Nga Shkëlzen Rrecaj
“Vokrri, Vokrri, Vokrri”…këto ishin brohoritje në stadiumin e Prishtinës dhe stadiumet tjera ku luante legjenda e futbollit shqiptar në ish-Jugosllavi, Fadil Vokrri.
I njohur si futbollisti më i madh që ka nxjerrë populli shqiptar, posaçërisht Kosova, tashmë ai kërkon që emrin e tij ta njesohjë dhe si “baca” i sfidës së madhe për ta çuar Kosovën në kompeticionet ndërkombëtare, si një afirmim i faktit se është vërtet një shtet i pavarur.
Për portalin tesheshi.com, ai pranoi me kënaqsi që të japë një intervistë, një kënaqsi që padyshim ishte dhe e jona.
Kur do ta shohim përfaqësuesen kosovare në Evropë?
Mendoj që ne gjithnjë e më afër pranimit tonë në familjen ndërkombëtare, kështu që me përfaqësuesen jemi duke i zhvilluar disa ndeshje miqësore dhe së fundmi është organizuar një kamp stërvitor pas dështimit të ndeshjes me Burkina Faso-n. Ne shpresojmë që pranimi do të ndodhë. Kemi marrë shumë premtime që kjo do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, kur është paraparë kongresi i ardhshëm të UEFA-së. Siç ju tashmë keni njohuri, ne kemi pasur probleme statutore pasiqë Kosova nuk është pjesë e OKB-së. Megjithatë, ekziston një vullnet për ta tejkaluar këtë problem famoz i cili pamundëson pranimin e FFK-së. Me pranimin e futbollit tonë, atëherë mund të projektojmë dhe të reflektojmë në planifikimin dhe përgatitjen për kampionate evropiane dhe botërore, duke marrë parasysh që të parët në radhë janë eliminatorët për kampionatin botërorë. Urojmë të gjendemi aty, sepse me pranimin tonë, nuk do të ketë ndonjë bllokadë ligjore që të jemi pjesë e FIFA-së, ku do të inkorporoheshim në dy grupet që kanë mbetur nga pesë ekipe.
Kur erdhët në krye të FFK-së ju u shikuat si shpëtimtar i futbollit të Kosovës për shkak të famës dhe lidhjeve që ju i keni, duke filluar nga z. Platini, etj. Megjithatë gjërat në terren dolën ndryshe….
Nuk besoj që dolën ndryshe dhe varet si ju e kuptoni. Ne kemi arritur që gjatë këtyre viteve të njihet transferi i lojtarëve të Kosovës pa pranimin tonë nga FIFA, d.m.th kartoni i lojtarëve që janë nën kontratë me klube tona. Tash e katër vite asnjë lojtar kosovar nuk mund të shkojnë në ndonjë klub europian nëse ka kontratë profesionale me klubet tona këtu, që do të thotë se nuk mund të shkojnë siç kanë shkuar më parë pa asnjë dëmshpërblim.
Pastaj, zhvillimi i ndeshjeve miqësore ka patur një progres të madh. Jemi i vetmi reprezentacion i papranuar i cili luan ndeshje miqësore me leje të FIFA-së. Për ne mbetet vetëm një problem: mospranimi i Kosovës në OKB. Nëse e shikojmë statusin e UEFA-së aty ceket se për t’u pranuar në këtë federatë një vend, duhet të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Këtu nuk është faji i federatës në qoftë se shteti i Kosovës nuk është i pranuar në OKB. Federata nuk mund ta fusë Kosovën në OKB. Ne kemi arritur përmes miqve dhe njerëzve kompetentë ta tejkalojmë këtë bllokadë ligjore; dhe tash ka mbetur vetëm pranimi i plotë i Kosovës që do të ndodh shumë shpejt pasi që kemi edhe premtime të krerëve të UEFA-së. Sa i përket punës sonë, desha të them që tani më shumë kanë përfituar klubet kosovare. Ka shtatë vjet që asnjë klub nuk paguan anëtarësinë, po flas në planin vendor e po ashtu është interesimi i sponsorëve që klubet të përfitojnë maksimalisht gjatë këtyre viteve.
A është bërë mjaftueshëm në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë?
Po, mendoj se kemi dhënë maksimumin. Ne nuk kemi pasur të drejtë të zhvillojmë as lojë miqësore dhe përpos Katalonisë që luan dy lojë me leje të Federatës së Spanjës, asnjë vendi tjetër nuk i është lejuar kjo gjë.
Si e përjetuat dështimin e miqësores me Burkina Faso-n dhe a ka rrezik që të përsëriten raste si ky?
Nuk e di çka ju quani dështim. Takimi është aranzhuar për me 2 shtator para një muaji. Ekipi i Burkina Faso-s në letrën që na ka dërguar nga Konfederata Afrikane ku ka marrë leje për ta zhvilluar lojën miqësore. Burkina Faso ka kërkuar të luajë me ekipin A. Këtë nuk mund ta quaj dështim, sepse ata e kanë dërguar listën e 21 – 23 vjeçarëvë. Kam marrë letrën tjetër që do të bëhen ndryshime në formacionin e Burkina Faso-s dhe kanë ardhur dy ndryshime prej listës së lojtarëve që na është dërguar. Fatmirësisht unë diku 10 lojtarë i njoh që luajnë në kampionatin francez, kështu shumë lehtë i kam parë që nuk janë në listën A. Menjëherë u kam shkruar letër në qoftë se nuk i dërgon 60% të ekipit të parë, ngase dikush ka mundur të jetë i lënduar, etj., loja nuk zhvillohet dhe e kam anuluar këtë ndeshje, gjë pra që e kam bërë me vetëdije të plotë. Refuzimi ynë ka qenë që t’i tregojmë si Burkina Faso-s ashtu dhe çdo kundërshtari që marrëveshjet kur bëhen duhet të respektohen në përpikëri.
A ishte e pamundur zëvendësimi i Burkina Faso-s me një kombëtare tjetër?
Nuk ka pasur kohë. Duhet patur parasysh që kur i referohemi kërkesës së seleksionuesit që të bëhet një grumbullim, atëherë kjo nënkupton që të zhvillohen 5-6 stërvitje këtu. Ne kemi aprovuar kërkesën e seleksionuesit që të bëhet një kamp dhe është zhvilluar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Po qe se Kosova pranohet në FIFA dhe UEFA, a është i gatshëm futbolli kosovar të jetë pjesë e kualifikimeve për botërorin 2018?
Ne kur kemi kërkuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore, shumë “njerëz” kanë menduar që nuk duhet kërkuar zhvillimi i miqësoreve, por pranimi i menjëhershëm. Pikësëpari, duke patur parasysh gjasat tona, që atëherë kanë qenë minimale për pranim, jemi pajtuar që të nisim me këtë zgjedhje që kemi sot. Kërkimi i lejes për zhvillimin e ndeshjeve miqësore nga FIFA, ka bërë që ne t’i zhvillojmë disa të tilla për ta rritur imazhin e Kosovës. Nga ana sportive ne jemi në fazën përgatitore për të qenë të gatshëm për eliminatore.
Cila është strategjia juaj në rast të një përgjigje negative?
Ne i kemi bërë të gjitha detyrat që na takojnë dhe i vetmi problem për ne ashtu siç e përmenda më lartë është mos qenia e Kosovës anëtare e OKB-së dhe kjo është pengesë për ne.
Ata prapë mund të mos na pranojnë, por ne kemi premtime nga krerët e UEFA-së. Që prej aplikimit, ne kemi takime të rregullta çdo dy muaj. Gjithashtu, Platini pati deklaruar se Kosova do të pranohet në vitin 2016. Ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet tona. Aplikimi është bërë, me zyrën ligjore i kemi pasur dy takime ku na është thënë se gjithçka është në rregull sa i përket dosjeve, ndërsa tani i takon vullnetit politik të kongresit. Një gjë është e sigurt se ata do ta hedhin në votim, pavarësisht nenit i cili e bllokon pranimin e Kosovës.
Prej që e keni marrë drejtimin e FFK-së, cilat janë ndryshimet që keni bërë në këtë federatë?
Ndryshimet fillojnë prej heqjes së kuotizimit, d.m.th klubet nuk paguajnë anëtarësi. Më herët buxheti i federatës është financuar nga klubet, ndërsa tani ky buxhet mbushet vetëm përmes sponsorëve. Liga quhet “Raiffeisen Superliga” që dikur ka qenë e paimagjinueshme. Prej 16 klubeve kemi ardhur në 12, me zvogëlimi e ligës kemi menduar që cilësia të arrihet më lehtë. Numri i klubeve duhet të ketë si kriter numrin e banorëve në Kosovë ashtu siç vendet tjera europiane e kanë rregulluar këtë. Të gjitha zotimet që i kam bërë i kam realizuar. Pastaj klubet kanë përfituar nga të drejtat televizive. Lam realizuar një takim me z. Blater, transferët e lojtarëve etj., të gjitha këto kanë qenë në këtë periudhë dhe jam krenar që kam qenë në krye të këtij komiteti ekzekutiv për të cilën kam pasur ndihmë të parezervë, posaçërisht të institucioneve siç është Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nga të gjitha legjislaturat. Tani edhe i fundit ka filluar t’na përkrah në infrastrukturë të cilën ne e kemi mbështet fuqishëm si në stadiumin “Adem Jashari”, stadiumi i Prishtinës, etj.
Sa jeni të kënaqur me punën e përzgjedhësit z. Bunjaku?
Ai ka qenë në një situatë shumë të vështirë, d.m.th është përzgjedhur kur e kemi formuar përfaqësuesen tonë, atëherë kur nuk kishim të drejtë të zhvillimit të ndeshjeve. Edhe ato ndeshje që i kemi luajtur i kemi bërë me një përzgjedhje të improvizuar, nuk kemi ditur oraret e lojëve, kështu që të gjitha kanë qenë ad-hock. Mirëpo me lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore nga FIFA, atëherë kemi qenë më të strukturuar, më të organizuar edhe përzgjedhësi e ka patur pak më lehtë. Ai ka bërë një punë shumë të mirë dhe nuk kemi arsye që të mos jemi të kënaqur me situatën që më parë e kemi patur dhe siç jemi duke e vazhduar rrugëtimin tonë drejtë pranimit në FIFA dhe UEFA.
Sa ka arritur që institucioni që ju drejtoni të identifikojë talentet kosovarë që luajnë gjithandej nëpër botë?
Këtu ka qenë fokusi kryesor. Puna më e madhe që ka bërë përzgjedhësi Albert Bunjaku së bashku me ndihmësit e tij ka qenë një listë diku rreth 70-80 lojtarë që janë të regjistruar në të gjitha kategoritë të cilët shtabi teknik i përcjell në Zvicër, Gjermani, Skandinavi, Shqipëri, etj. Në faqen e FFK-së është një rubrikë ku lojtarët regjistrohen vetë. Është për çdo lëvdatë interesimi i madh i lojtarëve kosovarë të rritur jashtë atdheut të tyre që të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës.
A keni ndonjë marrëveshje me FSHF-në lidhur me lojtarët shqiptarë që janë zhvilluar në vendet europiane apo silleni sipas parimit kush është më i fortë merr më shumë?
Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me FSHF-në. Me presidentin Duka jemi në kontakte të vazhdueshme. Të gjithë lojtarëve ju kemi sugjeruar që deri në pranim të Kosovës të luajnë për kombëtaren shqiptare. Me pranimin tonë atëherë mund të bisedojmë dhe sigurisht që nuk do të ketë asnjë problem me ta. Mirëpo, fundi i fundit lojtarët janë ata që zgjedhin vetë dhe posaçërisht ne nuk do t’i ngarkojmë ata. Kush dëshiron të luajë për reprezentacionin e Kosovës do të luajë pa kurrfarë problemi. Pas pranimit tonë do të kemi një periudhë dymuajshe ku secilit lojtarë kosovarë do t’i kërkohet që të përcaktohet se për kë dëshiron të luajë.
Le të flasim pak për kampionatin e vendit. A jeni të kënaqur me nivelin e futbollit që luhet duke filluar nga superliga?
Sa i përket kampionatit kosovar ka vend shumë për përmirësime dhe këtu duhet patur parasysh gjendjen e klubeve, periudhën e gjatë të izolimit, mospërkrahjen institucionale dhe faktorë të shumtë. Në kushte çfarë ka ekzistuar dhe mbijetuar futbolli i Kosovës nuk është keq edhe ky kualitet sigurisht që nuk është i kënaqshëm, mirëpo këtyre dy-tri viteve të fundit gjërat kanë ndryshuar, cilësia është rritur, një numër i lojtarëve çdo vit largohen nga Kosova në klube evropiane. Dy a tre talentë shkojnë jashtë, 7-8 shkojnë në Shqipëri kjo edhe e dobëson kampionatin tonë. Megjithatë, mendoj që lojtarët e rinj të cilët po arrijnë të promovohen në Kosovë po kanë sukses edhe kur po u jepet rasti në kampionate të tjera. Vendi ynë është një rezervuar i talentëve të jashtëzakonshëm dhe mendoj që edhe përkundër largimeve që po ndodhin, që është logjike dhe normale, ne po arrijmë që t’i zëvendësojmë dhe ta ruajmë pak a shumë kualitetin që e kemi. Sezonin që lëmë pas ka qenë një kampionat shumë interesant ku fituesi u përcaktua në xhiron e fundit. Ka vend për përmirësime dhe assesi nuk duhet të jemi të kënaqur me këtë që e kemi, por po punojmë në atë drejtim duke e patur parasysh pranimin tonë dhe daljen e skuadrave tona në mejdanet europiane.
A mendoni se edhe në futbollin tonë ka hyrë korrupsioni? Çfarë mekanizmi keni në luftën tuaj kundër bastoreve, trukimit të ndeshjeve dhe anomalive të tjera që përcjellin garat në të gjitha nivelet?
Pikësëpari ne nuk jemi në bastore dhe kjo është më e mira në futbollin tonë, kështu që në atë drejtim nuk kemi shumë probleme dhe është mirë. Megjithatë jemi në formim e sipër të një task force, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës. Nëse ka pretendime apo dyshohet për ndonjë ndeshje të trukuar do të marrim masa ndëshkuese për ato klube. Një rast e kemi pasur me Fushë Kosovën të cilën nga liga e parë e kemi larguar në ligën e dytë.
Sa jeni i kënaqur me mbështetjen e qeverisë për sportin kosovar në përgjithësi?
Sigurisht me të gjitha hallet dhe problemet që kemi, sepse unë nuk jam avokat i qeverisë përkundër jam një kritikues i madh, të gjithë ne që jemi bashkuar rreth sportit, dëshirojmë që të jepet maksimumi edhe pse jemi të vetëdijshëm për problemet e shumta në shoqërinë tonë. Sa i takon futbollit qeveria ka hapur paksa portofolin dhe shohim disa investime që do të bëhen në stadiumin e Prishtinës, në “Adem Jashari” në Mitrovicë, në Istog, në Lipjan, etj. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Ministrin e Sportit dhe sigurisht që na presin ditë më të mira. Gjithashtu janë të pashmangshme edhe investimet në stadiumet e tjera. S’duhet harruar se pas plot dyzet vjetësh po bëhet një investim prej tre milionë euro në stadiumin e Prishtinës.
Në fund, a jeni optimist që përfaqësuesja e Kosovës do të jetë pjesë e eliminatoreve Rusia 2018?
Për mua është më rëndësi të pranohemi në UEFA, sepse kushti i parë i FIFA-së është të qenit pjesë e konfederatës d.m.th ne i përkasim konfederatës së UEFA-së, ndërsa kampionati botëror organizohet nga FIFA. Atëherë nëse pranohemi në mars në kongresin e ardhshëm që është i caktuar po në këtë muaj, mund të ndryshoj një javë para apo pas për shkak të rrethanave të krijuara në FIFA, për shkak të dorëheqjes së Blaterit. Tani, nuk e di nëse z. Platini do të kandidojë për ta marrë timonin e FIFA-së. Nëse pranohemi në mars dhe jemi anëtar i UEFA-së, atëherë nuk kemi asnjë bllokadë ligjore për të qenë pjesë e eliminatorëve dhe kjo na është thënë edhe në takimin e fundit që ka qenë në FIFA. /tesheshi.com/
Fadil Vokrri dikur: