Nga Musa Mustafa
Ja arsye përse spastrimi etnik nga ana e serbëve në veri të Mitrovicës është shumë i lehtë, turpi i Qeverisë së Kosovës që pas përfundimit të luftës në Kosovës është
Shkolla “Aziz Sylejmani”, është e vetmja e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, e ndodhur në lagjen Kodra e Minatorëve.
Dhe për të, shteti i Kosovës, qeveria e Prishtinës, kanë shumë arsye për ta mbajtur në këmbë, të plotë, të rregullt, me kushte komode dhe rrjedhimisht përplot më nxënës e mësues. Por kjo nuk po ndodh. Mjaft të thuhet se shkolla është tashmë diçka e sajuar më kontenierë dhe me një barakë të improvizuar.
“Kushtet për zhvillimin e procesit mësimor në shkollën “Aziz Sylejmani”, janë shumë pak të quhen të mjerueshme, ato janë katastrofale”, thotë drejtori i saj, Flamur Gacaferi.
Sipas tij, që pas përfundimit të luftës në Kosovë një grup aktivistësh të lagjes Kodra e Minatorëve me vetë iniciativë janë organizuar dhe kanë filluar të improvizojnë një shkollë duke ndërtuar një barakë me dy dhoma mësimië e më pastaj aty janë sjell edhe dy kontenierë.
“Të vetmet mjete të konkretizimit që i kemi në shkollë janë shkumësi dhe dërrasa, pra nuk ekziston asnjë mjet i konkretizimit”, shton drejtori i dëshpëruar për fatin e shkollës.
Por nuk janë vetëm kushtet, sepse është dhe serbi nga ana tjetër që nuk të lë rehat.
“Kohë pas kohe këtu kemi edhe provokime nga ane e grupeve të ndryshme të serbëve. Kohë më parë, persona të panjohur kanë thyer dyert e shkollës dhe kanë shkruar simbole çetnike në tabelat nëpër klasa. Mbishkrimi “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm bashkimi e shpëton Serbinë”, “Srbia srbima” (Serbia serbëve), janë të shkruara nëpër tabelat e klasave të kësaj shkolle, duke vizituar kryqe dhe katër ‘S’”, ka thënë i pari i shkollës “Aziz Sylejmani”.
Gacaferi ka shtuar më tej se për shkak të kushteve të vështira dhe problemeve të sigurisë, prindërit po hezitojë që t’i sjellin fëmijët në të vetmen shkollë shqipe në veri të Mitrovicës, duke i dërguar ata me shumë mund në shkollat në jug të Mitrovicës.
“Pastaj, pasi që fëmijët po i dërgojnë në shkollë në jug për shkak të kushteve të vështira të shkollës në veri dhe mosinteresimit fare nga institucionet qendrore të Kosovës, edhe familjet po shpërngulen në jug të Mitrovicës, kështu që po bëhet edhe një spastrim etnik i qetë i veriut të Mitrovicës”, ka thënë Gacaferi.
“Për shkak të kushteve të vështira, tani shkolla ‘Aziz Sylejmani’ numëron vetëm 22 nxënës dhe, me këtë trend dyshoj se shumë shpejt kjo shkollë nuk do të ketë asnjë nxënës, pasi të gjithë do të shpërngulen në jug të Mitrovicës”, shton ai, sipas së cilit nëse objekti shkollor do ishte në një nivel më të mirë, edhe numri i nxënësve në këtë shkollë do të rritej pasi që prindërit më nuk do t’i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat e jugut por do t’i sillnin aty.
Më tej, Gacaferi shton se shkolla të gjithë mësimdhënësit i ka nga jugu i Mitrovicës, që udhëtimi i tyre për në veri është shumë i vështirë e me rreziqe për sigurinë vetjake, ndërkohë qëdhe transporti që ka ekzistuar është ndërprerë këtë vit shkollor.
“Dhe nëse situata e sigurisë në veri përkeqësohet, atëherë arsimtarët dhe mësuesit do e kenë të pamunduar që të vijnë në shkollë”, ka thënë drejtori.
Gjithsesi, Gacaferi është optimist se institucionet arsimore të Kosovës do bëjnë diçka për ta shpëtuar këtë shkollë, për t’i kthyer dinjitetin asaj, por dhe të investojë në të në emër të mbajturit të pashuar të elementit shqiptar në veri të Mitrovicës, përlundër dëshirës dhe strategjisë së serbëve për ta pastruar tërësisht prej shqiptarëve. /tesheshi.com/