Temperaturat e larta në Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) kanë bërë që shtatë automjete të shpërthejnë në flakë gjatë dy muajve të fundit.
Mbrojtja civile po kërkon nga drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes që makinat e tyre të mirëmbahen siç duhet, për të parandaluar dëmtimet nga zjarri.
Të mërkurën, një makinë e parkuar shpërtheu në flakë në Umm Al Quwain, raporton Khaleej Times. Videoja e postuar në llogarinë e Instagram-it të Mbrojtjes Civile tregon zjarrfikësit duke ardhur në vendin e ngjarjes për të shuar makinën e djegur në temperaturë 40 gradë.
Drejtori i Departamentit të Mbrojtjes Civile, Kolonel Hassan Ali Mohammed bin Sarm, u tha gazetarëve se rasti u është “përcjellë autoriteteve ligjore në fjalë për veprim ligjor.”
Zjarri është incidenti i shtatë i tillë në dy muajt e fundit, përfshirë një kamion, i cili ishte përfshirë nga flakët ndërsa ishte në tranzit. Shoferi kishte humbur kontrollin e automjetit, duke dalë nga rruga përpara se kamioni të rrotullohej disa herë.
Një video e postuar në Instagram të Mbrojtjes Civile të Emirateve të Bashkuara Arabe, këshillon shoferët se si të shmangin zjarret e automjeteve nga objekte të ndezshme të mbetura brenda makinave dhe nga mirëmbajtja e dobët, që po konsiderohen si shkaktarët kryesorë.
Muajin e kaluar, koloneli Sami Khamis Al Naqbi, drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Sharjah, tha për Gulf News se neglizhenca njerëzore ishte gjithashtu një faktor, përfshirë këtu edhe modifikimet ilegale dhe mirëmbajtjen e pavend të elektronikës në automjete, që gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në shpërthimin e automjeteve në zjarr.
Ai gjithashtu theksoi se përplasjet gjithashtu mund të luajnë një rol, duke shtuar: “automjetet e përfshira në një aksident mund të përfshihen nga zjarri nëse përplasja ndikon në pjesët që lidhen me karburantin ose nëse ka një shkëndijë elektrike në motor që ndez karburantin që rrjedh”. /tesheshi.com/