Duket paradoksale e si trill njëherësh, por në dhjetor të vitit 1946, ndërsa zhdukej çdo kundërshtar i komunistëve, pas muajve të vështirë të kryengritjeve antikomuniste në verën e po atij viti në veri të vendit menëjherë pas nënshtrimit të kryengritjes së Postribës dhe dënimeve me vdekje dhënë në gjyqin special, kryeministri Enver Hoxha kishte dërguar në presidiumin e Kuvendit Popullor një ligj për krijimin e partive politike, i cili parashikonte në detaje se si do të krijoheshin partitë e reja, deri te deklarimi i të ardhurave financiare, apo si duhet të administronin ato.
Ligji me numër 370 ishte dekretuar në Presidiumin e Kuvendit Popullor me 6 dhjetor 1946 dhe parashikonte veç krijimit të partive politike edhe krijimin e “shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj…”
E ndërsa në nenet e para bën habi se si diktatori i ri artikulon krijimin e partive të tjera politike, thelbin e këtij ligji e zbulon në nenin 7 të tij, ku kuptohet se ky ligj po dekretohej për të mos lejuar krijimin e asnjë partie tjetër veç asaj që instaloi regjimin komunist.
Ndërsa citohej se çdo kërkesë për formimin e partive të reja do të dërgohej në Ministrinë e Brendshme, në nenin 7 shkruhet se: “Organet shtetërore kompetente do të ndalojnë formimin dhe veprimtarinë e partive politike që kanë për qëllim të ndryshojnë ose rrëzojnë rendin konstitucional të Republikës Popullore të Shqipërisë, ose kanë karakter antidemokratik, ose janë të organizuar në bazë fetare, ose kanë për qëllim dhe shërbejnë për të mbjellur urrejtje dhe grindje në mes të kombësive, racave dhe feve. Gjithashtu ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie politike kur themelonjësit ose ata që bëjnë pjesë në kryesinë e saj, frymëzohen nga parimet e përmendura më sipër..”.
Më poshtë e sjellim të plotë ligjin me nenen mbi formimin e partive politike dekretuar në 6 dhjetor 1946.
Republika Popullore e Shqipërisë
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Dekret
Nr.241 datë 6 dhjetor 1946
Presidumi i Kuvendit Popullor
Në mbështetje të art.54 Nr.5 të Statutit të republikës Popullore
Pasi u votua nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë
Shpall
Dekreton
Ligjën Nr.370 datë 6.12.1946 mbi formimine partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj, dhe mbi mbledhjet publike me titull e përmbajtje si vijon:
Ligjë Nr.370 Datë 6.12.1946 mbi formimin e partive politike dhe shoqatave Kulturale, shkencore, profesionale etj dhe mbi mbledhjet publike.
Kapitulli i I
Dispozitë e Përgjithshme
Neni 1
Për zhvillimin e aktivitetit politik, kultural e shoqëror të masave të gjera të popullit, shtetasve të Republikës Popullore të Shqipërisë ju garantohet e drejta që të formojnë parti Politike dhe shoqata kulturale, shkencore, profesionale, sportive, etj.
A Parti politike
Neni 2
Veprimtaria e partive politike ose t’organizatave politike mund të shtrihet në rrethin e një ose më shumë Prefekturave ose në gjithë Shqipërinë.
Neni 3
Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti politike detyrohen ti drejtojnë një kërkesë organit shtetëror competent duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statitin e Partisë së tyre.
Neni 4
Kërkesa për formimin e një partie politike duhet të nënëshkruhet të paktën nga 50 zgjedhës kur veprimtaria e kësaj partie do të shkrihet në rrethin e një ose dy Prefekturave dhe nga 100 zgjedhës kur veprimtaria e saj do të shtrihet ën rrethin e tre ose më shumë Prefekturave ose në gjithë Shqipërinë.
Neni 5
Kërkesa për formimin e një partie politike i drejtohet Ministrisë së P.brendshme, e cila kur konstaton mungesa formale, u’a kthen paraqitësave për t’i plotësuar ose korrigjuar.
Neni 6
Ministrija e P. të Brendshme duhet brënda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës, të aprovojë ose refuzojë formimin e partisë politike.
Në rast se brenda këtij afati nuk është marrë ndonjë vendim atëherë kërkesa konsiderohet si e pranuar
Neni 7
Organet shtetërore kompetente do të ndalojnë formimin dhe veprimtarinë e partive politike që kanë për qëllim të ndryshojnë ose rrëzojnë rendin Konstitucional të Republikës Popullore të Shqipërisë, ose kanë karakter antidemokratik, ose janë të organizuar në bazë fetare ose kanë për qëllim dhe shërbejnë për të mbjellur urrejtje dhe grindje në mes të kombësive, racave dhe feve. Gjithashtu ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie politike kur themelonjësit ose ata që bëjnë pjesë në kryesin e saj, frymëzohen nga parimet e përmendura më sipër.
Neni 8
Kundra vendimit të Ministrisë së P. të Brendshme, mbi refuzimin e kërkesës për formimin e një partie politike ose mi ndalimin e vazhdimit të veprimtarisë së saj, mund të bëhet ankimi brënda 15 ditëve që nga dita e njoftimit të vendimit, përpara Gjykatës së Lartë të republikës Popullore të Shqipërisë që vendos në formë të prerë brënda 15 ditëve.
Ankimi i dërgohet Gjykatës së Lartë me anën e Ministrisë së P.Brendshme.
Neni 9
Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie politike as të jenë anëtar të saj shtetasit e huaj si dhe shtetasit shqiptarë që nuk gëzojnë të drejtën e votës.
Neni 10
Rregullorja ose statuti i Partive politike duhet të përmbajë emërin e Partisë, angazhimin e brëndshëm, burimin e mjeteve materiale që do të përdorë për zhvillimin e veprimtarisë së saj dhe selinë e saj.
Neni 11
Çdo parti politike detyrohet të çpallë nëj herë në vit burimin, sasinë dhe përdorimin e të ardhurave të saj.
Neni 12
Partisë politike janë persona juridike. Ato mund të kenë pasuri të patundshme të nevojshme për qëllimet e Partisë, lokale për mbledhje dhe shtypin e tyre. Këto parti administrojnë të ardhurat që rrjedhin nga pagimi i kuotave të antarësisë si dhe nga burime të tjera të ligjshme. /tesheshi.com/