Në një prognozë politike, gazetari i njohur Bedri Islami hedh dyshime se pas gjithë situatës së trazuar në Shqipëri, qëndrojnë shërbimet serbe. Në një shkrim të përditshmen DITA, Islami shprehet se “Rifillimi i fushatës është tërësisht i komanduar dhe qëllimi është heqja e frikës nga shteti. Fushata e re me “alarme bombash”, synon ta bëjë shtetin të prekshëm, të zakonshëm, të vdekshëm dhe mbi të gjitha, të poshtërueshëm. Aktorët e fushatës mund të jenë të shumtë, por janë të gjithë me angazhim politik. Ata mund të jenë gardistë të liruar, policë të transferuar, trafikantë droge të prekur nga aksionet anti-drogë, pse jo dhe njerëz të frustruar nga përpjekjet për një disiplinë shtetërore në shoqëri, por komanda e fillimit të fushatës është politike.
Këto ditë u botua një lajm i çuditshëm, me burim shërbimet sekrete serbe, të cilat, pa asnjë lloj droje pohojnë se sot “janë më të fortë se kurrë” në Kosovë dhe në viset shqiptare, qysh nga viti 1999, që ishte edhe viti i dëbimit të tyre.
Në momentin e parë, kur ndjek gjithë këtë zallamahi, mendimi i parë të shkon në pyetjen më normale në botë: Kush përfiton prej saj? Dhe, pa dashur të ndjehem si paranojak: Kush qëndron pas saj?”
Sipas gazetarit Islami, shërbimet serbe kurrë nuk rreshtin së punuari që në Shqipëri mos ketë kurrë stabilitet politik dhe social. Madje as në Kosovë. Dhe shumë zhvillime negative të atjeshme, i sheh brenda së njëjtës skemë, për ta mbajtur nën tension dhe nën stres shoqërinë shqiptare.
Ja ç`shkruan ai: “Kohët e fundit, saktësisht në fillimin e muajit janar, figura të strukturave të fshehta të shërbimit sekret serb kanë vizituar Kosovën, e disa prej tyre edhe Tiranën. Ndonjëri prej tyre ka qenë i shoqëruar edhe me njerëz të botës së biznesit dhe janë paraqitur si të tillë. Në Kosovë është shkuar edhe më tej: gjërat kanë qenë më hapur, sepse edhe rrjeti i tyre është më i shtrirë”.
Islami kritkon opozitën në Shqipëri, që sipas tij nuk po gabon pse proteston, por sepse nuk distancohet dhe nuk shprehet kundër një vale ankthi që po e shkaktojnë si shpërthimet e pajustifikuara me tritol, e aq më tepër “lojrat” e fundit me alarme false për bombë. /tesheshi.com/