Është poet, prozator, kritik letrar. e së fundmi ka filluar të shkruan edhe opinione, por më shumë kënaqësi shkruan poezinë dhe prozën. Temat të cilat i shtjellon në poezi janë: jeta, vdekja, drita, errësira, dashuria etj. Ky është Imer Topanica një poet i ri dhe shumë premtues për lexuesit e poezisë, prozës etj. Në një intervistë për portalin “tesheshi.com” ai flet për fillimin e tij si poet, nuk dëshiron të flet për librat e tij, atë ua lë kritikëve dhe lexuesve të librit; flet për shkrimtarët e tij të preferuar, po ashtu flet edhe për lidhjen e letërsisë me politikën.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Topanica ju keni studiuar për letërsi, hapat tuaj, dëshira për të qenë kritik letrar, poet, shkrimtar, lindi gjatë studimeve apo ju këtë e keni dashur qysh më herët?
Përpjekjet e para kanë qenë aty diku, kah fundi i periudhës së shkollës së mesme. Natyrisht, bëhet fjalë për orvatje jo aq serioze. Por poezia e parë, m’është botuar në një revistë jetëshkurtër letrare ‘Oaza’, në vitin 2006-të, gjatë kohës sa isha student i letërsisë. Atëbotë, drejtori i Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë, z. Sylejman Pireva, që ishte njëkohësisht edhe iniciatori e themeluesi i kësaj reviste, më ofroi gjithë përkrahjen e mundshme, për ç’gjë i jam mirënjohës edhe sot e kësaj dite.
Ju keni botuar romani “Udhëtarët”, a mund të na tregoni se cila është materia e këtij libri?
Nuk preferoj të flas në lidhje me librat e mi. Duket që duhet t’i qëndrojmë besnik këshillës së Umberto Eco-s: “Autori duhet me vdekë sapo ta ketë përfundue së shkruemi librin, në mënyrë që mos me i qitë telashe udhëtimit të tij.” Edhe nëse janë shumë të rrallë zërat që flasin rreth librave të mi, kërkoni, fundja ata janë përgjigjja e vetme e sinqertë.
Mirë, por a mund të na thoni, te libri “Tufë Drite”, kujt i kushtohen më shumë këto poezi?
Ju pothuajse, e keni përsëritur të njëjtën pyetje. Kjo domethënë që ju insistoni të dini diçka rreth relacioneve të mia si autor dhe teksteve që i kam shkruar. Kjo është normale. Ka mjaft shpjegime nga e kaluara (e ndoshta edhe sot e kësaj dite mund të gjejmë të tilla), të cilat punën e një shkrimtari e cilësojnë si një lloj misteri, një lloj enigme dhe ndoshta kjo është arsyeja që të tjerët shfaqin kureshtje. E vërteta është që, s’ka asgjë të pazakontë në një punë të tillë.
Në qoftë se në rrobat e punës së një kopshtari, duket normale të gjinden fara lulesh, ndonjë gjethe etj, njashtu në gjepat e mendimeve tona ka fjalë të zakonshme, të pazakonshme, që s’janë veçse farat e para për një tekst, poezi, tregim etj. Duke qenë kështu, duke qenë që vet autori është një lexues i tekstit të vet, ato u kushtohen të gjithëve, duke përfshirë edhe vetveten. E kupton? Kjo na jep ndjesinë se jemi duke e kryer një detyrim, se jemi misionarë që po e kryejmë misionin për të cilin jemi ngarkuar e zotuar. Pra u kushtohen të gjithëve por më së shumti flasin për dashurinë, jetën.
Temat që preferoni t’i shtjelloni më shumë në poezi, cilat janë?
Jeta, vdekja, drita, errësira, dashuria etj, këto tema universale. Po fundi i fundit ç’rëndësi ka ç’temë trajton? Një tregim, poezi a një vepër e tërë bëhet e rëndësishme për lexuesin për shkak të mënyrës se si trajtohet tema përbrenda saj. S’ka temë të keqe a të mirë thonë disa, të gjitha janë të rëndësishme
Cilët shkrimtarë kanë ndikuar më shumë në personalitetin dhe në formimin tuaj?
Ka shumë, ka shumë. Madje kur mendoj për shkrimtarët e mi të preferuar, kujtoj sa pak i meritoj këto epitete, si fjala vjen shkrimtar ose poet. Homeri, Rumiu, Hafiz Shiriazi, Shekspiri, Gëte, Kahlil Gibran, Tomas Transtromeri, Martin Camaj, Frederik Reshpja etj, janë vetëm disa prej tyre. Veçanërisht më ka impresionuar poezia orientale, poezia e lindjes së largët, më pëlqen Haiku Japonez, por nuk mendoj që vetëm këto ndikojnë në personalitetin e një njeriu, pra që të përfundoj si shkrimtar. Esenciale është ta kuptosh se ke arritur shkallën kur të krijohet ndjesia sikur të vetmet armë që i ke në dorë për të luftuar, janë shkronjat. E kam pranuar dhe jam pajtuar me këtë fat, prej kohësh.
Si arrini të shkruani aq thjeshtë dhe të prekni zemrat e atyre që ju lexojnë?
Nuk e di nëse mbërrij të shprehem thjesht. Nëse thjeshtësia do të cilësohej si një veçori e stilit tim, do të isha i kënaqur. Por për këtë duhet të pyeten lexuesit.
Ju gjejmë shpesh edhe në rubrika opinionesh, trajtoni tema rreth politikës, gjendjes sociale e kulturore, ç’lidhje ka letërsia me politikën?
Shkrimtarët janë pjesë e ndërgjegjes së një shoqërie, mendojnë disa. Por që vepra letrare është një medium, një rrugë tjetër, pak më e veçantë se rrugët e tjera, kjo s’ka dyshim. Pra kjo rrugë, nëpër të, zgjohet dhe artikulohet zëri i ndërgjegjes së shoqërisë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që nofullat e letërsisë janë aq të forta sa mund t’i përtypin temat rreth politikës, temat historike, filozofike etj. Letërsia, nëse mund të themi, nuk ka respekt për këto fusha. Ajo ju hyn në hise por produkti që ua servon lexuesve të saj, është krejtësisht tjetër. Pra pika e parë ku takohet politika dhe letërsia duhet të jetë vet natyra e letërsisë.
Pika tjetër, më e rëndësishme është kjo, në rastin tonë është kjo se: shkenca e kultura në përgjithësi, si dhe produkti letrar në veçanti, është trajtuar keq përbrenda kësaj periudhe dekadente që prej përfundimit të luftës e deri sot. Në këtë mënyrë, më shumë se kushdo tjetër, e kemi ndie barrën e kësaj dekadence. Në këto kushte, nuk mund ta paramendosh një shkrimtar që hesht kundrejt zhvillimeve politike që ndodhin sot në vend. Siç nuk mund ta paramendoj një shkrimtar, (i cili gjithsesi duhet të jetë një opozitë e çdo pushteti sepse gjithmonë ka vend për të menduarit kritik), tek ua lëmon qimet këtyre të fundit. A s’e thamë që ata duhet të jenë pjesë e ndërgjegjes së shoqërisë?
Ç’ka të ofron kënaqësi më shumë poezia, proza, kritika apo opinionet?
Ju thash që e kam filluar te ‘Oaza’ me disa poezi e tregime, disa vite më pas edhe me kritikë. E me opinionin tim, lexuesi ka pasur rast të njihet tek tash, vonë. Dy të parat i shkruaj me qejf, në kritikë e vështrime/opinione, jam sprovuar për shkak të rrethanave. Por ju pyetët për kënaqësinë që ndjejë? Fjala e duhur do të ishte, lehtësi. Ndjejë njëfarë çlirimi kur një libër, një tekst, çfarëdo qoftë, konsideroj që e përfundoj.
Poetët më shumë i recitojnë njëri tjetrit sesa masës, shikuesve. Pse ndodh kjo? Pse mungojnë shikuesit në orët letrare?
Lexuesi i poezisë është lexues më i rrallë. Kjo sepse, teksti letrar, poezia, nuk është një produkt që mund të përtypet me lehtësi nga të gjithë. Teksti letrar është një variacion më specifik i formave të komunikimit. Jo gjithsecili mund ta kuptojë poezinë, artin dhe pikërisht për shkak se këto janë nivele më të larta të komunikimit, recipientët janë më të paktë. Megjithatë, nuk mendoj që ky është një perceptim i saktë. Numri i lexuesve të letërsisë, nuk është i vogël, kam përshtypjen që është një numër në ngritje.
A ka kritikë të mirëfilltë letrare?
Ka, por mungon si të thuash, “infrastruktura” e duhur që do ta ruante mirëqenien e saj. Ka pak mediume ose aspak, që janë të interesuara që t’i promovojnë produktet artistike. Kjo do të thotë që hapësirat për kritikët, janë të vogla. Politikat redaktoriale të mediumeve të shtypura dhe atyre elektronike, nuk janë duke shkuar drejt krijimit të këtyre hapësirave të dedikuara për kritikë letrare. Artin sot e identifikojnë rubrikat rozë dhe kjo është pasojë e dekadencës disavjeçare, për të cilën folëm më lart. E për sa kohë të qëndrojnë punët kështu, kritika letrare do t’i ketë punët keq.
Disa thonë se sot për librin bëhen vetëm lavdërime, nuk bëhet kritikë. A pajtohesh me këtë?
Kjo është një dukuri e zakonshme dhe siç e thamë, është pasojë e hapësirave adekuate nëpër mediume. Po të ekzistonin këto hapësira, kritikëve letrarë, do tua falnin pavarësinë e munguar. Sot për sot, ata varen drejtpërdrejtë nga autorët ose sponsorisuesit e tyre. Fundja, kështu e sigurojnë ekzistencën. Por ka ndonjëherë raste, ndonëse rrallë, kur ne hasim në kritika të mirëfillta, të pandikuara të cilat do të duhej të merreshin si model për të gjithë.
A presin lexuesit ndonjë libër të ri nga ju?
Jam duke punuar në disa projekte, e një Zot e di se cilin do të arrijë ta përfundoj të parin. Shpresoj që nuk do t’ju bie të presin shumë gjatë. /tesheshi.com/