Aktiviteti më me prestigj i basketbollit për meshkuj në Europë po kalon një javë të ethshme. Pas takimeve të shtata të sezonit të rregullt në fillim të javës, janë luajtur mbrëmë e do të luhen sonte sfidat e raundit të tetë.
Ndeshjet e këtyre dy ditëve kanë si karakteristikë të tyre përballjet derbi. Një derbi i tillë u luajt mbrëmë në Stamboll, ku Fenerbahçe u kthye te fitorja pas tre humbjeve, duke mundur Anadollu Efesin.
Fenerbahçe fitoi 88-80; i pesti sukses për të në takimet e sezonit të rregullt të Euroleague-s. Fraksioni i parë dhjetëminutësh i lojës foli për miqtë, që e mbyllën atë 17-25 në favor të tyre. Tre pjesët e tjera dëshmuan epërsinë e vendasve.
Kostas Sloukas qe shënuesi më i mirë i Fenerbahçes, por dhe i tërë ndeshjes, me 21 pikë; pas tij qe Jan Vesely, me 20 pikë të shënuara.
Në prani të 14.000 shikuesve në “Kombank Arena”, Crvena Zvezda mposhti 83-70 skuadrën italiane EA7 Emporio Armani Milan.
Vendasit fituan 81-74 në ndeshjen Baskonia Vitoria Gasteiz – Brose Bamberg.
Takimi më i rëndësishëm i kësaj të premteje është “El Clasico”: Barcelona Lassa – Real i Madridit. Madrilenët kanë bërë paraqitje më të mira gjartë kësaj kohe, ndërkohë që katalanasit janë goditur nga dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve.
Në Athinë, Panathinaikosi dhe Olimpiakosi do të takohen për herë të parë që nga prilli i viti 2014. Rivalë të përjetshëm, pozitat e tyre në Euroleague janë të njëjta, me nga katër fitore e tre humbje.
Në Stamboll do të jetë një tjetër derbi, edhe pse i përmasave më të vogla: ai mes Gallatasarajit dhe Darushafakasë.
Do të luhet gjithashtu dhe takimi CSKA e Moskës – Zhalgiris Kaunas. /tesheshi.com/