Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka lëshuar një deklaratë të ashpër pas vendimit përfundimtar të PD-së për të djegur mandatet. Me një gjuhë të thiktë, të përafërt me atë të Ambasadës Amerikane 24 orë më parë, OSBE kujton se kjo është një goditje ndaj Reformës në Drejtësi, pikërisht nga ajo pjesë e politikës e cila e ka votuar atë.
“Vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”, thuhet në deklaratë.
Më tej, nuk ngurrohet që përmenden “një grusht dhunuesish”, duke iu referuar kështu lidershipit demokrat, përkthyer te aktet e dhunës në protestën e së shtunës.
“Shqipëria ka bërë përparim domethënës përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke lënë pas autoritarizmin. Ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”, theksohet në deklaratën e OSBE-së. /tesheshi.com/