Dy spanjollët kanë dhënë sot spektakël në garën e gjashtë sezonale të Moto GP-së. Në pistën e Muxhelos ka patur dramë të vërtetë në xhirot e fundit, kur dy pilotët, njëri i Jamahës e tjetri i Repsol Hondës, kanë rivalizuar çmendurisht me njëri-tjetrin.
Në një diell shkëlqyes, mijëra të apasionuar pas garave me motorë qenë mbledhur në mbështetje të “Doktorit”, Valentino Rossi-t, që nisej i pari.
Një garë e komprometuar për të që në nisje, kur Lorenzo merr kryesimin. Xhirot e para do të vijojnë me një luftë mes tyre, me spanjollin vazhdimisht kryesues. Për të ardhur në xhiron e tetë, kur motori i Rossi-t fillon e humbet fuqinë. Tymi i bardhë lajmëron fundin e garës për të në xhiron e nëntë.
Nga dueli i mësipërm do të përfitonte Marc Marquez, që i qe afruar mjaft bashkëkombasit. Rivaliteti sportiv ndër ta qe mjaft tërheqës, me kryesimin e shkëmbyer mes tyre. Për të ardhur në xhiron e fundit, në kthesën e fundit, kur Honda e Marquez-it gjendej përpara.
Fuqia e motorit Jamaha ka bërë të vetën, dhe Lorenzo ia ka dalë ta lërë prapa Marquez-in vetëm në metrat e fundit. Spektakolare!
Një fitore e papritur për Lorenzo-n, që vetë e pranoi se qe përgatitur për një vend të dytë.
Andrea Iannone ka plotësuar podiumin, duke u renditur i treti pas një lufte me Dani Pedrosa-n.
Vetëm dhjetë pikë i ndajnë dy spanjollët në kryesimin e Moto GP-së: Lorenzo i vendit të parë ka 115 pikë, e Marquez ka 105. Rossi mbetet i treti, me 78 pikë. /tesheshi.com/