Nga Besim Dybeli
Mbetet një koinçidencë historike nisja dhe rinisja e plejadës së kryebashkiakëve të qytetit të Elbasanit. 107 vjet më parë, është Emin Haxhiademi ai që do të administrojë këtë qytet në cilësinë e kryebashkiakut të parë të Elbasanit dhe po ky emër, trashëguar tek nipi i tij, do të nisë me të njëjtin post: kryebashkiaku i parë i periudhës së demokracisë.
Kjo plejadë kryebashkiakësh daton në vitin 1908, katër vjet para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë dhe një vit para se të çelte dyert shkolla e parë Normale për mësues, ish-Pedagogjikja. Nga ky vit e deri më 1943-shin, Elbasani do të qeverisej nga 17 kryebashkiakë, shumica e të cilëve emra të spikatur të historisë së Luftës, Arsimit e Kulturës së këtij qyteti.
Ndër më të dëgjuarit e kësaj periudhe paraçlirimtare, mund të konsiderohen Emin Haxhiademi, Fuat Biçaku, Kasem Sejdini, Lef Nosi, Hasan Biçaku, Ahmet Dakli e të tjerë. Jo pak, por 35 vjet qeverisje gjer më 1943, ku ky institucion do të shpërbëhej dhe nuk do të njihej si i tillë gjer në “kapitullimin” e pushtetit komunist. “Ringjallja” e qeverisjes me kryebashkiakë do të riniste më 1992, po me emrin Emin Haxhiademi, nipi i Haxhiademit të parë, i cili çeli siparin e kryebashkiakëve të qytetit të Elbasanit.
I fundit i kryebashkiakëve të këtij qyteti që do të “mbyllte” derën e bashkisë, është Refik Bekteshi në vitin 1943, ku më pas daton një periudhë “shterpë” gjer në zgjedhjet e para që organizoi pushteti komunsit në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945. Për afro 50 vjet, ky pushtet vendor do të zëvendësohej me pushtetarë të emëruar dhe të zgjedhur me partishmëri komuniste nga regjimi i kaluar.
Engjëll Dakli që drejtoi nga viti 1996 – 2000, mbetet një ndër ideatorët që planet e zhvillimit të qytetit i pa me perspektivë të largët, paçka se nga demokratët të cilët e propozuan, është trajtuar me një lloj indiference të pashjegueshme . Edhe Dakli mbetet një emër i përsëritur, si nipi i Ahmet Daklit, që ka qeverisur përgjatë viteve 1916 – 1917 dhe 1937 – 1939. Engjëll Dakli, si i dyti demokrat i pushtetit vendor në Elbasan, do të pasohej nga i pari socialist, Hysen Domi gjatë periudhës, 2000 – 2003.
Katër vjet më pas, populli do të votonte Ardian Turkun, përfaqsues të PD-së, një intelektual me vlera përtej këtij qyteti, i cili garon për herë të dytë në këtë post nga i njëjti subjekt politik në zgjedhjet e 21 qershorit të këtij viti. Por, më jetëgjati mbetet Qazim Sejdini, një figurë sa karizmatike aq dhe popullore, që drejton këtë qytet për tetë vjet, me dy mandate dhe garon në këto zgjedhje për mandatin e tretë, i propozuar nga socialistët.
Kësisoj, Elbasani pritet të “firmosë” më 21 qershor ose Turkun ose Sejdinin, të cilët për hir të së vërtetës duhet thënë se janë sa miq, aq dhe kundërshtarë. Këto dy figura politike, me një karrierë të gjatë në pushtetin vendor dhe qëndror, duket se e paranisën me “paqë” luftën e tyre politike, përderisa në ditën e Pashkëve , para derës së kishës, u përqafuan publikisht duke i rrahur shpatullat njëri-tjetrit.
Kryebashkiakët ndër vite
Emin Haxhiademi 1908
Alush Saraçi 1912 – 1913
Fuat Biçaku 1913 – 1915
Hysen Hostopalli 1915- 1916
Xhaferr Dardha (s’ka vit të datuar )
Tajar Tetova (s’ka vit të datuar )
Kasem Sejdini 1919 – 1924
Lef Nosi 1924 – 1925
Benexhet Hydi (s’ka vit të datuar )
Nazef Basha 1928 – 1929
Rustem Ymeri 1929 – 1930
Abdyl Dilaveri 1930 – 1933
Hasan Biçaku 1933 – 1934
Ahmet Dakli 1916 – 1917 dhe 1937 – 1939
Qemal Karosmani 1939
Ymer Saraçi 1939 – 1942
Refik Bekteshi 1942 – 1943
Pushteti komunist 1944 – 1990
Emin Haxhiademi 1992 – 1995
Engjëll Dakli 1996 – 2000
Hysen Domi 2000 – 2003
Ardian Turku 2003 – 2007
Qazim Sejdini 2007 – vazhdim
/tesheshi.com/