Donald Lu ka thirrur në një ceremoni të posaçme personalitete nga diaspora shqiptare dhe u ka kërkuar atyre që të kthejnë sytë nga vendi i tyre tani që do të hyjë në fuqi reforma në drejtësi dhe dy sektorë bëhen gati për të marrë zyrtarë të rinj: gjyqësori dhe hetimi i krimeve të korrupsionit.
Zef Brozi, një shqiptaro-amerikan, e ka publikuar foton me ambasadorin Donald Lu edhe në profilin privat, duke i mëshuar vullnetit të diplomatit të SHBA-së për të punuar me shqiptaro-amerikanët.
Takimi ka qenë i zgjeruar, dhe Lu është takuar me një pjesë të madhe të shqiptaro-amerikanëve të cilët Edi Rama i ka ftuar në samitin e diasporës që nis sot në Tiranë, e ku do t’u bëhet ftesë publike për të punuar në administratë.
Vetë Donald Lu ka marrë si ndihmës për reformën në drejtësi Gjon Juncajn, një shqiptaro-amerikan nga veriu i Shqipërisë, i cili në veriun e SHBA-së është bërë i famshëm për futjen e mafiozëve në burg.
Gjatë festimit të 3 korrikut, Lu e veshi Gjonin me qeleshe dhe tirqe dhe i tha të flasë për spastrimin e politikës dhe të drejtësisë nga të korruptuarit.
Një politikan ishte më i nxehur me Donald Lu-në atëherë, përkatësisht kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili u largua dhe me shenja të përplasjes verbale me Lu.
Por ajo çka po ndodh që prej asaj dite dhe në vazhdim duket se po konfirmon ditë pas dite se çfarë ka për të ngjarë pas hyrjes në fuqi të vettingut.
Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit do ta mbushin pikërisht shqiptaro-amerikanët dhe diaspora shqiptare, të shkolluar dhe trajnuar në Perëndim. Njerëz të cilët nuk kanë asnjë varësi, qoftë ekonomike apo edhe njerëzore, nga establishmenti 25-vjeçar shqiptar.
Po Zef Brozi? Ç’rol ka ish-kryetari i Gjykatës së Lartë që nuk iu bind Berishës, madje u sulmua edhe ditët e fundit nga ish-kryeministri, duke e përlyer me hashashin e Mirditës?
Pikërisht dalja në foto e Donald Lu-së me Zefin ishte dhe një sfidë e vogël ndaj doktorit… /tesheshi.com/