Ndryshe zërave kritikë ndaj Arabisë Saudite pas vdekjes së më shumë se 700 personave dhe lëndimit të qindra të tjerëve gjatë haxhit në Mekë, që i akuzojnë autoritetet vendore për administrim jo të mirë të situatës, presidenti turk, Rexhep Tajjip Erdogan, u ka dalë në mbrojtje atyre.
“Unë nuk pajtohem me deklaratat armiqësore kundër Arabisë Saudite,” u ka thënë sot Erdogani gazetarëve në Stamboll.
“Duhet ta shihni gotën si gjysmë plot,” kanë qenë fjalët e tij, duke theksuar se do të qe e gabuar të drejtohej gishti te Arabia Saudite, e cila bën gjithçka ka në dorë për ta bërë të mundur haxhin e përvitshëm.
“Nuk është e drejtë të vihet vetëm Arabia Saudite nën presion për të dhënë llogari për dyndjen,” nënvizoi presidenti turk, duke kërkuar shmangien e reagimeve emocionale.
Haxhi i këtij viti është bashkëshoqëruar me dy incidente të rënda vdekjeprurëse. Një vinç i rrëzuar ditë më parë në Xhaminë e Madhe në Mekë u mori jetën mbi 100 të pranishmëve në vendngjarje, ndërsa këtë të enjte mbetën të vdekur më së paku 753 persona dhe u plagosën 887 të tjerë në dyndjen në Mina.
Një hetim është në vijim, por autoritetet saudite lënë të kuptohet se pelegrinët kanë lëvizur pa i respektuar udhëzimet dhe rregullat e kontrollit të turmës.
Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga Irani. Zyrtarët iranianë e kanë akuzuar Arabinë Saudite se është e paaftë ta administrojë një ngjarje të tillë të madhe. Vetë presidenti iranian, Hasan Ruhani, i ka kërkuar qeverisë së Arabisë Saudite të marrë përgjegjësinë për katastrofën. /tesheshi.com/