Në një dokument ekskluziv që e zotëron tesheshi.com, bëhet e ditur se si do të jetë vija e kufirit me Malin e Zi pas negociatave që qeveria e Kosovës ka kryer me Podgoricën.
Në një dokument që sjell për tesheshi.com, Komisioni Shtetëror për Ndarjen e kufijve theksohet se sjellja e djeshme e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj në Komisionin e Jashtëm ishte një spektakël pa vlera dhe se Haradinaj ka paraqitur dje në Kuvend, disa atlasë tokash dhe jo harta profesionale.
Ja dokumenti i plotë
“Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në Rezolutën e Kuvendit nr. 05-R-03 të datës 25 qershor 2015, ka ftuar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për të raportuar lidhur me punën e Komisionit për përgatitjen e Draft Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Në takimin që u mbajt të hënën me 13 korrik 2015 nga ora 11:00 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Prof. Dr. Murat Meha dhe anëtaret Besim Kajtazi nga Zyra e Kryeministrit dhe Kolonel Shaban Guda nga Policia e Kosovës paraqitën një raport të shkurtër mbi të gjithë procesin e punës së këtij komisioni për demarkacionin dhe përcaktimin e kufirit shtetëror, caktimin e kalimeve kufitare, përcaktimin e regjimit të trafikut ndërkufitar dhe zbatimin e strategjisë së menaxhimit të integruar të kufirit me Malin e Zi.
Më pas, përmes projektimit dhe në letër u paraqitën para Komisionit për Punë të Jashtme të gjitha hartat digjitale, analoge dhe gjeoinformacione për kufijtë e Kosovës të cilat Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror i ka hulumtuar, mbledhur, shqyrtuar dhe analizuar për përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Njëkohësisht, nga Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe nga anëtaret e këtij Komisioni u vlerësua puna e deritanishme e Komisionit dhe u shtruan një varg pyetjesh të cilave raportuesit iu përgjigjën në tërësi.
Gjatë prezantimit të hartave të ndryshme para Komisionit për Punë të Jashtme, njëri prej anëtarëve të këtij Komisioni, z. Haradinaj, me një gjuhë fyese dhe kërcënuese drejtuar anëtarëve të Komisionit, duke mos prezantuar asnjë argument apo provë si dhe duke hedhur një hartë te cilën e mbante në duar, e lëshoi takimin.
Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror shpreh indinjatën e thellë për gjuhën fyese dhe denigruese të z. Hardinaj, që nuk përbën kulturën demokratike të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Komisioni refuzon të pranojë tentimet e z. Haradinaj i cili pa asnjë argument të ofruar për kufirin shtetëror te Republikës së Kosovës, por nëpërmjet akteve të tilla skandaloze, që janë për keqardhje dhe tentim për pengim në punën e komisionit që nuk i kanë hije një përfaqësuesit politik, të manipulojë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të keqpërdorë institucionet për nevoja të marketingut politik.
Sjellja hipokrite dhe prej kapadaiu e z. Haradinaj për të frikësuar komisionin, bëhet edhe më e pështirë kur dihet se ai ka qenë pjesë e të gjitha proceseve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për Kosovën, përfshirë edhe Planin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit po bëhet demarkacioni me Malin e Zi. Ky demarkacion që është në përputhje të plotë me atë të vitit 1974, gjithashtu u prezantua edhe para Komisionit Parlamentar. Argumentimet në nivel shkencor janë në tavolinë për ata që dëshirojnë t’i shikojnë, ndërsa me atlase pedologjike të cilët shërbejnë për llojet dhe përbërjet e tokave nuk përcaktohet kufiri.
Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror dëshiron të sigurojë qytetarët e Republikës së Kosovës se është duke kryer me përkushtim dhe përpikëri detyrat e veta dhe se shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Komisioni është i përkushtuar dhe asnjë milimetër e territorit kosovar nuk do të tjetërsohet”. /tesheshi.com/