Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ngrihen kundër racizmit dhe diskriminimit.
“Një dyshim i përhershëm ndaj migrantëve, pa marrë parasysh se sa kohë kanë jetuar në Gjermani, nuk është vetëm dëm për individin. Është një shkak turpi për vendin tonë”, tha ai duke drekuar me një grup fqinjësh, kryesisht me origjinë turke, në pallatin presidencial.
“Racizmi dhe diskriminimi shkelin dinjitetin njerëzor dhe dëmton demokracinë tonë. Ato zhvlerësojnë atë që ne kemi arritur në këtë vend”, theksoi ai.
Takimi erdhi disa javë pasi futbollisti gjermano-turk Mesut Özil shkaktoi një debat në vend me vendimin e tij për të lënë ekipin kombëtar të Gjermanisë, për shkak të asaj që ai e konsideronte si diskriminim dhe propagandë raciste me të cilën u përball së fundmi pas paraqitjes me presidentin Erdogan në një foto.
Steinmeier nënvizoi se migrantët e kanë pasuruar vendin dhe kanë të njëjtat të drejta dhe detyra si qytetarët e tjerë.
“Pa ju, pa familjet tuaja që u bashkuat më vonë, pa fëmijët dhe nipërit e mbesat, prosperiteti ekonomik i vendit tonë, në të vërtetë shoqëria e sotme, do të ishte e pakonceptueshme”, tha ai.
“E kemi arritur këtë së bashku – dhe si president i këtij vendi, do të doja t’ju falënderoj për këtë!” /tesheshi.com/