Debatet e ashpra në Konfernecën e jashtëzakonshme të PD-së, akuzat mes Abdi Baletës dhe Azem Hajdarit
Nga Luljeta Progni
Kur doli me guxim në krye të studentëve atë natë të 8 dhjetorit të vitit 1990, për të rrëzuar sistemin komunist në Shqipëri, Azem Hajdari nuk e kishte menduar se shumë shpejt do të sulmohej egërsisht nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ata që e kishin mbajtur në krahë si heroi i padiksutueshëm i lëvizjes së dhjetorit, dy vite më vonë do ta ndalonin të fliste.
Kjo ka ndodhur në konferencën e 13 gushtit të vitit 1992, ku e gjithë salla e mbushur me drejtues të PD-së në qëndër e në bazë, ishte kundër Azem Hajdarit. Akuza nga më ekstremet iu drejtuan liderit të dhjetorit, duke nisur nga bashkëpunëtor i sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtor i grekëve e deri tek akuzat për korrupsion.
Veç debatit për qeverisjen dhe porobleme të tjera brenda PD-së në atë kohë, Hajdari ishte pozicionuar kundër përfshirjes në forumet drejtuese, të disa përfaqsuesve të ish-të përndjekurve politik. Në fjalën e e tij në konferencë, Berisha paraqiti argumentet e tij përse Leka Toto e Petrit Kalakula duhej të ishin pjesë e këshillit Kombëtar të PD-së. Ndërsa sulmet kundër tyre të Hajdarit, Pashkos, Imamit Zogajt e të tjerë Berisha i cilësoi si luftë klasash.
Pas Berishës, e mori fjalën Azem Hajdari, për të sqaruar pozicionin e tij ndaj ish-të përndjekurve politik dhe të tjera akuza që i drejtoheshin. Por ai u ndërpre disa herë nga salla, në mënyrë të veçantë nga Abdi Baleta.
Pasi e pa të pamundur për të vazhduar fjalimin e tij iu drejtuar Baletës: Profesor Abdiu ke të drejtën tënde të fjalës, por po të duash ta liroj që tani foltoren, hajde.
Në një situatë të tensionuar, përballë thirrjve të shumta të delegatëve të konferencës kundër tij, Hajdari u largua nga podium dhe i la radhën të flasë Abdi Baletës. Pa asnjë hezitim, Baleta iu drejtua podiumit për të deklaruar: ”Zotërinj, po hyjmë në një fazë të rëndësishme të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike nuk mund të jetë më ajo që ka qenë deri më sot. Jo më parti heterogjene, por një parti me struktura, sepse është parti në pushtet. Kundër demokracisë në Shqipëri dhe kundër PD-së vepron sot një front i gjerë kundërshtarësh, duke filluar tek social-komunsitët dhe agjenturat e tyre, që janë: reparte e skalione të fshehura në Partinë Demokratike. Nuk janë një, për mua janë disa. Disa i dimë, disa nuk kuptohen. Ky fraksion, kishte një qëllim të caktuar, kishte strategji të qartë, kishte një organ shtypi: “Koha Jonë”. Vetëm naivët nuk e shihnin një gjë të tillë. Ky fraksion i përbërë nga neokomunistë e ka nisur në mediat e Sigurimit të Shtetit…
Nuk mund të ketë bashkëjetesë midis dy krahëve, neokomunistëve dhe pjesës tjetër të PD-së. Edhe deri tani, bashkëjetesa ka qenë artificiale dhe ndarja është e pashmangshme. Platforma e paraqitur nga mocionistët është një sintezë e akuzave që kanë bërë social-komunistët kundër PD-së. Ata e zhvillojnë tezën e tyre bazuar në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Ata luftojnë me idenë, se nacionalizimi është i rrezikshëm. Ata duan të luftojnë vetëm kundër PD-në dhe jo kundër komunizimit. Mocionistët e quajnë të mirë pluralizimin vetëm kur funksionon nga e majta dhe kur kalon pak qendrën, ata thonë se po shkon drejt ekstremit. Pra, e duan gjysëm spektri pluralizimin…
Pse sulmohet Blerim Çela? Me aq sa di, me aq sa ka mundësi, përpiqet të luftojë korrupsionin. Këta tanët janë duke vepruar më keq se sa anëtarët e byrosë politike, më keq se sa me veturat e Enver Hoxhës, Hekuran Isait…”, tha Abdi Baleta.
Por pas tij ka reaguar Hajdari duke sqaruar pozicionin e tij sa i përket korrupsionit: “I kam sjellë 12 vetura Partisë Demokratike”, tha Hajdari.
Abdi Baleta: Ku i gjete ti? Kush t’i dha? Ia dhanë PD-së apo ty? E kam thënë edhe në parlament dhe do ta përsëris: disa nga kryesia e partisë janë kthyer si anëtarët e byrosë politike, po ata në parti, po ata në qeveri, po ata në parlament, po ata kudo. Ishin thënë shumë gjëra, dhe Arben Lika na i kishte thënë që në fillim dhe duhej dëgjuar. Për fat të keq gjërat nuk ecën aq mirë me ty Azem Hajdari dhe na zhgënjeve. Ti merr vendime në kokën tënde shumë shpesh dhe sidomos në politikën e punëve të jashtme. Sa herë ka nevojë Micotaqis të hedhë ndonjë gënjeshtër rreth Shqipërisë, të thërret ty në takim. Ti shkon takohesh dhe pastaj hedh gënjeshtra. Pastaj vjen fshesa, pastaj na thua po i presin mirë refugjatët etj. Sa herë janë bërë fshesa ndaj emigrantëve?…
Unë kam qënë ndër adhuruesit e Azem Hajdarit. Sot jam i zhgënjyer prej tij. S’mund të jetë më drejtues i partisë. Me anëtarësimin s’mund të merrem unë.
Azem Hajdari: Besoj ishte e nevojshme që të fliste Abdiu para meje me qëllim që të dëgjonit pak demagogji, që të kuptoni ku jeni… (thirrje e fishkëllima nga salla)
Vëllezër! Nëse doni të më dëgjoni më jepni fjalën, më lejoni të flas. Më dëgjoni, sepse unë nuk bie viktimë e politikës së ditës. Po qe puna për politikën e ditës, ju them, se ju keni në dorë heqjen e mandatit, por heqjen e fjalës nuk e keni ju në dorë. Ju lutem shumë më lini të flas.
Nuk kam frikë të dal sot para jush, njerëz, që më keni nderuar dhe ju kam nderuar, as nga e kaluara ime, as e familjes, as e jetës time politike. Nuk i kam kërkuar asgjë Partisë Demokratike dhe deri tani s’mund të thotë, se nuk i kam dhënë asnjë gjë. Emrin vërtet ma keni dhënë ju, vërtet ma ka dhënë populli. Merreni! Ai është i juaji. Por, përjetësisht do të mbetem ai që kam qenë, djali i një pastrueseje e një familje të ndershme. Ai që mendon këtu, që unë dal kundër babës tim duhet ta ketë të qartë, se unë e kam babën burrë të ndershëm, njeri që ka mbajt kazmën në kurriz 40 vjet me radhë. E kam të drejtën morale të mbroj familjen time, veten time. Ju më dëgjoni! S’mund të më ndaloni të flas.
Në këto moment shumë njerëzve ju shkon ndër mend, se PD-ja merr goditje. Nuk merr goditje PD-ja. Sepse politika e ditës mbetet si e tillë, politikë e ditës. Unë e dëgjova që në fillim atë që tha Arben Lika. Unë do t’ia çoj gjyqit ato fjalë të tij, por pasi të ndryshojë drejtësia. Më falni vëllezër. Para tre ditësh Arben Lika erdhi në zyrën time dhe biseduam. Sot ai flet ndryshe, le ta bëjë, është djal i ri… (kundërshti dhe thirrje nga salla)
Ju lutem shumë dëgjoni! Se po thuhet, se e ka marrë sigurimi Partinë Demokratike dhe unë nuk e di kujt do t’ia merrni Partinë Demokratike. (Një zë nga salla: Do ta marrim ty!)
Po na i thoni, të sigurimit kush janë?
(Shumë zëra njëherësh nga salla: Ti je i sigurimit!)
Do të vërtetohet kjo. Asnjëri në këtë sallë nuk mund të thotë, se Azem Hajdari ka spiunu’ këtë, apo atë njeri. Sa i përket konferencës, mendoj se duhet të dëgjohet secili dhe të flasë secili lirisht.
(Zëra nga salla: Je me mocionistët!)
Kryesia e mbledhjes, a ka mundesi të më krijoni kushtet për të folur?
Eduard Selami: Ju lutem uluni dhe lëreni të flasë!
Salla: Cili është pozicioni juaj?
Azem Hajdari: Pozicioni im është i qartë. Jam me Partinë Demokratike. Jam kundër kujtdo që përpiqet të fusë dhe të bëjë pjesë të klanit Azem Hajdarin. Deklarata ime nga SHBA distancohet nga ajo e Gramoz Pshkos në Kuvendin Popullor. Jam i distancuar nga çdo njeri që është në klan. Mocionin nuk e dija se çfarë është, nuk na lanë ta dëgjojmë. E kam lexuar kur është botuar në gazeta. Ka disa pika këtu, që sa për mua si të ishin si të mos ishin, është njësoj. Po të më kishin kërkuar firmën do ta kisha dhënë.
Sa për vazhdimësinë, le të zbatohet statuti i partisë dhe verifikohen mandatet për secilin. Atëherë jemi të qartë. Strategjia filloi… (ndërpitet nga kundërshtitë e sallës)
Ju lutem kam të drejtën e fjalës dhe më lini të flas, sepse unë diku do flas. Qysh në fillim, kur lindi Parti Demokratike, dy linja ishin kryesore: Lirimi i të burgosurve politikë, shtyrja e afatit të zgjedhjeve dhe liberalizimi i ushtrisë. Më thoni kush i kërkoi këto tri pika, Sigurimi i Shtetit? Bëmë sa mundëm, ecën përpara deri sot… Apo dikujt i ka shkuar mëndja se Azem Hajdari do të kërkonte postin e ministrit të brendshëm dhe sot do të gjykohej si diktator?!
Këtë e dija shumë mirë prandaj kur ma ofruan iu thashë: Faleminderit, do të jem përkrah jush jo përkrah tyre. E dija se do të gjendesha një ditë në këtë pozitë si sot, para jush. Jam me ju dhe do jem me ju. Ç’a të keni për mua hajde thoni, ç’a të keni për Neritan Cekën m’i thoni, mua s’më bashkon asnjë gjë me të… (repklikon me sallën disa minuta me akuza e kundërakuza për bashkëpunim me Cekën e mocionistët)
Më lini të flas, se kam të drejtën time të flas. Jo të mbrohem, sepse s’kam për çfarë të mbrohem, as për makinat, as për ndonjë akuzë tjetër. Nuk ka njeri të më thotë, se kam punuar për këtë klan, apo për atë klan… (kundërshti nga salla)
Këtu mund të ketë edhe ndonjë revanshist. Por ta dini mirë, se Azem Hajdari do t’i drejtohet popullit dhe nuk pyet për asnjë revanshist dhe revanshizëm. Është ky, që nuk lini njeri me fol’. Disa njerëz, që nuk kanë mandate, që nuk përfaqësojnë asgjë në demokraci, disa njerëz që kanë ardhur këtu të hedhin mina.
Dikush nga salla: Pse bërtet? Ç’a kërkon? Partia Demokratike është këtu.
Azem Hajdari: Partia Demokratike është në popull dhe jo vetëm brenda kësaj salle. Ore, pse jeni kaq të shqetësuar? Votoni kundër meje dhe unë do t’i bindem rezultatit. Pse keni frikë nga vota zotërinj? Ç’a keni, pse s’më lini të flas?! Hajde ti analizojmë të gjtiha akuzat. S’ka njeri të më akuzojë as për makina as për udhëtimet jashtë shteti, as për shkollën që kam bërë, as për bashkëpunim me ndonjë klan të caktuar… (Kudnërshti nga salla: Je kundër Sali Berishës)
Azem Hajdari: Me Sali Berishën jam e kam qenë dhe s’ka nevojë të më bësh ti me të… (Kundërshtohet sërish nga salla)
Sali Berisha: Zotërinj, ju lutem shumë, ta dëgjojmë. Pasi ta dëgjojmë keni të drejtën e replikës. Të gjithë duhet të dëgjohen.
Azem Hajdari: Unë kundër shokëve të mi nuk dal. Por, thirreni Neritanin e Gramozin dhe le të thonë, se çfarë lidhje kanë me mua! Le ta thonë. Thirreni! Por, unë s’jam në asnjë klan. Në fund të fundit vendoseni siç e keni vendos’. Që ta shpëtoni Partinë Demokratike, zgjidheni Baletën kryetar, sepse keshtu shkruhet nëpër artikujt tuaj.
Ju vazhdoni e shani Azem Hajdarin, në rregull. Po ku e latë Ramiz Alinë, kriminelët e Partisë së Punës? Ku e latë Bllokun? Shumë në rregull. Blerim Çela ka bërë kontrollin, po ku e la Farudin Hoxhën? Ku i la djemtë e udhëheqjes? Si e bëri fushatën Partia Socialiste, si jemi ne! Ata e bënë fushatën me telefona, ju ende s’keni një telefon në shtëpi. Ku e latë gjyqin politik ndaj udhëheqjes?
Vëllezër, një gjë është e qartë. Unë e kam kundërshtuar vendosjen në PD të disave. Po të më kërkoni lista në rregull, por mos i kërkoni Azem Hajdarit sqarime dhe mos i bëni sulme për të mbuluar disa sende, që po ndodhin. Janë pesë mijë studentë që kanë mbaruar vjet e sivjet shkollën dhe ende janë pa punë. Nuk i kam lënë unë pa punë dhe s’po i përdor për kapital politik. Por iu është mbyllur dera… (Ndërpritet vazhdimisht nga salla kryesisht nga Abdi Baleta..
Azem Hajdari: Abdi, të lutem shumë. Në rast se di ndonjë fjalim tjetër të Enver Hoxhës, të lutem shumë hajde e lexoje… Atëherë rri. Ti ke përçarë diasporën. Ti e ke mbjell fashizimin në Shqipëri. Ti je turpi i PD-së. Nuk merrem më me ty, po ik…
/tesheshi.com/
Në numrin e ardhshëm: 13 gusht 1992/ Përplasja mes Berishës e Arben Imamit për mocionin