Asociacioni i komunave me shumicë serbe assesi s’mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të mund të marrë vendime, ka thënë ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.
Sipas saj, për Asociacionn nuk do të ketë ligj të veçantë dhe se gjithçka do të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës.
Tahiri ka thënë se pasi të arrihet marrëveshja për parimet rreth Asociacionit do të nisë faza e krijimit të statusit për të. Ministrja e Dialogut ka shpjeguar se dallojnë shumë qëndrimet e Kosovës e të Serbisë.
Ajo ka folur në konferencën e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale “Asociacioni/Bashkësia – dy emra, dy qëllime”, ku publikohen edhe të gjeturat nga studimi.
Gjatë konferencës prezantohen pikëpamjet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe (A/BKS) nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, akterëve ndërkombëtarë dhe pikëpamjet analitike të shoqërisë civile në Kosovë dhe Serbi.
Sipas Institutit Kosovar për Qeverisje Lokal, procesi i themelimit të Asociacionit/Bashkësisë e Komunave me shumicë serbe përbën ndoshta sfidën kryesore të procesit negociues në Bruksel./tesheshi.com/