Një fatkeqësi që askush nuk do të donte t’i ndodhte, preku një familje shqiptare në Itali. Vajza e tyre vetëm trembëdhjetë muajshe, Viktoria Zikaj humbi tragjikisht jetën pasi u masakrua nga dy qenë Pitbull në oborrin e banesës së familjes në lagjen “XX Shtatori” në Brescia.
I vetmi person që ishte i pranishëm në kohën e sulmit vdekjeprurës, ishte gjyshi i saj. Plagët që mori gjatë luftës për të shpëtuar jetën e mbesës së tij, nuk janë asgjë para gjendjes së shokut që ai po kalon, pikërisht se nuk mundi t’i shpëtonte jetën dritës së syve, Viktorias së vogël për të cilën ai kujdesej për shkak se prindërit e saj ishin në punë.
Prokuroria është duke i mbështetur hetimet në akuzën e vrasjes, për shkak të kushteve të sigurisë që gjyshi duhej të kishte marrë për të mbrojtur vogëlushen. Dy qentë Pitbulll ishin të lëshuar në oborrin e vilës, ku familja shqiptare jetonte prej qershorit të kaluar.
Ndërsa gjyshi ndodhet në spital dhe ende nuk ka mundur të thotë asnjë fjalë para hetuesve për shkak të gjendjes së tij, në vilën e tragjedisë është rikthyer nëna e vogëlushes, Olga de Luca, në vendin që tashmë është kthyer në kujtimin më të tmerrshëm dhe në një dramë për familjen.
Bashkë me të është kthyer natën vonë nga Gjermania, edhe Egi, bashkëshorti i Olgës. Ata u ndalën për disa minuta në dhomën e së voglës së tyre, që sot nuk jeton më. Me sytë e përlotur dhe me pafuqinë për të bërtitur nga kjo tragjedi, ata panë edhe lodrat e Viktorias në oborr, të gjakosura, transmeton Express.
Dëshmia e gjyshit, apo e personave që u mblodhën në vendngjarje, vështirë të hedhë dritë mbi atë se çfarë ndodhi të djelën në mbrëmje. Familja nuk kishte pasur asnjë problem në lagje, dhe nga sa policia ka hetuar, asnjë raportim nuk kishte ardhur për incidente me dy qentë Pitbull të familjes shqiptare, të cilët gjithmonë ishin shumë të qetë. E gjithë skena horror ndodhi kur gjyshi i çoi ushqim qenve, me vajzën e vogël pranë e cila luante në oborr.
Pritet të dalin përgjigje nëse ka pasur diçka që nuk shkon me ushqimin që kanë marrë qentë, për të shpjeguar pse ka ardhur ‘tërbimi’ i tyre që i mori jetën të voglës. Nuk ka asnjë raport zyrtar, që qentë të kenë sulmuar as kafshë, dhe aq më pak njerëz. Dy qentë që masakruan vajzën e vogël 13-muajshe janë një pitbull mashkull rreth dy vjeç një femër “American Staffordshire Terrier” më shumë se kjo moshë.
Për ngjarjen e rëndë kanë rrëfyer momente prekëse edhe dy efektivë të forcave karabinere që ndërhynë menjëherë sapo morën telefonatën për atë se çfarë po ndodhte në shtëpinë e familjes Zikaj.
Ata kanë treguar se fillimisht e patën të vështirë të futeshin në vilë, nderisa kanë hapur me forcë portën, ku skena që kanë parë ishte rrëqethëse.
“Qentë ishin tërbuar dhe pasi kishin gjakosur për vdekje vajzën, i ishin sulur gjyshit, i cili ishte hedhur mbi trupin e mbesës për ta mbrojtur atë. Pamë këmbët e vajzës të gjakosura. Vendosëm të qëllonim me armë ndaj qenve për t’i vrarë pasi situata ishte dramatike”, treguan në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Canale 5” dy policët Domenico Castello dhe Graziano Vincenzo. /tesheshi.com/