Nga Dosja politike tre liderëve të së majtës
Nga Luljeta Progni
“Drejtimi i duhur”?! Vara-vingot në 25 vite karrierë politikë të Edi Ramës, që nga Lëvizja Studentore e deri tek posti i kryetarit të PS-së. Përplasjet me Berishën dhe krerët e PPSH-së; tentativa për themelimin e Partisë Radikale dhe largimi nga Shqipëria, deri tek angazhimi në qeverinë Nano dhe organizimi në PS
Edi Rama është një ndër protagonistët e Dhjetorit `90. Ka marrë pjesë aktive në ngjarjet që përgatitën rrëzimin e sistemit komunist, por ka munguar pikërisht atë ditë kur nisi lëvizja studentore për rrëzimin e komunizmit më 8 dhjetor 1990.
Si të tjerë protagonistë të Dhjetorit `90, Edi Rama ishte ndër intelektualët që vinte nga brenda sistemit komunist. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër që në atë kohë të shfaqeshin intelektualë nga jashtë sistemit. Ata ishin vrarë e burgosur ndërsa fëmijët e tyre ishin të pashkolluar. Ata nuk ishin në Qytetin Studenti e as në Tiranë ku nisi lëvizja antikomuniste.
Për këtë kohë, Edi Rama thotë se regjimi i gjatë komunist kishte varrosur çdo alternativë tjetër përveç vetes dhe në këto kushte, sipas tij, Shqipëria e fundviteve ’80 ishte pa elitë.
“Sot unë do të thoja një gjë shumë sinqerisht: këto pasoja kanë të bëjnë me faktin, se liria e gjeti Shqipërinë pa asnjë lloj elite. Në rast se në vendet e tjera nuk kishte pluralizëm politik, por kishte pluralizëm kulturor, kishte një alternativë. Vërtet Vaslav Havel ishte në burg, por ai shkruante pjesë teatrale që luheshin në pjesën underground të Pragës, kurse këtu nuk kishte. Këtu u vra dhe u varros çdo lloj alternative, çdo lloj shfaqje e alternativës, qoftë edhe në prerjen e flokëve”, thotë Rama.
Thuajse të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe protagonistë të tjerë të Dhjetorit ‘90. Në këto kushte, dallimi midis Ramës, Berishës, Pashkos apo të tjerëve që u bënë pjesë e kësaj historie, është i papërfillshëm nëse është fjala për të shkuarën e tyre në lidhje me PPSH-në.
Nëse Berisha ishte sekretar partie në Universitetin e Mjekësisë, Edi Rama ishte i paangazhuar në PPSH por ishte nipi i anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka dhe i biri i anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Kristaq Rama. Edi Rama ishte petagog në Institutin e Lartë të Arteve, ashtu siç ishte edhe Berisha pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, apo ashtu siç ishte edhe Gramoz Pashko pedagog në Fakultetin e Ekonomisë.
Protagonistët e Dhjetorit ’90 ishin kryesisht studentë dhe intelektualë të cilët nuk kishin pasur probleme e pengesa nga sistemi komunist. Pra dallimet mes tyre sa i përket prvilegjeve që ata përfituan nga sistemi komunist janë të papërfillshme dhe për këtë arsye beteja e akuzave ndaj njëri-tjetrit, kryesisht midis Ramës e Berishës për këtë çështje, është krejt e pakuptimtë.
Historia e zhvillimeve që pasuan Dhjetorin ’90 e dëshmoi qartë se sa antikomunistë dhe se sa të interesuar për kauzën e kësaj lëvizje ishin secili prej tyre. Historia politike e Edi Ramës është një prej tyre.
Studentët dhe bashkëpunëtorët e mbajnë mend si një ndër intelektualët më aktiv me mendimet e tij antikomuniste, por fati me sa duket nuk ishte me të në 8 dhjetor kur ai mungoi ditën më të rëndësishme, kur studentët nisën lëvizjen e tyre për të mos u ndalur deri në rrëzimin e diktaturës komuniste.
Në këtë mënyrë Edi Rama mbeti jashtë historisë së PD-së, partisë së parë pluraliste që lindi nga lëvizja studentore e Dhjetorit ’90. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij ia njohin aktivizimin në prag të rrëzimit komunist, por këto qëndrime të tij antikomuniste jo shumë kohë më vonë do të kompromentoheshin.
8 dhjetori në Institutin e Lartë të Arteve
Më 8 dhjetor pasdite në Institutin e Lartë të Arteve, ishte organizuar me studentë e pedagogë një manifestim për përvjetorin e ndarjes nga jeta të liderit të grupit të famshëm muzikor, “Beatles”, John Lennon, muzika e të cilëve ishte ndaluar të dëgjohej në Shqipërinë komuniste. Një prej pjesmarrësve në këtë event, studenti i Inxhinierisë Arben Sulo, dëshmon se ishte pjesë e atij takimi dhe kujton personazhe të rëndësishme që dëshmonin pa hezitim qëndrimin e tyre kundër Enver Hoxhës. Ai flet edhe për një peticion që ishte hartuar atë ditë, pikërisht kundër Enver Hoxhës. “Kam marrë pjesë në një tubim në Akademinë e Arteve, “Refleksione”, me protagonistë Edi Ramën, Ardian Klosin, Blendi Gonxhen, Shinasi Ramën dhe ish-të përndjekurin politikë Kasëm Trebeshinën, fjala e të cilit me la një mbresë të veçantë. Në fund të tubimit u qarkullua edhe një peticion, a diçka e tillë, kundër figurës së Enver Hoxhës, ku unë isha ndër ata që e firmosën”. Studentë të tjerë, si Blendi Gonxhe, por edhe pedagogë, si Edi Rama, flasin për detaje të kësaj ngjarje, e cila konsiderohet si një organizim kundër sistemit komunist në Shqipëri. Edvin Shvarc tregon gjithashtu se në takime të tjera te Akademia e Arteve, është artikuluar hapur dhe pa asnjë ekuivok retorika kundër Enver Hoxhës, specifikisht nga drejtuesi kryesor i këtij organizimi, pedagogu Edi Rama.
Por Edi Rama mungoi atë ditë të 8 dhjetorit në Institutin e Lartë të Arteve por edhe në darkë vonë në Qytetin Studenti kur nisi lëvizja styudentore për të mos u ndalur deri në rrëzimin e sistemit komunist. Rama e rrëfen kështu mungesën e tij, moment që pati një ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij politike.
“Unë nuk u gjenda aty, sepse pas revolucionit rumun pati një farë lëshimi dhe në këtë kuadër filloi të aplikohej dhënia e pasaportave për njerëz që kishin të afërm jashtë vendit. Ne kishim të afërm në Korfuz nga familja e nënës time, shqiptarë të ikur gjatë luftës italo – greke. Morëm pasaportat dhe shkuam bashkë me tim vëlla në periudhën e verës së vitit 1990. Gjatë qëndrimit atje u vumë në kontakt me Galerinë e Teatrit Bashkiak të qytetit. Në këto kontakte ramë dakord të organizonim një ekspozitë në mesin e dhjetorit të atij viti dhe në tetë dhjetor, unë jam nisur për në Korfuz. I thashë Ardianit (Klosit), që unë nuk mund të rri në Tiranë pasi më duhet të shkoj për ekspozitën. Nuk e pata instinktin, që do të ndodhte diçka pikërisht ato dy tre ditë. Kanë qënë dy tre ditë shumë të rënda për mua, shumë të vështira dhe shumë absurde, sepse bashkë me të tjerë kisha më shumë se një vit që e prisja takimin me Ramiz Alinë. Kisha bindjen, se gjithmonë kur fillojnë binden përfaqësuesit e partisë atje, do të fillonte të kthehej në një lloj loje si macja me miun. Ndodhte diçka në Institut atëherë, ata vinin, bënin mbledhje flisnin e flisnin, ne e kthenim ne ilaritet dhe sa më shumë shkonte koha, aq më shume rritej shkalla e atyre që vinin në institut. Unë isha i bindur dhe këtë e shprehja gjithnjë, që kjo lojë dhe ky proces mbaron kur ne të jemi përballë Ramiz Alisë. Isha i bindur dhe iu thoja shokëve të mi, se në një ditë shumë më të afërt se sa ju duket, ne do të ulemi përballë Ramiz Alisë, sepse ata nuk e durojnë dot atë që po bëjmë ne. Dhe pikërisht kur erdhi momenti ynë unë nuk u gjenda aty”, thotë Rama në një intervistë për librin “Pardesytë e Bardha”.
Zgjedhja e Ramës në grupet e punës së PD-së së sapothemeluar
Megjithëse kishte munguar ditët më të rëndësishme, askush nuk e mohoi kontributin e tij dhe për këtë arsye, Edi Rama ishte një ndër personat e zgjedhur në mbledhjen e parë të PD-së së sapothemeluar për të organizuar zhvillimet politike të kësaj partie.
Pas themelimit të PD-së më 12 dhjetor 1990, u zgjodh Komisioni Nismëtar i Partisë Demokratike. Në mbledhjen e parë të këtij komisioni u zgjodh kryetar i parë i PD-së Azem Hajdari si dhe u zgjodhen grupet e punës të cilat do të drejtonin partinë deri në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri më 31 mars 1991.
Në këtë mbledhje u përcaktuan anëtarët e grupeve të punës që do të merreshin me organizimin e partisë, qysh tek hartimi i statutit dhe programit të saj dhe deri tek organizimi i daljeve në shtyp, apo çështjet elektorale dhe financiare. Në protokollin e mbajtur në këtë mbledhje të Komisionit Nismëtar të PD është edhe emri i Edi Ramës, si pjesë e grupeve të punës. Ai u zgjodh në grupin e punës për çështjet elektorale si dhe në grupin e punës për statutin dhe programin e partisë. Por Rama refuzoi të angazhohej në këto grupe.
Më poshtë botohet mbledhja e komisionit nismëtar në datë 13 dhjetor, kur po zgjidhej kryetar Azem Hajdari. Teksti më poshtë referohet në mënyrë rigoroze protokollit të shkruar me dorë nga, Ilenja Mëhilli.
Mbledhja e parë e komisionit nismëtar më 13 dhjetor 1991
Foli prof. Gramoz Pashko: Ky është një komision nismëtar me disa të ftuar që përfaqësojnë disa shtresa. Përpara tij shtrohen disa probleme që brenda 1012 ditësh duhet të zgjidhen.
Si pika problemesh
- Duhet të përgatitet statuti
2 .Duhet të bëhet programi elektoral që të paraqitet njësoj me atë të partisë tjetër
3 .Një komision që duhet të drejtojë
4. Një komision që duhet të përgatisë këtë program
5. Komisioni i sekretarisë
6. Komisioni i parave, arkave
7. Duhet një bërthamë që duhet të merret me shtypin e çdo gjë …..
Profesor Sali Berisha tha që grupet kryesore janë ato organizative e financiare. Grupi organizativ më i rëndësishëm për jetën e partisë. Edhe shtypi duhet të ketë një rëndësi të madhe. Duhet patjetër grupi organizativ. Një grup që do të shkojë në ministrinë e drejtësisë
Prof. Gramozi tha që të lëmë një grup të veçantë e të lëmë disa vende të veçanta ku do të futen ato të rretheve. Të krijohet një komitet të kësaj pune, organizues të këtyre punëve. Debate të ketë apo jo përgjegjës për çdo sesion. Me statutin do merret grupi organizativ me pjesëtar të jashtëm. Duhet një komitet që të merret me organizimin e këtyre punëve, me statutin etj. Duhen tete veta.
Azem Hajdari quhet kryetar i komisionit nismëtar fillestar, ndërsa anëtarët :
Ben Imami
Sali Berisha
Edmond Budina
Gramoz Pashko
Eduard Selami
Lekë dr
Edi Rama
Dhe katër persona pa emër
Duhet të përcaktojmë komisionet organizative që përfshin dokumentet, statutin si mendja që do të organizojë këtë punë .
Grupi i shtypit:
Preç Zogaj kryetar
Genc Pollo zv.kryetar për konferencat e shtypit
Mitro Çela
Grupi i financave:
Merita Zaloshnja kryetare
Arben Likaj
Alma Bendo
Grupi elektoral:
Edi Rama
Arben Imami
Blendi Gonxhe
Shenasi Rama
Zenel Hoxha
Grupi i organizimit dytësor:
Leka… institucionet shkencore
Grup shërbimi:
Tefal Malshyti
Arjan Manahasa
Ilir Dizdari
Grupi i sekretarisë:
Eduard Selami
Ilenja Mëhilli
Mbajti protokollin: Ilenja Mëhilli
Por Edi Rama nuk e pranoi atë pozicion ku e vendosi Komisioni Nismëtar i PD-së. Ai u largua nga Partia Demokratike pas një debati rreth gjysëm ore me Gramoz Pashkon në një prej mbledhjeve të këtij komisioni e zhvilluar në qytetin Studenti. Rama thotë se u largua nga PD për shkak se atje kishte gjetur komunistë si Sali Berisha.
Si mik i ngushtë i Edi Ramës, Arben Imami një prej themeluesve kryesore të PD-së mori përsipër ta kthejë por Edi Rama kishte shumë argument që sipas tij e ndalonin të angazhohej në PD.
“Nuk e kisha menduar që të merresha me politikë. Dhe arsyeja, lidhet edhe me një moment tjetër. Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, sepse pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD. Ne ishim shumë më përpara, sepse në bisedat tona kishim një tjetër pritshmëri dhe strategji për të ardhmen. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Për ne Ramiz Alia nuk ishte njeriu që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri. Ky është edhe konflikti që unë pata me ata që gjendeshin në atë kohë në PD. Nuk pata ndonjë dëshirë për t’u përfshirë në politikë, pasi mua më interesonte liria dhe jo politika.
Unë e kërkoja lirinë si nevojë të brendshme për të bërë gjërat që doja, dhe nuk e kërkoja për t’u marrë me politikë. Pasi jam larguar atë moment nga PD-ja, ishte aty Arben Imami, të cilin unë e kisha shumë mik dhe kemi bërë një bisedë shumë interesante. Ai këmbëngulte që unë të kthehesha në PD, ndërsa unë këmbëngulja që të largonin më parë komunistin që kishin aty, në PD, sepse do t’i marrë në qafë të gjithë. Beni më thoshte “po jo, se kemi nevojë për disa intelektualë pak më në zë, që t’i japim peshë dhe seriozitet të gjithë kësaj që po bëjmë, sepse është një gjë që sapo ka filluar, ne s’kemi eksperiencë”. Ndërsa unë i thashë se Sali Berisha është komunisti tipik dhe ka të gjithë eksperiencën si sekretar partie që t’ju eliminojë të gjithëve. I kam thënë se ai do ta bëjë PD-në një vegël të Ramiz Alisë dhe ju nuk do të jeni dot në gjendje të flisni kundër Enver Hoxhës. E vërteta është, se ditën kur fola kundër Enver Hoxhës në Akademinë e Arteve, ata nuk flisnin dot kundër Enver Hoxhës”.
Përplasja e dytë Berisha-Rama ka ndodhur në një takim, që PD-ja kishte organizuar me intelektualët e Tiranës në fund të janarit të vitit 1991, në një prej sallave të Bibliotekës Kombëtare. Si mik i Edi Ramës, Arben Imami gjendej ngushtë, pasi nuk i kishte rreshtur përpjekjet për ta përfshirë atë në PD. Por nga ana tjetër, Sali Berisha ishte konsoliduar si figurë qendrore e themeluesve, ndërsa qëndrimet mes tij dhe Edi Ramës, dukeshin të papajtueshme.
“Në atë takim Rama e sulmoi Berishën për një oportunizëm, le të themi të PD-së kundrejt regjimit. Në fakt çdo kriticizëm ishte me vlerë, nuk them të kundërtën. Por duhet sqaruar, se ide e propozime, që çonin në konfrontim tregonin mungesë përgjegjësie. Ndërhyra dhe patëm një debat. Rama e njihte qëndrimin tim për ato rrethana të janar-shkurtit, por nevoja për ndryshimin e tyre duhej peshuar me kushtet e atyre rrethanave. Edhe nëse ishim për një vijë presioni, kurrsesi për konflikt social, kurrsesi për konfliktin. Kemi bërë gjithçka për ta shmangur atë. Kjo është padyshim një ndër meritat e mëdha të themeluesve e të drejtuesve të PD-së, të cilët u përpoqën në çdo rast për të shmangur konfliktin, i cili i kanosej Shqipërisë në çdo çast. Duhet analizuar situata në kontekstin e kohës. Ne kishim presion të madh nga mbështetësit tanë, sikurse edhe pala tjetër kishte presionin e madh të enveristëve. Duhen parë gjërat siç ishin, jo siç do të donim të ishin. E vërteta e asaj mbledhje është se, po, Edi Rama kishte mendimin se Berisha nuk ishte personi i përshtatshëm për të qenë në krye të PD-së”, thotë Imami.
Tentative e dështuar për themelimin e Partisë Radikale, largimi nga Shqipëria dhe kthimi si ministër në kabinetin Nano
I zhgënjyer nga Partia e sapothemeluar Demokratike dhe “i neveritur” nga PPSH e kthyer në PS, Edi Rama tentoi të themelojë një parti radikale për të cilën bisedoi me disa bashkëpunëtore e miq të tij në vitet ’90. Në të njëjtën kohë botoi edhe librin “Refleksione” me bashkëautor Ardian Klosin. Atje goditej ashpër PPSH-ja por edhe PD-ja e re. Më pas Edi Rama u largua nga Shqipëria në sajë të një burse që përfitoi nga fondacioni “Soros”. Ai kthehej shpesh në Tiranë por vetëm për të qëndruar disa ditë. Ishte mjaft aktiv me publicistikë, mjaft kritik ndaj qeverisë së parë të PD-së dhe kryesisht ndaj presidentit të kohës, Sali Berisha duke u pozicionuar si një ndër kundërshtarët më të fortë të PD-së në vitin 1992-1997. Fatos Nano ishte një ndër figurat e preferuara për Ramën gjatë viteve 1993-1997. Në atë kohë Fatos Nano ishte në burg, i akuzuar nga PD-ja dhe qeveria e saj për abuzime me ndihmat humanitare në qeverinë e parë pluraliste kur Nano ishte kryeministër.
“Kur e kam parë si kryeministër dhe si themelues të Partisë Socialiste në vitet 1991, nuk kisha asnjë lloj simpatie. Nisa ta simpatizoj kur kam filluar të lexoj letrat që shkruante nga burgu. Ishte shumë e papritur për mua qasja e tij në ato letra. Pastaj vetvetiu unë fillova të afrohem në qëndrime me socialistët sepse ishin forca që luftonin me një të keqe shumë të madhe dhe për këtë arsye kam shkruar për vetë zhvillimet në PS, duke mbështetur Fatos Nanon kur ishte në burg. Atëherë unë nuk e njihja. Kur Fatos Nano u bë kryeministër, të them të drejtën unë kisha shumë shumë shpresë. Më dukej si një njeri që do të bëntë gjëra të mëdha… Nuk bëri gjëra të mëdha…. Sigurisht bëri gjëra të mira por nuk bëri gjëra të mëdha”, thotë Rama.
I pyetur në se Fatos Nano e Sali Berisha por edhe vetë Rama, trashëguan tiparet totalitariste të paraardhësve të tyre në pushtet, Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, Rama shprehet:
“Unë besoj se nuk kam trashëguar asgjë. As Fatos Nano nuk ka trashëguar gjë. Por Sali Berisha po. Sepse Saliu është i vetmi komunist stalinist në këtë treshe. Fatosi ka qënë komunist i regjistruar në periudhën e fundit të komunizmit, për të cilën thashë se pranimet ishin pasojë e një dileme për të përmirësuar sistemin dhe padurimi ndaj sistemit. Kurse unë skam pasë lidhje fare. Ndërkohë që le të themi se në qoftë se ka element të caktuar, unë mendoj se lidhen më shumë se jemi shqiptar, ballkanas, mesdhetar”.
Në qershor të vitit 1997 në pushtet erdhën sociaistët dhe kryeministri socilaist, Fatos Nano, e ftoi Ramën në qeverinë e tij si ministër Kulture. Rama e shpjegon kështu atë moment:
“Ishte aksident. Ishte aksident, fatalitet i jetës time, si një diçka e shkruar në dorë. Ndodhi krejt papritur. Kam dëgjuar llojlloj versionesh por të gjitha janë të pavërteta. Nuk do të isha sot këtu në se im`atë nuk do të kishte vdekur në prill të vitit 1998. Ishte një koiëidencë e çuditshme…. ardhja ime këtu për funeralin, me një biletë vajtje- ardhje… Duhet të shkoja në Kanada sepse do të bëja një hap shumë të rëndësishëm në jetën time si artist. Do të nënshkruaja një kontratë për një pikturë të madhe murale që do të realizohej në një hapësirë të madhe publike atje. Koinëidoi kjo kohë me riformatimin e qeverisë dhe unë isha në atë moment në Tiranë. Fatos Nano kishte kohë që më kërkonte dhe asnjëherë për t`u bërë ministër apo për t`u marrë me politikë por më kërkonte që të vija dhe më pat propozuar që të bëhesha drejtor i Televizionit Shqiptar. Gjithmonë e kam refuzuar duke i thënë se jeta ime është arti dhe unë jam qytetar i botës. Unë shkruaj sepse e kam të nevojshme ta bëj këtë gjë, e kam pjesë organike të qënies time por më shumë se sa kaq unë smund të bëj”, thotë Rama.
Por më pas historia ndryshon dhe ndoshta ndryshimi i raporteve të tij me Nanon nuk nis në 1997 kur Rama vë kufirin e Fatos Nanos “së mirë” me atë të “të keqin” por shumë kohë më pas, kur Ramës i lindi dëshira për t`u bërë kryetar i Partisë Socialiste. Momente të rëndësishme në zhvillimet politike brenda PS-së i dhanë Ramës hapësirën për të spikatur me qëndrim kritike të cilat për kohën cilësoheshin parimore.
“Për mua katarsisi ishte gjëja më e shëmtuar që ka ndodhur ndonjë herë në politikën shqiptare dhe mbetet gjëja më e shëmtuar në politikën shqiptare nga pikpamja e një aksioni politik. Aty u shkallmua etika e demokracisë së brendëshme të një partie politike. Nga një demokraci e brendëshme ajo u kthye në një anarki. Që nga ai moment Partia Socialiste filloi të vuaj shumë”, thotë Rama.
Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për bashkinë e Tiranës në emër të PS-së dhe i fitoi zgjedhjet. Shumë shpejt u bë një ndër njerzit më të mbështetur në elektoratin e majtë edhe për shkak të sukseseve të tij në krye të bashkisë së kryeqytetit. Bashkë me rritjen e tij si figurë politike brenda së majtës, Edi Rama po rriste dalë-ngadalë ambiciet e tij për pushtet brenda PS-së. Pas një betejë të vazhdueshme me kryetarin e kohës, Fatos Nano, herë në bashkëpunim me Ilir Metën e herë kundër tij, Edi Rama ia doli të zgjidhet kryetar i Partisë Socialiste më 9 tetor 2005. Pak muaj më herët kishte dhënë dorëheqje nga ky post, Fatos Nano, pas humbjes së PS-së në zgjehdjet parlamentare të 3 korrikut.
Rama vazhdon t’i kosniderojë qëndrimet e tij parimore edhe pse vetë ka deklaruar se “jo gjithnjë është në drejtimin e duhur”. Historia e tij politike shpesh ndeshet me moment që dëshmojnë egon e tij për pushtet pa marrë parasysh parimet. /tesheshi.com/
P.S. Debatet mes Ramës e Nanos por më pas edhe mes Ramës e Metës do të jenë pjesë e artikujve të ardhshëm