Qyteti i shqiptarisë në Maqedoni, Tetova, tash një kohë të gjatë renditet në listën e qyteteve mta ndryshë të ndotura në botë, gjegjësisht sipas Qendrës për Hulumtim të indeksit të ndotjes së ajrit Numbeo, Tetova renditet e para në Evropë, ndërsa e dyta në botë, pas qytetit të Avazit në Iran.
Si pasojë e kësaj është themeluar Lëvizja Eco Guerilla, që ka për mision ta ndryshojë këtë gjendje. Në krye të lëvizjes qëndron 35-vjeçari Arianit Xhaferi. Në intervistën eksluzive për tesheshi.com ai sqaron se katalizator i ambientit të ndotur në Tetovë është fabrika metalurgjike Jugohrom.
Dhe sipas Xhaferit dyshohet që me këtë fabrikë po luhen lojëra të flliqta politike, mosqoftë që pas saj të shpaloset edhe ndonjë skandal i ngjashëm me atë të Magyar Telekom. Andaj ai nuk përjashton mundësine e protestave radikale, nëse nuk ndërmeren masa urgjente për mbylljen definitive të kësaj fabrike…
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Arianit Xhaferi, një emër i zëshëm kohëve të fundit në opinion. Na thuani diçka për veten: nga jeni, cili është profesioni juaj?
Jam i lindur në Tetovë në vitin 1980, ku kam kaluar dhe pjesën më të madhe të jetës. Për momentin po udhëheq me një qendër për mësimin e gjuhëve të huaja në Tetovë, por deri tash kam ushtruar edhe profesione tjera. Kam punuar në një shtypshkronjë, në një bar, një kohë të gjatë kam kaluar në Lindjen e Mesme ku kam qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Departamentit të Mbrotjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Meqë edhe jeni banorë i qytetit të Tetovës, çka po ndodh me këtë qytet, pse është aq i ndotur ambient ku jetoni?
Tetova tash një kohë më të gjatë është shënuar në listën e qyteteve më të ndotura në Botë. Është për të ardhur keq që administrata aktuale e komunës pati premtuar (gjatë fushatës) se do e ketë prioritet shndërrimin e Tetovës në qytetin më të pastër në vend, ndërkohë që ne u shpallëm zyrtarisht qyteti më i ndotur në botë.
Ndotësi më i madh mbetet fabrika Jugohrom e cila punon pa kurrfarë filtrash ekologjikë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e RM. Në këtë problem kontribojnë dhe faktorë të tjerë, siç është prezenca e një deponie në hyrje të qytetit ku shpeshherë raportohet se digjen mbeturinat gjatë natës (por edhe gjatë ditës). Shumica e amvisërive në Tetovë gjatë dimrit ngrohen me dru si rezultat i çmimit tepër të lartë të energjisë elektrike, por ka rrezik të ketë dhe të tillë që mund të përdorin dhe qymyr ose derivate tjera ndotëse, megjithëse nuk është raportuar nga autoritetet të jetë kapur ndonjë subjekt që tregton me derivate të tilla të rrezikshme.
Tetova nuk ka transport urban dhe kjo detyron shumicën e qytetarëve që të lëvizin me makinat personale gjë që edhe më tepër e rëndon situatën. Kaosi urbanistik sa i përket ndërtimeve pa parkingje, por edhe të rradhitura në një formë që pamundësojnë qarkullimin e erës dhe ajrit, është po ashtu problem. Mungesa e hapësirave të gjelbërta në qytet bie në sy shumë. Njësoj problem është mungesa e vetëdijes qytetare tek shumica që djegin mbeturinat në kopësht, në vendin e punës, në hapësira publike… d.m.th ndotja e ajrit në Tetovë është një problem shumë kompleks për zgjidhjen e të cilit asnjë nga autoritetet nuk angazhohet seriozisht, ndërkohë që sektori civil (Eco Guerilla) po bën të pamundurën të alarmojë dhe të informojë qytetarët mbi rreziqet e ndotjes.
Si rezultat i ambientit të ndotur në Tetovë, është formuar edhe Lëvizja Eco Guerila. Përse quhet kështu dhe cili është roli i saj?
Si nismë u organizuam në fund të vitit 2013 dhe atëherë quheshim “Këshilli për organizimin e protestave kundër ndotjes kancerogjene”. Kishim krijuar një grup të vogël sekret në facebook ku koordinonim lëvizjet, këmbenim mendimet e përvojat, dhe atë grup e quajtëm Eco Guerilla. Kur këtë nismë e regjistruam si organizatë në regjistrin qendror, vendosëm që edhe zyrtarisht organizatën ta emërojmë Eco Guerilla. Mbrotja e mjedisit është sfida kryesore e shekullit 21, dhe ne besojmë që përpjekjet për ta mbajtur mjedisin të pastër janë një lloj lufte kundër atyre që e shkatërrojnë mjedisin, dmth shtetit, korporatave, njerëzve të papërgjegjshëm që përfitojnë nga masakrimi i pyjeve, nga ndërtimet gjigande nëpër male, etj. Mua më ka rënë për hise të jem udhëheqës i kësaj nisme, dhe kam detyrën e kryetarit të organizatës të cilën ma kanë besuar miqtë e “Këshillit”.
Cilët kanë qenë veprimet e kësaj Lëvizjeje në drejtim të përmirësimit të ambientit, që po e vuajnë qytetarët e Tetovës nga Jugohromi?
Eco Guerilla dallon nga organizatat “mainstream” ekologjike, sepse ne nuk funksionojmë sipas parimit të financimit me grante. Ne jemi një grup vullnetarësh që jemi përkushtuar të dedikojmë kohën tonë, mundin tonë por dhe paratë tona për këtë çështje jetike për qytetarët e Tetovës. Nisur nga kjo, ne nuk merremi me “projekte jeshile” siç bëjnë shumica e organizatave që marrin një fond të majmë, grumbullojnë dy-tre letra nga një çerek parku diku, bëjnë 50 fotografi, dhe e quajnë projekt të suksesshëm. Ajo që bëjmë ne është ngritja e vetëdijes së qytetarit për mbrojtjen e mjedisit, por më e rëndësishmja, gjetja e fajtorit (qoftë tek biznesi apo tek politika) dhe kërkimi i përgjegjësisë nga vet ata. Pra, funksionojmë si një grup presioni më shumë se sa organizatë ekologjike.
Kemi organizuar panele të ndryshme me ekspertë e profesionistë që i kanë rënë këmbanës së alarmit për ndotjen e lartë, pastaj në momentin që i kemi kërkuar dorëheqjen Nurhan Izairit, organizuam një aktivitet për grumbullim fondesh për t’i siguruar një rrogë që të largohej nga Ministria ku s’bën punë, me 28 Nëntor 2014 ju ofruam deputetëve dhe ministrave shqiptarë maska mbrojtëse, që t’i mbrojmë ne ata përderis ata nuk janë të interesuar të na mbrojnë neve, kemi organizuar një mini-protestë, si tip ekskurzioni me një grup të caktuar njerëzish përpara fabrikës Jugohrom në Jegunovcë, që ta shohin nga afër problemin dhe më pas ta shpërndajnë të vërtetën larg e më larg, por kemi organizuar dhe protesta e marshe masive të cilat kanë gjetur hapësirë për t’u raportuar edhe në media ndërkombëtare si Los Angeles Times, Voice of America, Al Jazeera, etj. Kemi plane që edhe këtë nëntor ta shënojmë në kalendar si i turpshëm për të zgjedhurit tanë, dhe si hap përpara i qytetarëve të Tetovës në luftën e tyre të drejtë për të marrë frymë.
A nuk është për t`u habitur fakti se si po i reziston Jugohromi të gjitha kritikave të qytetarëve, po edhe ministrit të Ekologjisë Nurhan Izairi, i cili deklarativisht ka pranuar që Jugohromi është katalizatori i ndotjes së ajrit, dhe ende kjo kompani vazhdon veprimtarinë e saj? Si duket ka ndonjë prapavijë politike kjo puna e Jugohromit?
Sipas vlerësimit të juristëve, Jugohrom po thyen 3 nene të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, 3 nene të Kodit Penal, 51 nene të ligjit për ajër ambiental dhe ligjit për mjedis të pastër jetesor, si dhe është në kundërshtim të plotë më Konventën e Aarhusit të cilën RM e ka nënshkruar dhe është zotuar ta implementojë. Jugohromi po mbrohet nga qeveria sikur të ishte specie në zhdukje, si ari polar. Nurhan Izairi është zhveshur nga çfarëdolloj kompetence ose autoriteti në dikasterin që (mendon se) udhëheq dhe ai s’pyetet fare kur vjen puna tek Jugohrom.
Është më se e sigurtë që ka ndonjë prapavijë politike, por ne dyshojmë dhe në afera korruptive të qeverisë, funksionarëve të saj dhe disa deputetëve aktualë në lidhje me çështjen Jugohrom, ndryshe nuk ka si spjegohet heshtja e pjesës më të madhe të deputetëve tanë (qofshin BDI, PDSH, por edhe tek pala maqedonase) në lidhje me këtë çështje. Nuk besoj se dikush do habitej nëse nuk do shpërthentë një aferë e ngjashme si ajo e Magyar Telekom.
Tetova renditet në vendin e parë në Evropë, dhe të dytin në Botë pas qytetit Ahvaz nga Irani për nga indeksi i ndotjes së ajrit sipas Numbeos. Kjo paraqet rrezikshmëri të lartë dhe kërcënim për sëmundje të rënda të qytetarëve. A i keni informuar për këtë gjendje ndonjërën nga ambasadat ose organizatat ndërkombëtare, që t’iu vihen në ndihmë dhe ta gjejnë një kompromis me qeverinë për mbylljen e Jugohromit?
Ne kemi kontakte të vazhdueshme me shumë ambasada në vend. Jemi takuar më shkëlqesinë e tij, z. Charles Garrett, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në RM, i cili është informuar gjërë e gjatë mbi këto çështje, shkëlqesia e tij, z. Jess Bailey, Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni poashtu është informuar direkt nga ana e jonë edhe përmes një letre, por edhe në takim sy më sy. Kemi patur takim edhe me z. Hoyt Yee i cili është zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Europë dhe Azi i cili poashtu është njohur.
Kemi takuar dhe ambasadorë ose përfaqësues të shumë ambasadave tjera prezente në Maqedoni dhe në rajon, dhe të gjithë janë të informuar me përpjekjet tona, dhe papërgjegjësinë e të zgjedhurve tonë. Së fundmi kemi patur takim me dy eurodeputetë të Partisë së Gjelbër, të cilët poashtu kanë dhënë përkrahje për këtë mision. Gjithë këto takime bëhen me qëllim që prezenca diplomatike në vend të shfrytëzohet si urë komunikimi midis nesh dhe të zgjedhurve tanë të cilët janë rreth nesh gjatë zgjedhjeve, dhe më pas zhduken e s’të hapin as telefonin të të dëgjojnë hallin.
Ka ndonjë të dhënë mbi atë se ndokush ka ndërruar jetë, si pasojë e ndotjes së ajrit në Tetovë? Si varijojnë këto të dhëna?
Nuk kemi dëgjuar të jetë kryer një hulumtim i tillë në Tetovë, por edhe po të kishte një studim nuk besoj që do i publikonin të dhënat. Ndotja e ajrit është shkaktar për miliona vdekje në mbarë Botën, dhe sigurisht që Maqedonia nuk mbetet prapa në këtë drejtim. Studime që ndërlidhin shumë sëmundje të zemrës, frymëmarrjes, qarkullimit të gjakut (etj) me ajrin e ndotur janë kryer në vende tjera, siç janë Kina, Vietnami, Kroacia, etj – dhe në të gjitha rastet ka patur ndikim ajri i ndotur tek sëmundjet në fjalë. Duke qenë se organizmi i shqiptarit, maqedonasit, turkut, apo kujtdo tjetër që jeton në Tetovë (e në Maqedoni në përgjithësi) është i ngjashëm me organizmin e kinezit, vietnamezit, kroatit (etj), besoj që pikat mbi i vendosen shumë lehtë në këtë rast, edhe në mungesë të një studimi të kryer tek ne.
Nëse nuk arrini të gjeni ndonjë kompromis mes qytetarëve, qeverisë dhe fabrikës së Jugohromit për zgjidhjen e kësaj problematike me ndotjen e ambientit jetësor, atëherë cili është mekanizmi juaj i fundit, ndonjë protest radikale ose?
Për fat të keq protesta do ketë. Nuk përjashtohet mundësia të ketë dhe demonstrata. Ne po shpresonim që qeveria, deputetët, e gjithë kjo garniturë politike do mbushet me mend, dhe do vendosë që në këtë betejë të vendoset në anën e qytetarëve, dmth në anën e atyrë që i zgjedhin, që i paguajnë me tatimet e tyre, e që ju japin legjitimitet. Por duke qenë se të zgjedhurit tanë kanë zgjedhur të bëjnë rolin e avokatit për ata që na helmojnë, neve nuk na mbetet mundësi tjetër përpos se të marrim në dorë fatin tonë, në çfarëdo mënyre që të jetë e nevojshme sepse është për të ardhmen e fëmijëve tanë, për shëndetin e tyre, për jetën e tyre. /tesheshi.com/