Qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës do të lëvizin në vendet respektive vetëm me karta identiteti. Marrëveshja u arrit nga ministrant e jashtëm të dy vendeve, gjatë një vizite në Tiranë të shefit të diplomacisë së Sarajevës, Igor Crnadak.
Ky takim shërbeu për nënshkrimin e marrëveshjes mes dy ministrave të Jashtëm për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve me karta identiteti.
Të dy ministrat u shprehën se kjo marrëveshje për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve me karta identiteti do të ndihmojë në rritjen e turizmit në të dy vendet. Aktualisht Shqipëria ka një marrëveshje të tillë me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. Bosnja është në listën e vendeve, ku shqiptarët mund të udhëtojnë pa vizë afatshkurtër, por që deri më sot ishte e nevojshme pasaporta.
Gjatë takimit të Bushatit dhe Crnadak u diskutua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe perspektivën e përbashkët drejt integrimit evropian. Të dy ministrat konfirmuan rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe pritjet e mëdha nga Samiti i Vjenës./tesheshi.com/