Refugjatët afrikanë prej kohësh e kanë përdorur Libinë si portë për të arritur Europën, por shumë prej tyre tashmë përballen me abuzimin, shfrytëzimin dhe trafikimin për punë të detyruar….
Qeveria e Libisë e mbështetur nga OKB thotë se po heton dyshimet se qindra refugjatë afrikanë dhe emigrantë që kalojnë përmes këtij vendi po shiten dhe blihen në tregje skllevërish të kohëve moderne.
Sipas raportimeve, tregtia funksionon në kurriz të dhjetëra mijërave njerëzish të pambrojtur që rrezikojnë çdo gjë për të arritur në bregun libian dhe më pas për të kapërcyer Mesdheun drejt Europës – një rrugë që përshkruhet si rruga më vdekjeprurëse në tokë.
Libia është porta përcjellëse më e madhe për njerëzit që përpiqen të arrijnë Europën, në rrugë detare, me më shumë se 150 mijë njerëz që kapërcejnë detin në secilin prej tre vjetëve të fundit.
“Refugjatët janë nga disa vende afrikane dhe thonë se janë larguar nga lufta, varfëria dhe papunësia në vendet e tyre… ata kanë ndërmarrë udhëtimin e vështirë përmes shkretëtirës dhe kanë paguar trafikantët për të arritur deri në Libi në mënyrë që të kapërcejnë Mesdheun drejt Europës. Me kolapsin financiar dhe atë të sigurisë në Libi, trafikimi i qënieve njerëzore dhe kontrabanda janë bërë tregti të lulëzuara”, thotë Mahmoud Abdelwahed, i cili raporton për Al Jazeera nga qendra e ndalimit në kryeqytetin libian, Tripoli.
Skllavëria moderne është mjaft e përhapur në botë dhe Libia sigurisht që nuk është unike… Por ajo që shfaqet veçanërisht tronditëse është se në Libi ajo ndodh hapur: njerëzit mund të shkojnë në një fermë, të vendosin një çmim dhe të përfundojnë me “zotërmin” e një qënieje njerëzore.
Nuk ekziston një proces i përshtatshëm regjistrimi për dhjetëra mijë refugjatë që mbërrijnë në Libi. Sipas raporteve, biznesi i qendrave të ndalimit mbetet pa mbikqyrje në disa pjesë të Libisë dhe historitë e torturave, përdhunimeve dhe punës së detyruar janë të shumta.
Kur qendrat mbingarkohen shumë, njerëzit më pas dyshohet se shiten sikundër prodhimet në një treg të hapur. Të mbijetuarit kanë thënë për agjencinë e migracionit të OKB-së se ata përdornin telefona smart për t’u lidhur me trafikantët e njerëzve që t’i dërgonin drejt brigjeve të Libisë, dhe më pas ishin shitur, mbajtur peng për dëmshpërblime apo ishin përdorur për punë të detyruar apo shfrytëzim seksual.
Organizata Ndërkombëtare e Migracionit thotë se tregtia e njerëzve është bërë kaq normale saqë njerëzit po blihen dhe shiten në vende publike për shifra pothuajse qesharake prej 400 dollarësh.
“Sa tronditëse duket, aq është edhe në të vërtetë”, thotë Leonard Doyle nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit. “Arsyeja që ndodh tregtia e skllevërve është pasi nuk ka zbatim të ligjit në të vërtetë pothuajse në gjithë Libinë. Libia është një vend po aq i madh sa Franca, me shumë hapësirë. Migrantët që vijnë aty… ata shohin premtimin e një jete të re kur ndjekin Facebook-un dhe mendojnë se diçka e mrekullueshme mund t’i presë në Europë, por kuptojnë se një trafikant ka abuzuar me sistemin dhe ua ka shitur atyre këtë gënjeshtër”.
Ai shpjegon se kur migrantët mbërrijnë në Libi, ata zbresin nga autobuzi dhe shpejt vendosen në një lloj makine vrasëse, një makineri torturash. Atyre iu grabiten gjithçka zotërojnë, u merren familjet në telefon. Ata detyrohen, torturohen, japin para. Dhe më pas shiten.
E pabesueshme, por ata shiten në publik, në ankande publike: 400 dollarë për një burrë krah pune, ndoshta pak më shumë për një grua që mund të futet në tregtinë e seksit. Dhe kjo ndodh në gjithë vendin.
Doyle thekson se kjo çështje tregon se komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë më shumë vëmendje ndaj Libisë së periudhës pas Gedafit.
“Ekziston një papërgjegjshmëri ndërkombëtare në dhënien e ndihmës…Ajo që është veçanërisht e rëndësishme tani është se kjo çështje po arrin vëmendjen globale”, thotë Doyle.
Tregtia e skllevërve duket se është rikthyer nga errësira e shekujve për të tronditur sërish botën me episode të pabesueshme që mund të ndodhin në mes të ditës, në sytë e të gjithëve.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/