I dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka patur të lexuar gëzimin nga vendimi i Kushtetueses së Kosovës, e cila i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatimin e Abdullah Hotit si kryeministër të ri, gjë që do të thotë se Albin Kurti s’mund të vijojë më të drejtojë qeverinë.
Grenell, për objektivat e të cilit, më saktë të SHBA, Kurti ishte një pengesë, tha se mezi pret që të punojë me qeverinë e re.
“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin – dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës – të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në një reagim të tij.
Që nga emërimi në pozitën e të dërguarit special të SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Grenell ka qenë kritik nga qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, nga e cila kërkonte me ngulm heqjen e tarifës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, e gjithashtu heqjen e kushtit të reprocitetit, diktuar nga Kurti.
Kërkesave të Grenelli iu përgjigjej vetëm LDK-ja, e cila tashmë që do ketë në dorë qeverisjen, pritet të zbatojë çdo direktivë amerikane, për të cilat Kurti kishte rezerva. /tesheshi.com/