Nga Harrilla Koçi
Rreth orës 04.00 të mëngjesit të datës 13 tetor të vitit 2003, Komisioni Zgjedhor që ishte vendosur në një nga zyrat e katit të dytë të Bashkisë së Himarës, pezulloi procesin e numërimit të votave për zgjedhjen e kryetarit të kësaj njësie të qeverisjes vendore.
Kishin kaluar orë mjaft të lodhshme dhe të mbushura me tensione. Veçanërisht e tillë ishte mbrëmja e 12 tetorit, kur mjaft simpatizantë të kandidatit të PBDNJ-shit, Vasil Bollano, të irrituar nga vonesat në nxjerrjen e rezultatit, protestuan përpara sheshit të Bashkisë, madje duke krijuar edhe incidente sikundër ishte ai me flamurin grek që u shpalos nga brenda turmës që ishte vendosur përballë godinës ku ndodhej Komisioni.
Më parë, gjatë ditës, ishin rregjistruar edhe disa incidente të tjera më të vogla, por, që gjithsesi, e kishin tensionuar situatën.
Gjatë gjithë ditës së 12 tetorit, isha në lëvizje. Raportoja në vazhdimësi për BBC-në dhe për Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Për shkak të peshës që zinte Himara, në gjeografinë elektorale të atyre viteve, në të gjitha zgjedhjet unë vendosesha në këtë zonë, ku ndiqja nga afër të gjitha zhvillimet. Përpiqesha të isha sa më profesional dhe i ftohtë në përcjelljen e lajmeve, të cilat duhej të ishin të vazhdueshme. Kështu edhe atë ditë. Zhvendosesha nga njeri fshat në tjetrin, nga një qendër votimi në tjetrën. Teksa ndiqja një shqetësim që kishte lindur në Himarë- Fshat, njoftohem se, një tjetër problem po përjetohej në një qendër votimi në Qeparo Fshat, ku ishte “zhdukur” vula e komisionit.
Me ndihmën e miqve të mi në këtë qytet, siguroja transportin e shpejtë për të mbërritur në kohë, atje ku kishte “material gazetaresk”.
Orët e mbrëmjes erdhën të ftohta dhe, në atë mjedis ndihej një lloj shqetësimi i pashprehur. Diçka dukej se do të ndodhte, pavarësisht se askush nuk e artikulonte këtë gjë. Ndërkohë, qendrat e votimit ishin mbyllur dhe pas kryerjes së procedurave, ato nisën të mbërrinin pranë Komisionit Zonal Zgjedhor, që ishte vendosur në katin e dytë të godinës së Bashkisë.
Dy ishin kandidatët potencialë për kreun e bashkisë, Vasil Bollano i PBDNJ dhe Jorgo Goro, i Partisë Socialiste.
Deri në orën 04.00, nga 13 qendra votimi ishin numëruar 11 ku rezultonin 2127 fletë votimi të vlefshme nga të cilat 1276 për Bollanon dhe 732 për Goron. Pjesa tjetër, 119 vota kishin kaluar për kandidatët e tjerë.
Isha i vetmi gazetar, që ndodhesha në atë orë të vonë brenda atij mjedisi ku punonte komisioni, në prani edhe të përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA, OSBE. Hoteli, ku kisha prenotuar dhomë, ndodhej disi larg dhe nuk më interesonte të largohesha e të humbisja finalizimin e atij procesi, që, në fakt, pritej të mbyllej atë natë të stërzgjatur. Në mbrëmje, kisha përjetuar edhe ato momente tensioni të pazakontë, kur, turma protestoi ashpër ndaj vonesave të punës së Komisionit Zgjedhor.
Isha shumë pranë, madje, grupit prej ku u shpalos flamuri grek. Një vajzë, që kishte qenë aty gjatë gjithë kohës, papritmas lëvizi në mënyrë të beftë dhe në atë gjysmë errësirë e gjysmë dritë të asaj mbrëmjeje të ftohtë tetori, nxorri nga veshjet e saj, flamurin, të cilin e shpalosi duke e shoqëruar me fjalën “Greqia, Greqia”, në gjuhën greke.
Problemet nisën pasditen e së dielës së 12 tetorit. Simpatizantët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. prisnin përballë godinës ku ishte vendosur komisioni zgjedhor, për të mësuar fitoren e pritshme të kandidatit të tyre, Bollano. Në mbrëmje, mes grumbullit të tyre nisën sharjet, ndërkohë që u shfaq një flamur i Greqisë, të cilin e shpaloste një vajzë emigrante në Greqi.
Mburoja e forcave të rendit, nuk i lejoi protestuesit që në orët e mesnatës të hynin në mjediset ku punonte Komisioni Zgjedhor Vendor. Të shtunën në Himarë kishin mbërritur nga Athina, 11 autobuzë me rreth 600 votues. Udhëtimi për në 12 tetor dhe kthimi të nesërmen ishte falas.
Ndërkohë, interesi i medias greke ishte shumë i dukshëm. Herë herë, gazetarë, të mediave greke shfaqeshin mes protestuesve. Në këto momente rregjistrohet një shpërthim eksplozivi në qendrën e votimit në Himarë Fshat. Plagoset polici 35 vjeçar Meleq Peçulaj dhe qytetari Vasil Gjika. Për këto incidente, subjektet politike akuzonin njera tjetrën.
Ndërkohë, policia arrestoi shtetasin Kozma Pelo, nga Himara, si autor të shpërthimit të tritolit. Palët politike akuzojnë njëra-tjetrën për incidentet në radhë.
Kishin kaluar disa orë nga këto incidente. Tek anëtarët e komisionit nisi të ndihej lodhja. Kryetari i Komisionit, Iliri, përfaqësues i PS-së, mundohej të inkurajonte kolegët e të ruante ritmin. Ishte kryer puna më e madhe dje gjithçka pritej të shkonte shumë shpejt drejt finishit. Por….komisionerët e lodhur, nuk mund të vazhdonin. Dikur, pak pasi kishte kaluar ora 04.00, ata vendosën të ndërprisnin procesin dhe ta rinisnin atë të nesërmen. Me shumicë votash, puna u ndërpre…
Por ….për të vazhduar procesin e numërimit, për dy kutitë e mbetura, duhej të kalonin edhe më shumë se 24 orë. Kutitë e dy qendrave të votimit, ato me numër 4588 të Himarës Fshat dhe 4585 të Dhërmiut, u dërguan në KQZ në Tiranë, e cila shpalli më pas fitues Bollanon.
Kështu nisi karriera e Vasil Bollanos në krye të bashkisë së Himarës, por bashkë me të edhe e ajo ridimensionimit të emrit dhe staturës së tij që, shumë shpejt do të kapërcente kufijtë e kësaj bashkie, jo thjesht për mënyrën e drejtimit të njësisë së qeverisjes vendore, por së pari si protagonist në manifestimin e mjaft qëndrimeve për origjinën e banorëve të kësaj krahine.
-Tetor 2000: “Aleanca për Kombin”, sfidon Bollanon-
Në fakt, Bollano kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e tetorit të vitit 2000 për kreun e bashkisë, nën siglën e Partisë Bashkimi për të Drejatat e Njeriut, e drejtuar nga Vasil Melo. Por, në këto zgjedhje ai humbi përballë kandidatit të PS-së, Viktor Mato, në një proces zgjedhor, që Bollano e kontestoi dhe që u zhvillua me dy raunde.
Në ato zgjedhje ai u akuzua se bëri një fushatë jo të pastër, për shkak se, një nga premtimet që bëri, ishte ajo e ofrimit të vizave greke në këmbim të votave.
Por nuk arriti të fitonte, për shkak të strukturimit në këto zgjedhje, të asaj që u emërtua “Aleanca për Kombin”, ku u bashkuan në një grupim të gjitha partitë shqiptare kundër PBDNJ-së. Në raundin e parë, Bollano mori në ato zgjedhje pak më shumë se 1200 vota. Por, për të përcaktuar fituesin, u desh të zhvillohej raundi i dytë, ku 1100 votave të PS-së, ju bashkuan 600 të PD-së, 500 të PSD-së dhe dhjetëra të tjera të partive të vogla. Për rrjedhojë, Viktor Mato, u shpall fitues.
-Pas Bashkisë edhe “Omonia”-n-
Pasi erdhi në krye të Bashkisë, aktiviteti i Bollanos nisi të strukturohej edhe në dimensione të tjera, përveçse në atë të administratorit të njësisë së qeverisjes vendore. Deklaratat pasonin njëra-tjetrën dhe Bollano u shndërrua brenda një kohe relativisht të shkurtër, në një personazh të njohur, protagonist në shumë ngjarje e deklarata që kishin në sfond Greqinë dhe minoritetin grek në vendin tonë.
Duke forcuar pozitat dhe gjithashtu edhe simpatinë e Athinës, ai zgjeroi objektivat më tej, duke synuar organizatën “OMONIA”, çka do ta realizonte disa vite më vonë, në 2008-ën.
Ndërkohë, paralelisht me këtë, ai përmes duke shfrytëzuar autoritetin që i jep ligji mbi punonjësit e zyrës së gjendjes civile, kryebashkiaku bllokoi procesin e rregjistrimit, ose “pasaportizimit” si qytetarë të Himarës, të të të ardhurve pas vitit 1990-të.
Një nga pikat kulmore të CV-së së tij, gjatë këtyre viteve është ajo e dënimit nga Gjykata e Vlorës, me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Por, vlerësohet se, ky proces i shërbeu atij për të forcuar më tej pozitat brenda organizatës OMONIA, për të kaluar nga funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm në atë të kryetarit.
-Zgjedhjet e 18 shkurtit 2007-
Megjithë monitorimin e zgjeruar, zgjedhjet në Himarë, as këtë radhë nuk kaluan pa incidente. Gjatë një mitingu elektoral të PBDNJ-së në fillim të muajit shkurt, u desh ndërhyrja e policisë që një incident të mos degjeneronte në viktima. Tre të arrestuar dhe një person që përfundoi pa ndjenja në urgjencën e Himarës, ishte bilanci i këtij incidenti që riktheu dhe një herë skenat e fushatave të nxehta elektorale të viteve 2000 dhe 2003.
Gjithçka ndodhi kur 3 persona nisën të fyejnë të pranishmit në miting të cilët nga ana e tyre, brohorisnin në greqisht dhe mbanin në duar flamuj bardheblu. Pak minuta pasi nisi mitingu, nga një autoveturë që u afrua pranë sheshit zbritën tre personat të cilët mbanin në dorë një megafon.
Ata nisën të hidhnin parrulla kundër kryebashkiakut të Himarës, Bollano, madje duke e akuzuar për abuzime me detyrën. Personi që mbante megafonin hodhi edhe parrulla në mbështetje të ish kryeministrit Berisha, çka provokoi tension dhe përleshje fizike.
Qetësia u rivendos vetëm pas ndërhyrjes së policisë.
-9 Maj 2011 Goro: E prisja fitoren, Bollano më uroi me sms
Gjergji Goro, i cili fitoi zgjedhjet në Bashkinë e Himarës si përfaqësues i Partisë Socialiste, deklaroi një ditë pas përfundimit të procesit se, e priste këtë fitore.
“Ishte një rezultat që unë e kisha parashikuar dhe isha i qetë, vecanërisht në kutinë e fundit ku numëroheshin 100 vota”, tha ai.
Goro nënvizoi se, procesin e numërimit në kutinë e fundit që i përkiste një qendre votimi në qytetin e Himarës, e ndoqi së bashku me kryetarin aktual Vasil Bollanon. Sipas tij, rezultatet e votimit në qytet ishin të barabarta mes dy kandidatëve dhe gjithçka u vendos në momentet e fundit. “Bollano më uroi me sms për fitoren”, citoi zoti Goro.
Në zgjedhjet vendore të 8 majit, në bashkinë e Himarës kandiduan katër emra, mes të cilëve Gjergji Goro(PS), Vasil Bollano(PBDNJ), Savo Prifti(PD) dhe Dhimitër Llazari(MEGA).
Gjergji Goro fitoi me 95 vota më shumë se rivali i tij më i afërt Bollano.
-Momentet më të spikatura të jetës politike të Bollanos-
Ka lindur në dt.11-07-1956 në Durrës, por në vitin 1966 familja e tij u internua në fshatin Plug të Lushnjes. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Është angazhuar me organizatën “Omonia” dhe PBDNJ në vitin 1997 dhe në strukturat drejtuese në 1998.
Në vitin 2000 kandidoi për herë të parë përballë Viktor Matos së PS-së, por humbi pas dy raundesh zgjedhore. Rikandidoi në vitin 2003 dhe fitoi përballë Jorgo Goros(kryetari aktual i Bashkisë së Himarës), së Partisë Socialiste.
Në zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007, u përball me A.Taton e PS-së dhe Dhimitër Llazarin e PD-së, por u rikonfirmua në krye të bashkisë me 1264 vota, nga 2316 fletë votimi të vlefshme, në 15 qendra votimi.
Në zgjedhjet e 8 majit të vitit 2011, ai humbet përballë rivalit të vjetër, Jorgo Goro të PS-së. Nga 3630 vota të vlefshme, Bollano mori 1472 vota, krahasuar me 1562 vota që mori Goro, ndërkohë që kandidatët e tjerë morën pjesën e mbetur.
Gjithsesi, proceset zgjedhore në këtë bashki, kanë qenë përherë të tensionuara dhe me probleme.
Ndërkohë, gjatë këtyre viteve në Himarë kanë ndodhur incidente të ndryshme me sfond çështjen kombëtare. Nga ana tjetër, Bollano është shfaqur përherë me protagonizmin e vet, në mjaft ngjarje e situata që kanë dalë nga kornizat lokale dhe janë shtrirë në dimensione shumë më të gjera, kombëtare, po jo vetëm.
Në një tryezë të zhvilluar në dhjetor 2009 në Tiranë me temë “Minoritetet, pjesëmarrja dhe integrimi”, Bollano do të deklaronte se, shumica e popullsisë së jugut të vendit, 3/5, i përkiste minoritetit grek. Kjo deklaratë e tij, u pasua me mjaft reagime të niveleve të ndryshme.
Në një prononcim të tij, politikani Sabri Godo theksoi se, “Kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano ka prekur integritetin tokësor të Shqipërisë. Kryeministri Berisha duhet ta pushojë menjëherë këtë njeri, i cili prek integritetin tokësor të vendit tonë dhe nëse një gjë të tillë nuk e bën Berisha, atëherë duhet të ndërhyjë presidenti Moisiu. Ky është një rast që nuk duhet të kalojë lehtë, pasi në të kundërt do të ketë pasoja të rënda në të ardhmen”. Ai ka këmbëngulur se Bollano nuk duhet të shijë më duke hedhur në publik teza shoviniste që ekstremistët e përtej kufirit jugor nuk arritën t’i realizonin as njëqind vjet më parë. “Bollano edhe më parë ka mbajtur qëndrime të tilla antishqiptare duke deklaruar se Himara është zonë minoritare vetëm pse atje flitet greqisht. Deklarata të tilla të papërgjegjshme që bëhen sa herë ka zgjedhje në Himarë, çojnë në provokime dhe tensionimin e situatës, i cili më pas transferohet në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Bollano duhet ta dijë se edhe të vdekurit në Himarë qahen në gjuhën shqipe”, ka thënë Godo.
-Historiani Bardhosh Gaçe: Çdo gur dhe dru i Himarës, flet shqip
Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, sipas të cilit, 3/5 e popullsisë së jugut të Shqipërisë, janë grekë, historiani dhe intelektuali i njohur vlonjat, Bardhosh Gaçe, e ka cilësuar atë të papërgjegjshme, që, aq më tepër bëhet nga një i zgjedhur në qeverisjen vendore të një krahine të lavdishme në historinë e kulturës shqiptare.
“Ajo që është shqetësuese në këtë rast për shqiptarët është fakti se, kjo deklaratë pa asnjë argument, u shërben qarqeve shoviniste ballkanike në dëm të identitetit dhe të sovranitetit shqiptar”, nënvizoi Gaçe. Sipas tij, “kryetari i bashkisë së Himarës trumbeton se ajo përbëhet nga një popullsi greke, duke e përfshirë atë në vatrat që duket se janë minoritare”. Kjo, për historianin vlonjat, është një shkelje flagrante e kushtetutës, e përsëritur disa herë, ndaj të cilës duhet të veprojnë institucionet kushtetuese.
“Kaonët e lashtë të brigjeve himariote, , arbërit e Mesjetës dhe shqiptarët e sotëm, përbëjnë atë gjak të pastër shqiptar, që nuk ka asgjë të përbashkët me deklaratën e Bollanos”, citoi Gaçe, duke shtuar se “bota ilirike me rrënjët e veta të lashta, por edhe me traditat e krijuara në shekuj nga himariotët, është shqiptare”.
“Ne kërkojmë ta bëjmë Himarën, një Zvicër të brigjeve shqiptare”, evidentoi Gaçe një fjalë të patriotëve himariotë, të vitit 1920, duke e mbyllur deklaratën e tij me një citim nga Fan Noli, në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, në vitin 1921 ku ai theksoi se “Çdo gur dhe dru i Himarës, flet shqip”.
Por, qëndrimet e Bollanos, ndaj origjinës së popullsisë së Himarës, u reflektuan edhe në një moment tjetër, atë të çeljes së një shkolle në këtë bashki, ku mësimi do të zhvillohej në dy gjuhë, shqip dhe greqisht. Kjo shkollë që u çel në 26 shkurt të vitit 2006, në një ceremoni në prani edhe të zv. Ministrit të Jashtëm grek, Stilianidis, ishte kërkuar nga organizata “Homeri”, që kishte paraqitur kërkesën për licensë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
-Në 12 gusht të vitit 2010, një tjetër ngjarje do të rregjistrohej në Himarë, ku i riu nga ky qytet, Aristotel Guma, do të mbetej viktimë e një incidenti me protagonistë të rinj nga qyteti i Vlorës. Sipas organeve të hetimit, Guma, ishte viktimë e një aksidenti, teksa u përplas nga një autoveturë ku ndodheshin të rinj nga qyteti i Vlorës, ndërkohë që nga qarqe të OMONIA-s, apo nga Athina Zyrtare, apo Bollano, Guma u cilësua se ishte viktimë e frymës antigreke që ekziston në Shqipëri.
-Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2009, Bollano do të përballej me një denoncim penal të një qytetari himariot lidhur me tjetërsimin e pronës së tij përmes një lejeje ndërtimi që bashkia kishte dhënë për persona të tjerë.
Prokuroria e rrethit gjyqësor të Vlorës, dërgoi në gjykatë dosjen e çështjes penale në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe 4 punonjësve të kësaj njësie të qeverisjes vendore, të cilët akuzoheshin për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe fallsifikimit të formularëve.
Ky procedim nuk ishte i pari për kryebashkiakun e Himarës. Në Gjykatën e Apelit në Vlorë, ishte në proces një tjetër çështje në ngarkim të tij, ku ai akuzohej për të njëjtën vepër penale, atë të shpërdorimit të detyrës për një leje ndërtimi në një truall me pronar. Kjo, për shkak se, në një sipërfaqe toke prej më shumë se 5000 metrash katrorë, Këshilli i Rregullimit të Territorit kishte dhënë leje ndërtimi për 3 banesa 2-3 kate. Kjo sipërfaqe toke truall, ndodhet në një vend të privilegjuar, rreth 30 metra në të djathtë të rrugës hyrëse për në qytet dhe shumë pranë detit. Është një vend me gjelbërim gjithëvjetor, i mbuluar nga ullinjtë dhe agrumet.
Bollano: U njoha me akuzat, përmes shtypit-
Në një prononcim të atyre ditëve, kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, tha se, me akuzat e prokurorisë ishte njohur përmes shtypit. “Përmes shtypit, u njoha me akuzën e ngritur nga organi i Prokurorisë së Vlorës, ndaj meje si kryetar bashkie dhe ndaj disa punonjësve. Ajo që më habit është fakti se, qenka hedhur shorti për zhvillimin e gjyqit, gjë që për mua është një absurditet”, theksonte Bollano. Sipas tij, “organi i akuzës, është bërë pjesë e politikës dhe i interesojnë zhvillimet mediatike”. “Pa u publikuar dhe pa m’u komunikuar akuza, hidhet shorti për zhvillimin e gjyqit, gjë që përbën një praktikë absurde”, shprehej ai, duke pranuar se, ishte thirrur nga prokuroria, por, akuza nuk i ishte komunikuar.
-16 qershor 2010: Gjykata e Apelit, pafajësi për kryetarin e Bashkisë së Himarës-
Gjykata e Apelit e Vlorës ka vendosur sot të shpallë të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në seancën e zhvilluar në këtë gjykatë, trupi gjykues me relator Iliba Bezatin, e ka deklaruar kryebashkiakun himariot të pafajëshëm, duke arësyetuar se Bollano nuk provohet të ketë konsumuar elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe duke rrëzuar vendimin e një viti më parë të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e cilësoi atë fajtor.
Në 21 prill te vitit 2009, kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në vendimin e trupit gjykues të kryesuar nga Shkëlzen Selimi, përcaktohej se Bollano kishte shpërdoruar detyrën e tij publike, duke urdhëruar heqjen dhe çmontimin e sinjalistikës rrugore, në segmentin Llogora-Qeparo, pjesë e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë.
Sipas këtij vendimi, nga dy urdhëra të lëshuara prej kryebashkiakut himariot, ishin dëmtuar interesat shtetërore, e shoqëruar kjo me një dëm financiar prej rreth 1.8 milionë lekësh. Në vendimin përkates përcaktohej gjithashtu se Bollano kishte konsumuar elementë elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Shkak për këtë çështje, janë bërë dy urdhra të lëshuara prej Bollanos për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, në aksin rrugor Qeparo-Llogora.
Këto tabela, ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit, i shtrirë në segmentin nga Vlora në Sarandë, financuar nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, Punëve Publike dhe Komunikacionit dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, me një vlerë prej rreth 6 milionë lekësh. Përmes këtyre tabelave, evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave, plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj.
/tesheshi.com/