Në ciklin e shkrimeve për gushtin e vitit 1992, kur Partia Demokratike pësoi krisjen e parë të saj, ndarjen e themeluesve, botohen detaje të debatit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së më 5 gusht të këtij viti.
Në këtë mbledhje në qëndër të sulmeve të shumicës së Këshillit Kombëtar është Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore dhe më pas kryetar i parë i Partisë Demokratike.
Një grup i ri i angazhuar në forumet drejtuese të PD-së, i përkiste shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Ata u cilësuan si ekstremistë nga Azem Hajdari, por edhe themelues të tjerë të PD-së të cilët tashmë ishin pozicionuar si mocionistë.
Pjetër Arbnori, Leka Toto, Petrit Kalakula e të tjerë, u përfshinë në Këshillin Kombëtar të PD-së si përfaqësues të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Ata sulmuan ashpër qëndrimet e Neritan Cekës, Arben Imamit, Preç Zogajt, Gramoz Pashkos, Arben Demetit, e të tjerë. Humbja e PD-së në zgjedhjet lokale të 26 korrikut të këtij viti, sipas Berishës, Selamit dhe të rinjve që ishin angazhuar rishtaz në Këshiillin Kombëtar të PD-së, i faturohej pikërisht mocionistëve.
Por Azem Hajdari, i cili nuk ishte rreshtuar me mocionistët, ishte akuzuar si një ndër përgjegjësit për humbjen sipas drejtuesve të PD-së.
Në kohën kur kishte nisur debati në PD, pas zgjedhjeve të 26 korrikut, Hajdari ndodhej për një vizitë në SHBA. Ndërkohë ai kishte bërë një deklaratë të rëndësishme nga SHBA, ku kishte theksuar ndër të tjera se sapo të kthehej në Tiranë do të angazhohej në rrëzimin e qeverisë. Kjo deklaratë u kundërshtua nga Hajdari, kur ai u përball me akuzat në mbledhjen e Këshillit Kombëtarë të PD-së në 5 gusht 1992.
Akuzat e Berishës dhe drejtuesve të tjerë të PD-së, i adresoheshin Hajdarit përmes përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që sapo kishin hyrë në këtë forum si anëtarë.
Debate mes Hajdarit dhe Pjetër Arbnorit por edhe të tjera debate vijnë përmes dy artikujve të publikuar me datën 6 dhe 7 gusht 1992 në gazetën “Rilindja Demokratike”.
Thelbi i qëndrimit në këto dy artikuj pa autor duket qysh në titujt e tyre.
“Demokratët sezonalë”, “Edhe toleranca e durimi kanë kufi”, “Demokratë me fjalë, agjenturë e PS-së me vepra”, janë titujt e artikujve kryesorë të RD-së, ku dhe evidentohet qartë fryma me të cilën u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëatr të PD-së më 5 gusht 1992. Më poshte ribotohen të plotë.
“Demokratët sezonalë”
“Ky Këshill Kombëtar mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe PD-në. Mblidhet në një kohë, kur PD-ja ndodhet përballë një koalcioni të egër socialisto-komunist dhe pseudodemokratëve, të cilët i kundërvihen PD-së, asaj partie, që realizoi fitoren më të rëndësishme të këtij shekulli pas shpalljes së pavarësisë. Prandaj, sot është absolutisht e domosdoshme të mbrohet demokracia. PD-ja e filloi luftën kur kishte përballë një diktaturë të egër, prandaj edhe këtë luftë do ta fitojë”, pjesë nga fjala e Berishës.
Eduard Selami, evidentoi ndër të tjera si një arsye të humbjes në zgjedhje, mungesën e angazhimit të disa zyrtarëve të partisë dhe ata ishin pikërisht mocionistët.
Në seancën e dytë, e cila u zhvillua pasdite në orën 15:00, u konkretizuan debatet mes palëve. Qysh në fillim u bë e qartë, se konfrontoheshin masa dërrmuese e anëtarëve demokratë të vërtetë të këshillit kombëtar me 4-5 kokrra pseudodemokratë me platformë të qartë organizative dhe ideore kundër PD-së, kundër demokracisë, kundër interesave kombëtare. Kristalizimi i tyre, si klan apo fraksion, nuk rrjedh nga bindjet e tyre, nga dëshira për diversitet mendimesh, por nga skenari që kanë marrë përsipër për të zbatuar. Siç është bërë tashmë e qartë, një nga regjizorët apo aktorët kryesorë të tij, është Neritan Ceka, mbrojtës i flaktë i kuadrove të SHIK-ut dhe i privilegjuar prej tij. Edhe atëherë kur karta Ceka u dogj vetë plotësisht, zotërinjtë Imami, Hajdari, Zogaj etj mbajtën miqësinë dhe lidhjet me zotin Neritan Ceka, i cili nga ana e tij, po kështu e ruajti dhe e forcoi miqësinë e tij me zotin Irakli Koçollari. Në mbrojtje të grupit fraksionist u shprehën edhe zotërinjtë Arben Demeti, Ridvan Peshkëpia e Shahin Kadare. Por ata u gjendën si ishull i vogël mes oqeanit. Në qendër të kritikave të hapura, të ashpra dhe të argumentuara u vu edhe z. Preç Zogaj, qoftë për inaktivitetin e gjatë si drejtues i PD-së, qoftë për helmin e shprehur në shkrimet e tij, veçanërisht në “Koha Jonë”, qoftë për mbrotjen e hapur dhe subjektive të Frrok Çupit, një nga armiqtë më të egër të PD-së dhe demokracisë, një njeri me të kaluar të errët dhe të sotme me njolla të shumta korrupsioni.
Disa diskutantë analizuan dhe kritikuan veprimtarinë dhe disa deklarata të zotit Arben Imami. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 26 korrikut ai nuk pranoi detyrën e kryetarit të Komisionit Qendror Elektoral dhe mbajti një qëndrim pasiv, duke mos kryer detyrat si nënkryetar i PD-së. Z. Imami në diskutimin e tij, krahas justifikimeve dhe kundërshtive të paargumentuara, paraqiti edhe një mocion apo deklaratë.
- Sali Berisha propozoi që këtë, ai dhe shokët e tij, t’ua lexojnë elektoratit të tyre, sepse kështu populli do të ketë mundësinë të njohë më mirë fytyrat e tyre të vërteta.
Gati të gjithë diskutantët u ndalën në gabimet dhe deklaratat subjektive të gabuara dhe të dëmshme të z. Azem Hajdari. Pozicioni i tij u bë edhe më i qartë, kur u deklarua se në një telefonatë nga SHBA-ja, është shprehur, se sapo të kthehej do ta rrëzonte për pesë ditë qeverinë Meksi. Pas kësaj ai thellohet më tej në këtë rrugë me mitingun e organizuar në Shijak, të martën pasdite, kur nga PD-ja u organizua një miting mbarëpartiak me rastin e fitores në zgjedhjet e 26 korrikut. Nga komisioni drejtues i PD-së i degës së këtij qyteti, u shprehen pakënaqësi dhe protestë ndaj ideve të z. Azem Hajdari, i cili arriti deri aty sa ta quante mitingun e Kavajës, si përpjekje për të sabotuar atë të Shijakut. Në këtë insinuatë, z. Hajdari bën përpjekje për të kundërvënë ndaj njëri-tjetrit popullin e Kavajës dhe të Shijakut, si dy qytete të mirënjohura për mirëkuptimin tradicional dhe frymë të lartë demokratike.
Gati të gjithë diskutantët kritikuan tolerancën e gjatë të treguar ndaj elementëve pseudodemokratë, që duke arritur të ngjiten edhe në udhëheqjen e PD-së, arritën t’i shërbejnë PS-së për përçarjen dhe diskretitimin e saj, për të sabotuar reformën me veprime konkrete dhe deklarata e shkrime, të cilave u kanë bërë jehonë “ZP” e “Koha Jonë”. Gjithashtu u kërkua si domosdoshmëri, që të mblidhet sa më parë dhe brenda këtij muaji konferenca e jashtëzakonshme kombëtare e PD-së, e cila ka kopetenca për të marrë masa e vendime. Në aktiv u shpreh qartë rezonanca e plotë e plaformës ideore të pseudodemokratëve me strategjinë e PS-së. Avazi i vjetër i PS-së dhe i “ZP” për rrezikun e një monizmi të ri në PD, të një diktature të djathtë, u dëgjua nga goja e tyre edhe në aktiv.
Qëllimi i tyre lexohet lehtë: të humbasë PD-ja zgjedhjet lokale, të dobësohet dhe të diskretitohet sa të pranojë koalicionin me PS-në. Z. Agron Çika solli në aktiv një dokument, ku del se z. Neritan Ceka ka dëshmuar për arkeologun Astrit Qorri nga Durrësi, i cili me këtë dëshmi u dënua dhe vuajti 10 vjet burg. Ai dhe diskutantë të tjerë kërkuan me forcë hapjen e dosjeve për pseudodemokratët, politikanët dhe qeveritarët e pushtetit qendror dhe lokal, një luftë të vendosur dhe frontale nga ana e qeverisë kundër korrupsionit, që është armiku më i rrezikshëm i demokracisë. Kjo do të bëjë të mundur që të zgjidhin enigmën Ceka, Pashko, Tozaj, Çupi, Danaj etj”.
RD, 06 .08 .1992
Korrespodent i RD (Artikulli nuk ka emër autori)
Përmbledhje diskutimesh në aktivin e këshllit kombëtar të PD-së
“Më thoni kush është për revanshizëm të djathtë?”, ju drejtua autorëve të mocionit, Agron Çika. Më tej ai tha: Më thoni kush ka kërcënuar popullin e Përmetit, se do t’i rrethonin me tel me gjemba në se do votonin për PS-së? Gramoz Pashko pra, njeri i krahut të moderuar. Pra, nuk na qënka i krahut të djathtë. Atëherë, pse akuzoni se PD-ja po kërcënohet nga krahu i djathtë? Kush na qenka e djathta? Mos vallë tërë kjo zhurmë bëhet për të krijuar idenë e një rreziku nga e djathta për të shkarë PD-në nga e majta? Më thoni kush ka folur për çekun e bardhë, për hakmarrje ndaj komunistëve? A nuk janë po ata njerëz të “krahut të moderuar”? Atëherë kush na qenka rreziku i PD-së?
“Kam patur respekt për profresor Arben Imamin”, tha në fjalën e tij ish-studenti Bardhyl Ukcama, “por tani nuk mund të rri pa i thënë, se do ta dëgjoja me respekt çdo vërejtje të tij, nëse ai do t’i dilte me pastërti këshillit kombëtar të PD-së, nëse ai dhe homologët e tij do të kishin punuar gjatë fushatës elektorale me mish e me shpirt dhe pas fitores, që do të ishte më e thellë se ç’u arrit, ata të shprehnin rezervat e tyre. Atëherë do të kishin të drejtë morale. Por ata të gjithë, po e pranojnë vetë, se kanë pritur t’i angazhojnë të tjerët në këtë luftë për jetë a vdekje me komunizmin dhe neokomunizmin. A mund të pranohet që një nënkryetar partie dhe disa anëtarë të Komitetit Drejtues të PD-së të presin urdhra që të kontribojnë në fushatën elektorale për partinë, që ata ende e quajnë të tyre? Kjo ndodh, sepse jo gjithnjë zgjedhjet e njerëzve, madje ata të këshillit kombëtar, janë bërë nxituar.
Pjetër Arbnori: Udhëheqësit e PD-së i kemi zgjedhur vetë ne, askush nuk na i ka imponuar dhe zoti Azem Hajdari e di mirë këtë punë, prandaj t’i shoshitë mirë fjalët që thotë dhe të gjejë veten në një pozicion. Sali Berishës ia kemi dhënë ne pushtetin kur donte t’ia rrëmbente Neritan Ceka dhe ata përreth tij. Dhe president e zgjodhëm të gjithë unanimisht, madje jo vetëm ne, por edhe shumica dërrmuese e parlamentarëve të tjerë. Se dihet roli i jashtëzakonshëm i Sali Berishës në fitoren e 22 marsit, ky kontribut u vlerësua edhe në Europë.
Azem Hajdari: Dua të sqarohem për arsyet dhe shkaqet përse u nisa për në Amerikë si dhe për atë çfarë z. Sali Berisha dhe z. Eduard Selami kanë deklaruar në mbledhjen paraardhëse të këshillit kombëtar. Unë jam për ballafaqimin e mendimeve brenda PD-së. PD-ja duhet rikonstruktuar. Gjithnjë ka mbetur pronë e shumicës demokratike. Sa për atë, që thuhet se mos Azem Hajdari është i pakënaqur, apo se nuk u shpërblye me pushtet, kjo nuk është hiç e vërtetë, se unë nuk kam merituar pushtet. Unë kam aftësi të dialogoj me njerëzit, me masat. (Më tej Hajdari shprehu rezervat për ardhjen në parti të Tomor Dostit e Leka Totos, por ky mendim u kundërshtua nga z. Berisha.
- Ferizaj: Çuditem përse na quajnë ekstremistë të djathtë? Pse rrëzojmë komunizmin, në të gjithë nivelet e tij? Pse rrëzojmë të vjetrën? Po si duhet të bënim sipas të moderuarve tanë?…
- Kalakula: Po luhet shumë me fjalën Intelektualë. Intelektualë, PD-ja ka me mijëra dhe intelektualë quhen ata që njohin prirjen e së nesërmes, prirjen e demokracisë, që njohin nga vjen rreziku i komunizmit dhe jo ata, që po përpiqen të na afrojnë me të me kompromise.
- Musaraj: Sot nuk arrij ta kuptoj zotin Arben Imami. Unë zakonisht nuk kuptoj Fatos Nanon… Kemi luftuar me komunizmin përballë, por ai është edhe mes nesh, i pastër fare. Sa për Azem Hajdarin, Azemi është Azem dhe nuk e di a do mbetet i tillë, apo jo.
Leka Toto: Ardhja në PD e ish-të përndjekurve politikë është nder për PD-në dhe demokracinë. Ne nuk kemi qenë dhe as do të jemi për revansh. Njerëzit që kanë vuajtur vetë, kurrë nuk i duan vuajtjet e të tjerëve. Ne duam të vemë drejtësi, se për drejtësi kemi vuajtur tërë jetën. Dialogu padyshim është i nevojshëm, por ai duhet të ruajë kufijtë brenda sinqeritetit. Intelektuali ka për detyrë të bëjë këtë gjë, t’i hapë vizion për demokracinë popullit dhe jo t’ia turbullojë atë.
RD, 07.09. 1992
Artikullin e ardhshëm: debatet mes Abdi Baletës dhe Azem Hajdarit në Konferencën e Jashtëzakonshme të PD-së më 13 gusht 1992
/tesheshi.com/