Nga redaksia
Duke u gdhirë e hëna e datës 12 tetor, një granatë dore është hedhur në oborrin e shtëpisë së kryetarit të komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, në fshatin Soçanicë të Leposaviqit, por pa shkaktuar dëme në njerëz veç atyre materiale. Ajo është njëherësh dhe shtëpia e Aleksandar Jabllanoviqit, ish-ministrit serb të qeverisë së Kosovës, që me nje deklaratë të tij fyese kundër grave kosovare, u bë shkak për trazira në Prishtinë pak muaj më parë. Më pas ai u largua nga qeveria.
Në lidhje më sulmin e së hënës mbi shtëpinë e Jabllanoviqëve, z/drejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, ka theksuar se me të marrë informacionin është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke nisur procesi hetimor mbi zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes. Sipas Hotit, ende nuk mund të thuhet se cilat janë shkaqet e këtij sulmi, apo se cilët persona mund ta kenë kryer atë.
Por një burim i tha portalit tesheshi.com se sulmi me granatë dore në shtëpinë e Jabllanoviqëve, është sulm politik si dhe qërim hesapesh mes bandave dhe grupeve kriminale që kanë përkrahje direkt të qeverisë serbe, e që po tentojnë të kontrollojnë dhënien e tenderave në 4 komunat e veriut të Kosovës.
Jabllanoviqët, babë e bir, në një kohë të shkurtër të përfshirjes së tyre në udhëheqje politike – i biri si ministër dhe i ati si kryetar komune – kanë bërë një perandori të tyre duke blerë shtëpi dhe duke bërë një dasëm shumë të kushtueshme në qendrën e skijimit në Kopavnik.
“Telashet e Jabllanoviqëve vijnë nga fakti se ata kontrollojnë të gjithë tenderët që janë dhënë dhe jepen nga komuna e Leposaviqit, duke mos lënë që të ndërhyjnë grupe kriminale serbe që kanë përkrahjen e Zvonko Veselinoviqit”, ka thënë burimi.
Sipas tij, asnjë tender që jepet në komunat veriore të Kosovës me përjashtim të Leposaviqit, nuk mund të merren pa bekimin e krahut të djathtë të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuqiqit, që është pikërisht Zvonko Veselinoviq, i njohur si kapoja i krimit për veriun e Kosovës.
“Çdo kompani që fiton tender në komunat e veriut të Kosovës, duhet të ketë bekimin e Zvonko Veselinoviqit, në të kundërtën tenderi anulohet”, ka thënë burimi i portalit tesheshi.com.
“Por këtu ka bërë përjashtim vetëm komuna e Leposaviqit, pra Jabllanoviqët, të cilët të gjithë tenderët i kanë kontrolluar vetë duke bërë edhe përzgjedhjen e kompanive fituese, duke anashkaluar kështu, apo më mirë thënë injoruar, njeriun më të fuqishëm të krimit në Serbi e Kosovë, Zvonko Veselinoviqin, që është bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Aleksandar Vuqiq”, ka saktësuar burimi.
“Mosbindja e Jabllanoviqëve – vijon ai – ndaj Zvonko Veselinoviqit iu ka kushtuar shumë, deri dhe humbje të përkrahjes politike në Beograd, por të jemi të qartë, kjo nuk i përligj Jabllanoviqët si të implikuar në afera të mëdha korruptive në Leposaviq, sidomos në dhëniet e tenderave”.
E sipas tij, kjo është arsyeja se përse qeveria e Beogradit dhe mediat serbe në veriun e Kosovës, kanë filluar sulmet ndaj Jabllanoviqëve, me të vetmin qëllim, denigrimin e tyre politik.
Edhe sulmi ndaj shtëpisë së Jabllanoviqëve – sipas burimit – është bërë po me urdhër të Beogradit, e që është realizuar nga ana e njerëzve të Zvonko Veselinviqit që veprojnë në veri të Kosovës, duke shërbyer si një paralajmërim për Dragan dhe Aleksandar Jabllanoviqin që duhet të heqin dorë nga pavarsia në dhënien e tenderave, duke i anashkaluar ata.
Mediet e ndryshme serbe, por sidomos portalet e tyre, para pak kohësh, kanë akuzuar babë e bir për miliona euro keqpërdorime e korrupsion në dhënie tenderash, duke përfituar shuma të majme prej tyre.
Dhe jo më kot – sqaron burimi – sulmet ndaj Jabllanoviqëve, kanë ardhur nga militantë të partisë SNS e kryeministri Vuqiq.
“Militantët e kësaj partie në media sociale e kanë akuzuar Jabllanoviqin e ri se në mandatin e shkurtër të tij si ministër në qeverinë e Kosovës ka blerë shtëpi dhe një jaht në Malin e Zi; në Serbinë qendrore, pikërisht në vendin e quajtur “Vrenjaçka banja”, ka blerë gjithashtu një shtëpi në vlerë prej mbi 200 mijë euro; ndërsa për dasmën e Aleksandrit, babai i tij Dragani, në një hotel në Kopavnik ka paguar hiç më pak se 30 mijë euro”, ka thënë burimi.
Dhe sipas tij, afera e fundit me Jabllanoviqët, gjë që e kanë përmendur dhe mediat serbe, është se ata kanë pranuar 100 mijë euro ryshfet nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.
Që kryetari i komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, është kërcënuar me jetë, është pohuar së fundi dhe nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Arban Abrashi.
Ky i fundit e ka vizituar këto ditë komunën e Leposaviqit, ku pas kësaj vizite, Dragan Jabllanoviq është quajtur haptazi nga media serbe si bashkëpunëtor i shqiptarëve; ndërsa djali i tij Aleksandri është akuzuar si bashkëpunëtor dhe spiun i të gjitha shërbimeve inteligjent dhe të sigurisë së Kosovës.
Burimi informon se kjo situatë, ka bërë që drejt Jabllanoviqëve të ketë një sulm frontal, duke ua hequr njerëzit nga puna, por dhe duke jua marrë dalëngadalë atyre të gjithë pushtetet. Njeriu që është angazhuar me këtë fushatë kundër tyre është shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili me urdhër të Beogradit e ka shkarkuar nga të gjitha detyrat Dragan Jabllanoviqin, ndërsa edhe i biri, Aleksandër Jabllanoviq, është shkarkuar nga udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovën.
Për paradoks, e vetmja mbështetje për Jabllanoviqët është qeveria në Prishtinë. Dragan Jabllanoviq, vijon të jetë kryetar komune falë qeverisë Mustafa, se po të qe për qeverinë Vuqiq ai nuk duhet të qëndrojë më aty. /tesheshi.com/