Kryetarja e komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, ka deklaruar se ka një numër të madh gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët dyshohet se kanë kryer transaksione të shumta parash kohët e fundit.
Sipas Felajt, së shpejti vetingu do të godasë zyrtarët në sektorin e drejtësisë dhe se deri më tani, Drejtoria e Pastrimit të Parave, njëra ndër institucionet që do të punojë ngushtë me atë të Vetingut, ka sekuestruar 60 milionë euro pasuri e transaksione të dyshimta.
“Është një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar, një numër i madh transaksionesh i bërë nga ata ose familjarët e tyre”, u shpreh Felaj.
Ajo ka folur edhe mbi agjentët amerikanë, ardhjen e të cilëve e ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama.
“Agjentët e huaj që do vijnë në Shqipëri nuk cënojnë sovranitetin. Ato vijnë për të ofruar ndihmë, dhe kjo nuk është hera e parë. Çështja për të cilën kërkohet ndihmë nuk është që ndodh vetëm në shqipëri. Natyra e hetimit nuk ka vetëm natyrë kombëtare, por është një çështje transnacional dhe prandaj janë thirrur agjentët e huaj”, tha Ermonela Felaj. /tesheshi.com/