Fushata e gjatë e miliarderit Donald Trump ka rezultuar me garantimin e kandidimit të tij në zgjedhjet presideciale amerikane.
Donald Trump është tashmë i emëruari zyrtar i republikanëve në garën presidenciale të këtij viti. 16 rivalë të mundur në këtë maratonë, polemika pa fund, luftë verbale dhe mes vetë republikanëve, debate të ashpra në SHBA e kudo në botë për kandidimin e tij. Kjo është ajo çka e ka karakterizuar në më shumë se një vit përpjekjen e palëkundur të Donald Trump-it për t’u bërë ai kandidat i republikanëve.
Konventa e republikanëve në Kleveland e ka shpallur Trump-in kandidat pasi votat dhe numri i delegatëve ishin tërësisht në favor të tij.
“Eshtë diçka që nuk do ta harroj kurrë,” deklaroi Trump për të pranishmit në konventë me një fjalim nga Nju Jorku.
Nga ekrani gjigand ai shprehu bindjen se do t’i fitonte zgjedhjet e nëntorit, do ta forconte ushtrinë, do t’i mbronte kufijtë e SHBA-ve, e se do të rikthente rendin ligjor në vend. /tesheshi.com/