Ambasada e Katarit në Tiranë ka vendosur që të anullojë një pritje të planifikuar për Ditën Kombëtare të saj, e kjo për shkak të situatës së rëndë humane të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit.
Nisur nga rrethanat e jashtëzakonshme e të vështira që po kalon Shqipëria për shkak të gjendjes së krijuar nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, Ambasada e Shtetit të Katarit në Republikën e Shqipërisë vendosi të anulojë Pritjen me rastin e Ditës Kombëtare që do të mbahej ditën e Mërkurë më 11.12.2019, në shenjë solidariteti me Republikën e Shqipërisë dhe popullin mik shqiptar dhe në respekt të viktimave të tërmetit.
Shteti i Katarit qëndroi në krah të Shqipërisë dhe popullit shqiptar që prej ditës së parë të këtij tërmeti, duke ofruar ndihma urgjente – në koordinim të plotë me autoritetet lokale – për të dëmtuarit në zonat e prekura në bashkitë Tiranë, Durrës, Thumanë, Vorë dhe Kavajë.
Ambasadori i Shtetit të Katarit z. Ali bin Hamad Al Marri, ka kryer disa vizita inspektuese në zonat e prekura, nën direktivat e Lartësisë së tij Emirit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ku mbikqyri nga afër shpërndarjen e ndihmave nga Fondi i Katarit për Zhvillim në bashkëpunim Qatar Charity.
Ai shprehu ngushëllimet e tij për viktimat e tërmetit, dhe konfirmoi solidaritetin dhe qëndrimin e Shtetit të Katarit përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.
Eshtë ky një akt i paprecedent për mënyrën se si një vend po cenon dhe axhendat diplomatike, duke vënë në plan të parë situatën humane, e kjo dy javë pas tërmetit.
Ndërkohë, ambasadori Ali bin Hamad Al Marri, ishte ndër të rrallët ambasadorë të huaj që “zbriti në terren” për të parë nga afër pasojat tragjike. /tesheshi.com/