Dy gjysmëfinalet e edicionit të 31-të të aktivitetit më të madh afrikan të futbollit, të luajtura në dy ditët e shkuara, kanë nxjerrë në finale Egjiptin dhe Kamerunin.
Ndërkohë që gjysmëfinalja e së mërkurës, mes Burkina Fasos dhe Egjiptit, kërkoi gjuajtjen e 11-metërshave për të përcaktuar finalistin e parë, mbrëmë ka mjaftuar koha e rregullt për të përcaktuar skuadrën tjetër finaliste.
Kameruni fitoi 2-0 ndaj Ganës, me dy gola të shënuar në pjesën e fundit të lojës. I pari u shënua në minutën e 72-të nga Ngadeu-Ngadjui, dhe i dyti në minutën e 93-të nga Bassogog.
Egjipti dhe Kameruni janë ndeshur dhe dy herë në finalet e së njëjtës veprimtari, në vitin 1986 dhe në vitin 2008.
Kjo finale do të luhet të dielën, në 20:00; në të njëjtën orë, por një ditë më herët, të shtunën, do të jetë takimi për vend të tretë, ai mes Burkina Fasos dhe Ganës. /tesheshi.com/