Gazeta franceze Le Figaro shkruan se sulmi i paprecedentë ndaj flotës ruse të Detit të Zi në rajonin e Sevastopolit pak ditë më parë zbulon rëndësinë në rritje të dronëve në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Gazeta shton, në raportin e saj, se një rëndësi e tillë ka shtyrë palët ruse dhe ukrainase të forcojnë arsenalet e tyre ushtarake me këtë lloj avioni, qofshin dronë vetëvrasës apo dronë standardë që hedhin ngarkesat dhe kthehen në bazat e tyre.
Sipas Le Figaro, një aspekt tjetër i paprecedentë është përdorimi i njëkohshëm i dronëve detar dhe ajror me saktësi superiore në shënjestrimin e objektivave të ndjeshëm rusë, gjë që konfirmoi nivelin e mirë të mjeshtërisë që kanë arritur forcat ukrainase në përdorimin e këtij lloji avioni.
Tërbimi rus
Nga ana e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se Forcat Ajrore dhe Marina Ruse shkatërruan shtatë dronë që u përdorën në sulmin ndaj flotës së tyre dhe treguan disa mbetje, duke thënë se ato ishin pjesë e dronëve të rrëzuar.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se “akti terrorist” ukrainas kundër Flotës së Detit të Zi ishte përgatitur nën drejtimin e ekspertëve britanikë.
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi më herët në gusht se vendi i tij i kishte dorëzuar Ukrainës gjashtë dronë të specializuar në shënjestrimin e minave.
Irani dhe Rusia
Zyrtarët amerikanë zbuluan më parë se Rusia kishte marrë dronët iranian Mohajer-6, Shahed 129 dhe Shahed 191 në gusht, gjë që Irani e ka mohuar me vendosmëri.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë njoftoi së fundmi se ushtarët iranianë ndodhen në Krimenë e pushtuar nga Rusia, ku po ndihmojnë forcat ruse të kryejnë sulme me dronë në Ukrainë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir Abdollahian, disa ditë më parë i ka mohuar këto informacione, duke thënë se vendi i tij ka “bashkëpunim në mbrojtje me Rusinë, por politika jonë nuk është të dërgojmë armë dhe dronë që përdoren kundër Ukrainës”.
Ministri i Jashtëm iranian shtoi se “akuzat për dërgimin e raketave iraniane në Rusi për t’i përdorur ato kundër Ukrainës janë të pabaza”. /tesheshi.com/