiptarëve të Kosovës dhe atyre në Shqipëri. Në një hulumtim empirik të sponsorizuar nga ndërkombëtarët dhe të implementuar nga Shoqata e Sociologëve të Kosovës, në pozitën e një kryetari dhe koordinatori, kam parë me për së afërmi se trendi i rikthimit të të rinjve kosovar kah feja është evident dhe kjo është e mirë si për demokracinë -që edhe ashtu ka mjaft probleme me sjelljet deviante – ashtu edhe për shoqërinë si tërësi sociale. Ndërkaq, paragjykimet dhe stereotipet e të tjerëve – por edhe të disa matrapazëve vendas – kujtoj që janë kalimtare. Anipse po shihet qartazi një lloje “kujdestarie” permanente, sidomos nga mediat jo-kualitative!