Një sulm i ri ndaj Izraelit u nis nga Rexhep Tajip Erdogan, pas sulmeve të nisura nga Forcat Ajrore Izraelite ndaj objektivave iraniane. Presidenti turk foli për një “përshkallëzim veçanërisht të rrezikshëm” që paraqet rreziqe serioze për sigurinë në rajonin e gjerë.
“Izraeli, duke u përqendruar në Gaza dhe rajonin tonë në përgjithësi, po e çon strategjinë e tij në një nivel të ri, jashtëzakonisht të rrezikshëm, duke e përmbytur rajonin me gjak, lot dhe paqëndrueshmëri”, tha ai.
Erdogan i përshkroi sulmet e Izraelit ndaj Iranit fqinj si një “provokim të hapur” që shkel ligjin ndërkombëtar dhe përkeqëson ekuilibrin tashmë të brishtë në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu theksoi se sulmet ndodhën në një kohë kur negociatat mbi programin bërthamor të Iranit po intensifikohen dhe presioni ndërkombëtar mbi Izraelin po rritet për shkak të veprimeve të tij çnjerëzore në Gaza.
“Veprimet e paligjshme dhe agresive të qeverisë Netanyahu kërcënojnë të çojnë jo vetëm rajonin tonë, por të gjithë botën drejt shkatërrimit”, theksoi presidenti turk, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë masa të menjëhershme kundër asaj që ai e përshkroi si “aventurizëm izraelit”.
“Bashkësia ndërkombëtare tani duhet t’i japë fund veprimeve të dhunshme dhe destabilizuese të Izraelit, të cilat po dëmtojnë stabilitetin global dhe rajonal. Sulmet e Netanyahut dhe rrjetit të tij të masakrave, të cilat po e zhytin rajonin në flakë, duhet të ndalen”, tha ai.
Erdogan përsëriti qëndrimin e kahershëm të Ankarasë se nuk dëshiron gjakderdhje, shkatërrim dhe konflikte të mëtejshme në Lindjen e Mesme. “Sot, edhe një herë, shprehim vendosmërinë tonë për të mos parë një cikël të ri dhune në rajonin tonë”, vuri në dukje Erdogan. /tesheshi.com/