Duke komentuar situatën e rëndë koronare në Serbi, presidenti Vuçiç tha se ai merrte përsipër përgjegjësinë për atë që po ndodh.
Duke iu referuar Novi Pazarit, kryeqendrës së Sanxhankut, aty ku shifrat e infeksioneve janë më të frikshme, Vuçiç e adresoi problemin te kremtimi i Bajramit, që sipas tij, aty mund, ose është, burimi i valës aktuale.
“Unë nuk dija sa duhet për zakonet e miqve tanë muslimanë, boshnjakët tanë. Unë nuk e dija se sa e rëndësishme është Bajrami, sa njerëz shkojnë në xhami. Ne nuk e ndaluam hyrjen në xhami dhe kjo na kushtoi shtrenjtë. Kjo na kushtoi jashtëzakonisht e shtrenjtë, edhe nëse dikush është fajtor për këtë, ky jam unë”, tha presidenti serb.
Ndërkohë, ky është i vetmi rast i këtyre javëve pas lirimit të masave shtrënguese, ku aludohet se vatra e rishpërthimit të infeksioneve mund të jetë nga xhami, ku në fakt ka tubim njerëzor me afërsi fizike gati të pakrahasueshme.
Megjithatë, në nivel rajonal, kontinental apo global, ende nuk ka të dhëna apo fakte se tubimet fetare, posaçërisht ato islame, të mund të jenë shkak për infeksione.
Gjithsesi, në Serbi, autoritetet islame të atyshme, morrën vendimin për ripezullimin e faljeve kolektive – thënë ndryshe, rimbylljen e xhamive. Kjo, duke parë situatën e rëndë, më të rëndën në rajon, ku një ditë më parë, Serbia shënoi 13 viktima në 24 orë. /tesheshi.com/