“…të studiosh në mënyrë krahasuese dhe kritike këto dy fe të mëdha botërore, do të thotë të kuptosh ndryshe se si funksionon ekzistencialisht shoqëria njerëzore…”, kështu shkruan, ndër të tjera studiuesja Prof. Dr. Ilira (Çaushi) Sulo, në parathënien e librit “Krishtërimi dhe Islami: dy fe, dy qytetërime”, me autorësi të Ermir Gjinishit.
Ky i fundit, ish-nr. 2 i Komunitetit Musliman Shqiptar ka qenë dhe vijon të jetë i njohur ndër vite si komentator dhe analizues i ngjarjeve dhe çështjeve që kanë sfond fetar, apo që u përkasin zhvillimeve të Lindjes apo botës islame. Dhe ky libër i tij vjen në një kohë kur debatet publike që kanë brenda aspekte të mirëfillta fetare janë në një pikë vlimi. Megjithatë ky nuk e bën librin të kontekstualizuar vetëm për këtë kohë. Ai i shërben çdo kohë, gjersa si në rrafshin akademik e si në atë publik, gjithnjë ka një interes për të ditur më shumë rreth dy besimeve më të mëdha monoteiste në botë, prej së cilave kanë rrjedhur sisteme mendimi, kultura e qytetërime, për atë se ku janë diferencat mes tyre e gjithashtu pikat përbashkuese.
Libri nuk futet në çështje të thukëta teologjike, ndonëse ka sqarime të tilla të domosdoshme, ndaj dhe nuk përbën ndonjë një barrë intektuale për çdokënd që ka interes të jetë i lëçitur në këtë fushë, ku dhe nga padija gatuhen e përçohen keqkuptimet më të mëdha. Por vetë në përbërje, në lëndën e saj, libri ka një pasuri akademike të lavdërueshme për të qenë sa më shterrues në shumë aspekte.
Ja ç’shkruan studiuesja Sulo më tej në parathënie: “…autori është përpjekur të sjellë një këndëvështrim ndryshe të përgjithshëm historiko-filozofik mbi këto dy besime të mëdha universale, Krishtërimin dhe Islamin. Bazuar kjo dhe në bindjen se, që të kuptosh historinë e njerëzimit të dy mijëvjeçarëve të fundit, veç të tjerash, duhet të kesh njohuri të thella mbi këto dy fe.
Por studiuesja ndalet veçanërisht tek kolegë të saj historianë, të cilët sipas saj e kanë të domosdoshme njohjen e dimensionit për gjithë çka ka ndodhur në historinë dymijëvjeçare të njerëzimit, nëpërmjet kësaj linjeje, pra të asaj që ka të bëjë me ndikimin dhe rolin e këtyre dy besimeve të mëdha. Vlen kjo sidomos për historiografinë shqiptare, e cila e njeh fare pak ose aspak këtë linjë në metodikën e saj hulumutuese, mu pse vjen nga një shkollë ateiste.
“Ky është gati dhe si një detyrim për studiuesit e historisë, qe e kanë si qëllim të tyrin regjistrimin e ngjarjeve njerëzore. Kjo përpjekje do të ishte e mangët, pa njohjen dhe të këtyre dy forcave shpirtërore, që kanë pasur dhe kanë një ndikim të madh në politikë, art, ekonomi, shkencë, kulturë, pra, e thënë me një fjalë, te vetë historia”, shkruan Prof. Dr. Ilira (Çaushi) Sulo në parathënie.
“Krishtërimi dhe Islami: dy fe, dy qytetërime”, është libri i parë i Ermir Gjinishit. Në 270 faqe aty janë katër kapituj me tematika të ndryshme trajtuese. Libri dallohet për pasurinë e jashtëzakonshme referenciale ku autori ka shfrytëzuar një mori veprash studimore të autorëve të ndryshëm, shqiptarë e të huaj.
Në perspektivë, studiuesi Gjinishi ka gati për botim dhe punimin “Klerikët, përballë sfidave të mëdha kombëtare e fetare”, që është një vështrim mbi të djeshmen shqiptare të shumë figurave klerikale, ende të panjohura plotësisht në protagonizmin e tyre intelektual e atdhetar mbi sfidat e ndryshme shoqërore. /tesheshi.com/