Armenët përgatiten të përkujtojnë më 24 prill përvjetorin e 100-të të incidenteve të 1915-s, e kësisoj e kanë shtuar retorikën antiturke. E gjithë fushata ka nxitur reagimin e Erdoganit, presidentit turk, i cili ka thënë se Armenia nuk ka për të fituar asgjë nga propaganda kundër Turqisë. “Qëllimi i kësaj fushate kundër Turqisë është ta trajtojë vendin tonë si armik, në vend të mbajtjes gjallë të dhimbjes së armenëve”, deklaroi Erdogan në Stamboll.
Presidenti i Turqisë u kërkoi armenëve të studiojnë arkivat për të parë se ç’ngjau vërtet midis qeverisë otomane dhe qytetarëve të saj armenë. Ai bëri të ditur se Armenia nuk i ishte përgjigjur kurrë thirrjes së Turqisë për t’i studiuar arkivat, duke shtuar, “Ju nuk mund të fitoni asgjë me blerjen e shteteve, me mënyra të pamoralshme, e me lobingje.”
Synimi nuk është gjetja e së vërtetës, por sulmimi dhe dëmtimi i Turqisë, shtoi ai. “Nuk kemi për t’i dhënë llogari askujt mbi këtë çështje. Nëse kërkojmë në dhimbjet e përjetuara nga populli ynë në 100-150 vitet e fundit, mund të gjejmë më shumë se pretendimet armene. Nga lufta nuk u prekën vetëm armenët, por dhe mijëra muslimanë,” deklaroi Erdogani.
Debati mbi përdorimin e termit “gjenocid” dhe opinionet e ndryshme mes qeverisë së sotme turke dhe administratës në Jerevan e diasporës armene vazhdojnë të prodhojnë tension politik midis armenëve dhe turqve.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tendosura për dekada për shkak të kërkesës së vazhdueshme armene që Turqia t’i njohë zyrtarisht ngjarjet e vitit 1915 si “gjenocid”.
Perandoria Otomane miratoi një ligj dëbimi për armenët gjatë Luftës së Parë Botërore, në mes të një rebelimi me ndihmën e ushtrisë pushtuese ruse. Për rrjedhojë, një numër i paditur njerëzish vdiqën në konfliktet civile dhe në shpërnguljet e detyruara. Turqia nuk e pranon assesi përdorimin e termit “gjenocid”, por pranon se ato çka ndodhën qenë një tragjedi, dhe se të dyja palët patën humbje të mëdha, duke përfshirë qindra turq muslimanë. /tesheshi.com/