Nga Mark Brunga
Një foto interesante është shitur në E Bay për 19 $ e 90 cent, e që i përket muajit prill të vitit 1949. Kjo foto mjaft interesante, të çon pikërisht 66 vite më parë, tek një periudhë delikate e raporteve shqiptaro-greke, që kulmuan me të ashtëquajturat “provokacione greke të gushit”; një tentativë e fqinjit për të sulmuar tokën tonë.
Fotoja, sipas shkrimit shoqërues të shitësit me origjinë nga Greqia, është e bërë në malin e Gramozit, vendit nga ku ndodhën provokacionet. Fotoja e cila është botim eksluziv i portalit “tesheshi.com” paraqet një ekip ushtarakësh në një llogore të hapur, ndërsa vrojtojnë me dylbi një zonë me drejtim nga kufiri shtetëror i yni. Është një llogore e sapohapur, ndërsa një nga ushtarakët (mbase shefi i shtabit të njësisë) ka dhe një sasi hartash të formatit të madh në duar.
Në horizont duken dhe faqe të shpateve të larta të malit të Gramozit. Të qënit me helmeta me kokë të disa prej ushtarakëve tregon se mund të jetë situatë luftimi. Kjo sepse sipas të dhënave të qeverisë shqiptare të asaj periudhe, provokacione sporadike ka pasur në disa pika të kufirit rreth 8 muaj para sulmit të madh të organizuar që nisi në stil të gjërë më 2 gusht të vitit 1949 dhe përfundoi me 15 gusht.
Sulmi i 2 gushtit
Ushtria greke me 2 gusht ka nisur sulmin ushtarak ndaj Shqipërisë duke përdorur mbi 70 mijë forca të armatosura, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 topa gjuajtës; ndërsa në vijën e mbrojtjes së vendit tonë u mobilizuan direkt në luftime rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë që u mbajtën rezervë në gatishmëri rreth 30 mijë trupa pranë vijës greke të sulmit.
Duke iu referuar të dhënave të botuara në përvjetoret e këtij sulmi ushtarak dhe dëshmive të shumta të ushtarakëve dhe ushtarëve që morën pjesë në luftimet e ashpra, mësohet se sulmi nisi në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit. Fillimisht artileria greke nisi pregatitjen e zjarrit me topat e dislokuar përgjatë kufirit me Shqipërinë.
Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht.
Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat në momentin e sulmit fillestar nuk ishin më shumë se një togë, ushtarët e së cilës ishin të armatosur kryesisht me pushkë e automatikë, si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë. Në këtë pikë beteja vazhdoi e ashpër për 7 orë. Nga deklarimet e para të qeverisë mësohet se gjatë 11 orëve të para të sulmit, monarko-fashistët grekë patën 100 të vrarë dhe mbi 100 vetë të plagosur. Ndërsa humbjet nga ana shqiptare: një i vrarë dhe dy të plagosur. Vetëm me 14 gusht grekët lanë në zonën e Bilishtit 60 ushtarë të vrarë.
Fundi i provokacioneve
Data 14 gusht shënohet si fundi i provokacioneve. Në këtë datë është sulmuar piramida 30-31 në sektorin Bilisht ku ndodh edhe disfata më e turpshme për grekët, duke lënë në betejë 60 të vrarë dhe shumë të plagosur. Këtë disfatë e pësoi brigada 41 e divizionit të 9 grek, e cila qe shoqëruar në sulm me dy regjimente të artilerisë së rëndë dhe një skuadrilje avionësh gjuajtës, që u sulën në mënyrë të rrufeshme duke përdorur zjarrin dhe fuqinë e të gjitha llojeve të armëve dhe mjeteve drejt piramidës 30-31, por që patën një kundërpërgjigje të ashpër nga trupat tona.
Me disfatën e Brigadës 41 të Divizionit të 9 me 15 gusht, merr fund agresioni i hapur në kufijtë shtetërorë të vendit tonë.
Sipas evidentimit të betejës në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në faqen 273 të Inventarit/I, mësohet se trupat greke lanë të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve ne shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë dhe u plagosën 127 të tjerë.
Kujtimet e një ish-mitralieri në betejë
Para një viti është ndarë nga jeta ish-mitralieri Dan Gradica, nga Hasi. Para vdekjes ne kujtimet e veta ai tregonte:
“E prisnim se kur do të vinte greku për të na goditur. Sulmoi menjëherë. Erdhi Mehmet Shehu dhe na tha “Luftë, na sulmoi greku”. U ngitëm e u shpërndamë nëpër pika. Zumë vijën e parë të sulmit. Në fillim ushtarët grekë i kishim 100-150 metër larg. Nga atje edhe qëllonte, edhe na shante. Nuk linte gjë pa na thënë me sharje. Çfarë nuk na thonin. Shanin shqiptarët me fjalë të pista dhe me fjalor fyes për nënat, gratë, motrat, qeverinë, Enver Hoxhën. Fillimisht ishim në vijën e dytë. Zumë pozicionet por pa hapur zjarr. Nuk kishim marrë urdhër të shtinim. Kishim zënë vend në pikat e caktuara më parë. I dinim të gjitha përmendsh pasi kishim bërë përgatitje prej disa kohësh. Prisnim urdhërin nga komanda për veprim. Distanca nuk ishte edhe e afërt.
Mua më ishte caktuar një pikë në anë të një kodre të vogël, por gjatë luftimeve do e ndërroja disa herë sipas zhvillimeve të betejës. Me të përfunduar artileria, greku hapi zjarr me trupat e saj drejt vendit ku ishim ne. Për orë të tëra dëgjoheshin vetëm shpërthime, bombardime nga toka e ajri, tym, flakë, britma të ushtarëve grekë. Në të afruar nata greku na doli nga pas. U fut në tokën tonë. Shumë ushtarë grek kishin hyrë në Kapshticë. Ata mbulonin me zjarr krahët e tyre dhe kjo u dha mundësi të marrin fillimisht njërën anë të fshatit. Veç këmbsorisë e cila hapte zjarr në të gjithë drejtimet, grekët mbështeteshin nga topat. Ata bombarduan kuzhinën dhe repartin tonë. Gjithandej dilte tym e flakë. Era e barutit dhe e objekteve që digjeshin ndihej ngado. Sulmet e befasishme, të forta dhe të mbështetura nga armë të rënda dhe aviacioni grek, krijoi për pak kohë njëfarë zemërimi tek rradhët tona. Ne ishim të gjithë ushtarë, në moshë të re dhe të paprovuar me luftën. Komandanët dhe komisarin i kishim edhe të përgatitur, edhe me përvojë në luftë pasi kishin qenë në luftën për çlirimin e vendit. Ata e kuptuan gjendjen tonë psikologjike dhe duke kaluar pranë secilit ushtarë thonin se strategjia jonë do të ishte ajo e mësymjes në një kohë më të përshtatshme. Ata kishin një siguri të madhe se beteja do të fitohej nga ne. Ndoshta ishte edhe përvoja, ndoshta shikonin se si lëviznin dhe vepronin grekët”. /tesheshi.com/