Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, e enjtja ka qenë një prej ditëve me më shumë viktima në Halep që prej nisjes së ofensivës së forcave të regjimit sirian më 15 të këtij muaji.
Më së paku janë vrarë 32 civilë ditën e djeshme, pesë prej të cilëve fëmijë, nga sulmet ajrore dhe nga bombardimet e artilerisë mbi pjesën lindore të qytetit, që është nën kontrollin e kryengritësve.
“Pati një përshkallëzim në mbrëmje, me bombardime të njëpasnjëshme. Ka shumë trupa dhe njerëz të plagosur nën rrënoja,” do t’i deklaronte agjencisë së lajmeve AFP drejtuesi i organizmit të mësipërm, Rami Abdel Rahman.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një ndjekës nga afër i zhvillimeve në Halep, raporton për më e pakta 188 civilë të vrarë, 27 nga të cilët janë fëmijë, gjatë këtyre dhjetë ditëve të mësymjes së regjimit të Beshar Esadit.
Ndërkaq, Helmetat e Bardha e paraqesin alarmante situatën humanitare në pjesën lindore të Halepit. Drejtuesi i tyre thotë se banorët e kësaj pjese të rrethuar të qytetit në më pak se dhjetë duhet të marrin ndihma, përndryshe rrrezikojnë të vdesin nga uria dhe nga mungesa e medikamenteve mjekësore.
“Nuk mund ta imagjinoni si është situata,” i tha Raed al-Saleh agjencisë Reuters.
Halepi, e posaçërisht pjesa lindore e tij, është prej kohësh vatra më e ndezur e konfliktit shumëvjeçar sirian. /tesheshi.com/