Nga Ekrem Buğra Ekinci
Ushtria turke e zhvendosi pak kohë më parë tyrben e Sulejman Shahut në një vend më pranë kufirit turk. Megjithatë, ka patur disa diskutime mbi identitetin e eshtrave në tyrbe, që i përkasin një paraardhësi të Perandorisë Otomane.
Ashtu siç bën me dije tradita historike, klani me origjinë turke Karakeçili i fisit Kajë (Kayı), që themeloi Perandorinë Otomane, në shekullin e nëntë bëri për në Iranin lindor nëpërmjet bregut lindor të Detit Kaspik bashkë me selçukët. Kur selçukët dolën fitimtarë ndaj bizantinëve në betejën e Malazgirtit më 1071, ata u shpërngulën drejt perëndimit, dhe pushtuan Anadollin.
Pas betejës së Malazgirtit, i pari i klanit Karakeçili, Kaja Alpi, u vendos në qytetin e Ahlatit, në bregun e liqenit Van. Por kur dinastia harzemiane filloi t’i afrohej Ahlatit, njerëzit e klanit kërkuan të kthehen në tokat e tyre të vjetra. I biri dhe pasuesi i Kaja Alpit e pranoi kërkesën e popullit të tij dhe u drejtua për në jug. I hipur në kalin e tij, ndërsa kalonte Eufratin, ai nuk e kuptoi se para kishte një shkëmb të thepisur, dhe u rrëzua e u mbyt. Ai u varros nga populli i tij në kalanë e Xhaberit, e cila gjendej brenda kufijve të Sirisë së sotme. Historianët vënë në dukje se kjo kala u banua në periudhën vijuese nga një fis tjetër turkmen, dygerët, dhe ai u quajt “varri turk”.
I pari i klanit Karakeçili, i cili u mbyt në Eufrat, kishte katër djem. Dy prej tyre vendosën të merrnin një pjesë të klanit dhe të ktheheshin në tokat e tyre të mëparshme, duke ecur në gjurmët e babait të tyre. Por dy djemtë e tjerë, Erturuli dhe Dyndari, zgjodhën më 1227 të qëndrojnë në Anadoll me 400 familjet e mbetura. Pas kësaj, sulltani selçuk e vendosi klanin në kufirin veriperëndimor bizantin, ku ata ngritën një principatë autonome (bejlik).
Por ç’emër ka ky person i lavdishëm, i cili është paraardhësi i një perandorie që sundoi për gjashtë shekuj mbi pjesë të tre kontinenteve? Ndërsa disa historianë otomanë pretendojnë se ai është Sulejman Shahu, të tjerë pretendojnë se është Gyndyz Alpi. Të dyja argumentet janë me shumë mundësi të vërteta, ndërsa i pari është një emër arab, dhe i dyti një emër turk. Ashtu siç është e ditur, turqit përdorën pas kthimit në Islam emrin e tyre tradicional turk, si edhe emrin e tyre arab. Varrit turk iu kushtua kujdes gjatë Perandorisë Otomane, dhe pasi perandoria i humbi tokat e saj në rajon pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-n, francezët e pranuan autoritetin turk mbi tyrben e Sulejman Shahut në Traktatin e Ankarasë, të nënshkruar nga përfaqësuesit e qeverisë së krijuar nga Mustafa Kemal Ataturku dhe nga përfaqësuesi kolonial francez Franklin Bouillon, dhe gjithashtu përcaktuan kufirin turko-sirian.
Neni i nëntë i traktatit thoshte, “Varri në kalanë Xhaber i gjyshit të themeluesit të dinastisë otomane, Sulejman Shahut, që është i njohur si varri turk, do të mbetet me të gjithë anekset e tij pronë e Turqisë, që mund të caktojë roje për të dhe mund të ngrejë flamurin turk atje.” E njëjta dispozitë u pranua nga të gjithë në takimin për Traktatin e Lozanës. Flamuri turk po valëvitet që atëherë, dhe një togë ushtarësh turq e ka ruajtur tyrben, të quajtur tokë turke. Pas marrëveshjes midis qeverisë turke dhe Sirisë në vitin 1956 u vendos që ushtarët do ta ndërronin rojën në ditën e shtatë të çdo muaji dhe do të merrnin furnizim në ditën e njëzetë.
Tyrbja, e cila u rindërtua nga Selimi I, ishte dhjetë metra e gjatë, pesë metra e gjerë, dhe e zbukuruar me motive selçuke. Ajo u restaurua nga Abdylhamidi II, i cili ishte i njohur për respektimin e etërve të tij dhe të figurave të tjera të spikatura në historinë otomane. Kur gazetari Refik Halid Karaj, i cili ishte syrgjynosur nga qeveria e themeluar nga Ataturku, e përshkroi gjendjen pikëlluese të tyrbes në një prej shkrimeve të tij më 1929-n, ajo u restaurua më 1936 nga Ministria e Arsimit Kombëtar të asaj kohe.
Në tyrbe ka tre qivure. Besohet se ai që është në mes i përket Sulejman Shahut, njëri nga to një prej djemve të tij, e tjetri një pjesëtari të familjes. Për tyrben u përkujdes tyrbedari (kujdestari i tyrbes), dhe ushtarë nga Urfa dhe Akçakaleja qëndruan roje në postën pranë saj, të ndërtuar në vitin 1938. Me muret e bardha, ndërtesa ishte një herë e një kohë më shkëlqimtarja e asaj hapësire.
Kalaja e Xhaberit është 100 kilometra nga kufiri turk, mbi një kodër, në anën e majtë të Eufratit. Ajo është 50 kilometra nga Rakkaja, dhe 110 kilometra nga Halepi. Ndonëse emri origjinal i saj ishte Davsara, ajo u quajt kalaja e Xhaberit ndërsa një komandant arab i quajtur Xhaber e çliroi atë, dhe rajonin e popullojnë turkmenët nomadë. Edhe pse kalaja e ka humbur me kohën rëndësinë strategjike, dikur qe një vend me peshë, dhe qe dëshmitare e shumë ngjarjeve historike. Për më tepër, rrëzë kësaj kalaje qe varri turk.
Kur Siria deklaroi pavarësinë, socialistët nacionalistë arabë deshën t’i zhduknin gjurmët e Perandorisë Otomane në tokat e tyre. Duke pretenduar se varri do të përmbytej për shkak të digës së Tabkasë, ndërtimi i së cilës nisi më 1966, ata kërkuan që tyrbja të zhvendosej në Turqi. Në përgjigje të kësaj, tyrbja u mbart e u vendos në fshatin Karakozak të Halepit. Ndërtimi i digës përfundoi më 1973, por në vitin 2006 e kërcënoi përsëri tyrben ndërtimi i digës së Teshrinit. Si rezultat, zyrtarët u përpoqën ta shmangnin kërcënimin duke e zhvendosur përsëri dhe duke e rindërtuar postën. Tyrbja dhe kompleksi i saj, i shtrirë në dy akra e gjysmë, u vendos atëherë 30 kilometra nga kufiri turk, si një ishull në liqenin e digës.
Për shkak të trazirave të kohëve të fundit dhe luftës civile në Siri, tyrbja e Sulejman Shahut ishte nën kërcënimin e Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), teksa e kërcënuan Turqinë se do ta shkatërronin atë së bashku me postën ushtarake. Kur Ankaraja u shpreh se do të reagonte ashpër, Turqia erdhi në prag të luftës. Përfundimisht, tyrbja e paraardhësit të lavdishëm u zhvendos për herë të tretë, më 22 shkurt, edhe më pranë kufirit turk, për ta mbrojtur atë, e bashkë me të dhe ushtarët në postën ushtarake, nga veprimet luftarake në rajon. Dhe kështu, varri turk, i cili ishte simbol i sundimit shumëshekullor otoman në rajon, e që hera-herës shkaktoi tensione midis qeverive turke dhe siriane, nuk është më në kalanë e dikurshme, por shumë larg saj.
Përktheu: Bujar M. Hoxha