Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, në raportin e tij më të ri për zhvillimet në Kosovë ka dënuar përdorimin e dhunës nga partitë opozitare. Dhe, nga ana tjetwr ka përshëndetur dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen mbi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“E dënoj përdorimin e dhunës dhe frikësimin nga partitë opozitare që pengojnë punimet normale të Kuvendit të Kosovës, si dhe sulmet e papranueshme fizike nga ana e aktivistëve të opozitës drejtuar kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë”, ka theksuar në raport sekretari Ban Ki-Moon, transmeton RTK.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë klasës politike të përmbahen nga retorika dhe veprimet që janë të papajtueshme me parimet dhe normat e një shoqërie të civilizuar dhe demokratike.
“Aktet e tilla dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione si dhe imazhin e Kosovës në botë. U bëj thirrje sidomos aktorëve politikë të opozitës që të përmbushin detyrat e tyre me përgjegjësi dhe pjekuri, duke respektuar plotësisht procesin demokratik dhe institucionet për të cilat janë zgjedhur”, ka thënë Ban Ki-Moon.
Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu ka përshëndetur ‘miratimin e shumëpritur të amendamentit kushtetues dhe ligjet e tjera për krijimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës,’ duke e quajtur këtë ‘një progres vendimtar për të demonstruar përkushtimin e Kosovës ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe llogaridhënies’. /tesheshi.com/