Eksportet kanë vijuar të ngadalësojnë ritmet e rritjes edhe për 7-mujorin, duke reflektuar ecurinë e dobët të grupit të “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, ndërsa sektori ë po performon më mirë është ai i “materialeve të ndërtimit dh emetaleve”. Për periudhën janar-gusht, shitjet e produkteve shqiptare jashtë vendit u rritën me 12.8% me bazë vjetore, duke ngadalësuar lehtë ritmet e rritjes, teksa për 5-mujorin, zgjerimi ishte gati 17% (për 6-mujorin 13.4% dhe 7 mujorin 12.9%), sipas statistikave të publikuara nga INSTAT.
Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 8-mujorin u rritën me 8.6%, në 77 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve. Pesha e këtij grupi është rritur sërish, duke treguar varësinë e eksporteve tona nga shitja e krahut të lirë të fuqisë punëtore, që është edhe avantazhi kryesor konkurrues i vendit. Eksportuesit kanë kaluar një vit të mirë, si rrjedhojë e rritjes së kërkesës nga partnerët italianë, të cilët i janë larguar Kinës dhe Lindjes së Mesme dhe po preferojnë të punojnë me Shqipërinë për shkak të avantazheve që ajo ka, krahas krahut të lirë të fuqisë punëtore, si afërsia me Europën, që mundëson të punohet me porosi të vogla dhe të shpeshta, shkruan Monitor.
Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, i është rikthyer rritjes në gusht, pas rënies që shënoi në dy tremujorët e mëparshëm. Destinacioni kryesor i eksporteve nga Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, është kthyer Spanja, e cila është renditur sërish si një ndër partnerët më të mëdhenj, pas Italisë. Për 8 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me vetëm 1.6%, në 29.3 miliardë lekë. Ai mbetet grupi i dytë më i madh i eksportuar, por pesha e tij ndaj totalit ka rënë ndjeshëm në vetëm 17%, nga gati 40% që arriti 3-4 vjet më parë, kur zuri peshën kryesore të eksporteve, për shkak të konjukturës së favorshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të eksporteve ka vijuar ta ketë grupi “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 8 miliardë lekë me bazë vjetore për 8-mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 6 miliardë lekë), apo me 42%. Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi. Pesha e këtij grupi po rritet me shpejtësi (16% për 8 mujorin), duke arritur edhe për pak atë të “minerale, lëndë djegëse dhe energji”.
Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” është rritur me 18% në 18.1 miliardë lekë, duke përshpejtuar ritmet, në raport me 6 mujorin.
Grupit “Makineri pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritjes, me 27% për 7 mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5.2% të totalit.
Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme përsa i përket eksporteve.
Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,9 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve, nuk ka ndikuar negativisht asnjë grup.
Eksportet në gusht
Sipas INSTAT, Tiranë, më 18 Shtator 2017: Në Gusht 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u rritur me 12,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 25,6 %, në krahasim me Korrik 2017. Importet e mallrave në Gusht 2017 arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 6,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 10,1%, në krahasim me Korrik 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u rritur me 2,8 %, krahasuar me Gusht 2016 dhe me 2,5 %, në krahasim me Korrik 2017.
Në tetë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 177 mld lekë, duke u rritur me 12,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 400 mld lekë, duke u rritur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 223 mld lekë, duke u rritur me 1,6 %, krahasuar me 2016.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Rritja vjetore e eksporteve prej 12,0 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +2,3 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,1 pikë përqindje. /tesheshi.com/