Nga Luljeta Progni
6-mujorë apo ish-komunistë, rotacioni mes dy kategorive që drejtuan sistemin e drejtësisë 25 vite. Si nisi refroma në drejtësi në parlamentin e vitit 1992 me shkarkimin e ish-gjyqtarëve e hetuesve të kohës së komunizimit dhe debatet për ata që do t’i zëvëndësonin…
Reforma në drejtësi është një ndër sfidat kryesore me të cilën përballet Shqipëria në këto 25 vite. Sistemi i korruptuar i drejtësisë mbetet një ndër pengesat kryesore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së. Brukseli është shprehur gjtihnjë prerë se pa reformë në drejtësi nuk mund të ketë anëtarësim të Shqipërisë në këtë union. Por kryeministri Rama ka premtuar se do ta kryej këtë reformë për të mbyllur kështu detyrimet e shqipërisë ndaj BE-së lidhur me anëtarësimin. Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se këtë vjeshtë do të nisë reformën në drejtësi dhe siç ka paralajmëruar ai, “do të jetë ashtu siç nuk ia rrok mendja askujt”.
Historia e reformës në drejtësi nis 23 vite më parë në parlamentin e vitit 1992.
Pikërisht, në shtator të vitit 1992, në parlamentin e Shqipërisë nisi diskutimi për reformën në drejtësi. Ishte miratuar një ligj që parashikonte hapat për riformatimin e sistemit të drejtësisë Pas rrëzimit të sistemit komunist, në dy vitet e para, nisi shkrirja e disa strukturave sipas modelit komunist për t`u përshatur me strukturat e vendeve evropiane.
Ndryshimet e sistemit të drejtësisë nisin me miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të vitit 1991 të dispozitave kushtetuese. Bazuar në ato dispozita nisi të reformohej sistemi i gjykatave dhe i prokurorisë e cila më herët quhej hetuesia.
Në korrik të vitit 1992 u miratua ligji për reformën në drejtësi dhe nisi zbatimi i tij nga titullarët e institucioneve që përbënin sistemin e drejtësisë, duke filluar nga Kudret Çela i cili ishte ministër i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia.
Maks Haxhia e Kudret Çela raport në Kuvend për reformën në drejtësi
Një debat i rëndësishëm është zhvilluar në seancën plenare të shtatorit të vitit 1992 në Parlament lidhur me reformën në drejtësi.
Ministri i Drejtësisë në atë kohë, Kudret Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia, ishin të thirrur në seancë parlamentare për të raportuar për hapat që ishin bërë për reformën në drejtësi pas ligjit të miratuar në parlament në 7 korrik të atij viti.
Debati u përqëndrua në shkarkimet e kryera në të gjithë institucionet nën juridiksionine ministrisë së Drejtësisë si dhe të Prokurorisë e cila ende ishte e dyzuar midis emërtimit prokurori dhe hetuesi.
Kudret Çela e Maksim Haxhia raportuan rreth zëvëndësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëeve që u shkarkuan si pasojë e reformës në drejtësi dhe vështirësitë për të gjetur persona me eksperiencë në fushën e drejtësisë që do të drejtonin sistemin e drejtësisë në kushtet e pluralizimit politik.
Ndërkohë, Kuvendi i vitit 1992 kishte miratuar vendimin për hapjen e disa kurseve 6-mujore ku të mund të përgatiteshin me shkollim intensiv gjyqtarë e prokurorë për të plotësuar vendet vakante në sistemin e drejtësisë.
Debati për juristët 6-mujorë
Në shtator të vitit 1992, ministri i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm raportuan në Kuvend se ishin shkarkuar më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak se vinin nga një përvojë aktivizimi në sistemin komunist. Shumica nuk kishin as arsimin përkatës. Për këtë arsye, kishte mungesa të mëdha në gjykata e prokurori. Gjatë seancës së 7 shtatorit kur raportonte para deputetëve Maksim Haxhia e Kudret Çela, debatet u përqëndruan në dy opsione: zëvëndësimi i vendeve bosh në gjyakata e prokurori me studentë të viteve të treta e të katërta të cilët presupozohej se kishin marrë dijet bazë për profesionin; dhe version i dytë ishte zëvëndësimi i tyre me juristë që po shkolloheshin në kurse intensive 6-mujore sipas vendimit të qeverisë.
Prokurori i Përgjithshëm, Maks Haxhia, spikat me qëndrimin e tij kundër grupit parlamentar të PD-së i cili e kishte votuar në këtë post vetëm katër muaj më parë. Ai u shpreh kundër përfshirjes në sistemin e drejtësisë të atyre juristëve që po përgatiteshin nëpër kurset disamujore, të cilët sot janë në majat e drejtësisë shqiptare.
Debate mes Maks Haxhisë dhe nënkryetarit demokrat të Kuvendit, Tomor Malasi
Maksim Haxhia: Dëshiroj të bëj të ditur përpara këtij Parlamenti, Presidentit dhe opinionit tonë publik, qëndrimin tim të prerë kundër mendimit regresiv e të paprecedent në asnjë shtet demokratik të zhvilluar për krijimin e të ashtuquajturave kurse disamujore për përgatitjen e juristëve. Pranimi i kësaj do të thotë që të përdhunohet drejtësia dhe me vetëdije të çohet shoqëria në anarki…(I ndërhyhet nga zoti Tomor Malasi).
Tomor Malasi – Zoti Prokuror, ju lutem nuk ju kemi thirrur këtu që të gjykoni Parlamentin!
Prokurori i Përgjithshëm – Kam të drejtë të jap mendimet e mia.
Tomor Malasi – Ju mendimet tuaja mund t’i jepni për ato çështje që u ka kërkuar Parlamenti.
Prokurori i Përgjithshëm – Dakord, do të përgjigjem, kam të drejtën të përgjigjem…
Tomor Malasi – Kur t’ju pyesin do të përgjigjeni, zoti Prokuror.
Prokurori i Përgjithshëm – …ajo që të çon në shkeljen e të drejtave dhe lirive të shtetasve. Duke e përfunduar ju (Ndërhyrje) falemnderit që më krijuat mundësinë për të paraqitur para jush disa nga problemet dhe shqetësimet që i dalin organit të cilin unë drejtoj. Edhe njëherë ju siguroj se votëbesimit tuaj i kam vënë në dispozicion përkushtimin tim, ndershmërinë time dhe aftësitë e mija, për çështjen e madhe e të shenjtë të drejtësisë, të cilën do ta mbroj deri në fund me të gjitha forcat e mija nga çdo shkelje dhe nga kushdo qoftë”, përfundon replika e Prokurorit të Përgjithshëm, Maksim Haxhia, me nënkryetarin e Kuvendit, Tomor Malasi, lidhur me juristët 6-mujorë.
Të njëjtin qëndrim kundër kuadrove të drejtësisë që vinin nga këto kurse 6-mujore ishte edhe ministri i Drejtësisë së kohës, Kudret Çela. I pyetur nga Musa Ulqini për kriteret që duhet të plotësonte një gjyqtar apo prokuror se a ishte arsimi lartë një prej tyre dhe a i plotësonin kriteret juristët që po vinin nga kurset 6-mujore, Kudret Çela përgjigjet:
” Unë nuk e di me thënë të drejtën si është vendosur në këto forume partiake dhe nuk do të doja të shprehja këtu ndonjë mendim personal për këtë çështje, në qoftë se nuk më kërkohet me insistim nga ju; pa dyshim mund ta kem dhe do ta them një mendim, por thashë gjithsesi një variant që e zbut shumë këtë uri të madhe për kuadro, e do të ishte ai që thashë: mundësisht të merren studentë të kurseve të larta nga Fakulteti i Drejtësisë, dhe pse jo edhe nga kurset e larta të korrespondencës. Këta janë shumë më të mirë nga pikëpamja e formimit profesional në raport me ata studentë që janë me shkollë të mesme dhe i nënshtrohen një kursi të përshpejtuar 3-4 mujor. Megjithatë është çështje e drejtë e këtij Parlamenti t’i japë vulën e zgjidhjes së problemit që shtrohet për diskutim”.
Prej asaj kohe u hodhën themelet e një sistemi të korruptuar të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë në këto 23 vite është drejtuar me rotacion, herë nga gjyqtarët e prokurorë që vinin nga sistemi komunist dhe herë nga gjyqtarë e prokurorë që vinin nga kurset 6-mujore. Me rotacion sepse kur e majta vijonte në pushtet rikthente në krye të parët; dhe sa vinte në pushtet e djathta, ktheheshin në detyrë ata të kurseve 6-mujore. Nuk është me vend ndoshta të gjykosh asnjërën pale, sepse dy kategoritë patën mundësinë të marrin eksperiencë juridike përmes arsimimit shtesë në shkollat më të mira të perëndimit. Por e vërteta është se ata u bënë pjesë e klientelizimit të politikës në proç eset e emërim-shkarkimeve gjatë këtyre 23 viteve dhe pjesë një sistemi të drejtësisë ndër më të korruptuarit në vendet ish-komuniste. Të paktën ky është perceptimi i shoqërisë shqiptare dhe sipas vlerësimit të ndërkombëtarëve. /tesheshi.com/