Presidenti turk Tajip Erdogan tha të martën se Turqia refuzoi të lejojë presidentin izraelit Isaac Herzog të përdorë hapësirën e saj ajrore për të marrë pjesë në samitin e klimës COP në Azerbajxhan.
“Ne nuk e lejuam presidentin izraelit të përdorte hapësirën tonë ajrore për të marrë pjesë në samitin e COP. Ne propozuam rrugë alternative dhe opsione të tjera”, u tha Erdogan gazetarëve në samitin e G20 në Brazil.
Herzog përfundimisht e anuloi vizitën.
“Në dritën e vlerësimit të situatës dhe për arsye sigurie, presidenti i shtetit ka vendosur të anulojë udhëtimin e tij në konferencën e klimës në Azerbajxhan”, tha presidenca izraelite.
Turqia tërhoqi ambasadorin e saj në Izrael për konsultime pas shpërthimit të luftës në Gaza, por nuk i ka ndërprerë zyrtarisht lidhjet me Izraelin dhe ambasada e saj mbetet e hapur dhe funksionale.
“Por nëse ai mund të shkonte apo jo, sinqerisht nuk e di,” tha Erdogan për vizitën e Herzogut në Baku.
“Për disa çështje, si Turqi, ne jemi të detyruar të mbajmë qëndrim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shtoi ai.
Është shumë e rëndësishme që shteti i Palestinës të njihet nga sa më shumë vende
Kostoja njerëzore e “terrorizmit shtetëror izraelit po rritet në rajon me mbështetjen e Perëndimit”, tha Erdogan, duke paralajmëruar se historia nuk do t’i falë ata që heshtin për sulmet izraelite në Palestinë.
“Është shumë e rëndësishme që shteti i Palestinës të njihet nga sa më shumë vende, veçanërisht në këtë periudhë”, tha presidenti turk.
Duke pohuar mbështetjen për popullin e Gazës, i cili po përballet me sulme të pamëshirshme izraelite për 14 muaj, Erdogan tha se “Turqia do të vazhdojë të qëndrojë me të shtypurit edhe nëse qëndrojmë vetëm në këtë”. /tesheshi.com/