Mjeku ligjor Elias Bogiokas, duke ekzaminuar trupin e pajetë të Garyfallia-s (Karafiles), e cila u vra nga partneri i saj, 30-vjeçari Dimitris Vergos në Folegandros, është tmerruar.
Të dhënat e autopsisë treguan se vdekja e vajzës 26-vjeçare, e cila ishte farmaciste, erdhi nga mbytja në det, për shkak të lëndimeve të shumta.
Në veçanti, kishte lëndime të përputhshme me rënien, pra që trupi i saj të ishte përplasur në shkëmbinj para se të përfundonte në det.
Profili i autorit të krimit
Informacioni nga zougla.gr thotë se Vergos punoi në Athinë dhe, për shkak të situatës COVID vendosi të kthehej në vendin e tij të origjinës, Bolati, Korint.
Në të njëjtin informacion thuhet se babai i tij është mësues, nëna e tij edukatore kopshti, ndërsa ai ka edhe një motër. Babai i tij është një nga njerëzit më të respektuar në fshat pasi, siç thonë banorët, ai ishte gjithmonë i gatshëm të ofronte ndihmë për këdo në nevojë. Ndryshe nga babai, nëna e tij thuhet se është një karakter më i vështirë në komunikim.
Ndërsa Karafilja i pafat kishte dy vëllezër dhe një motër. Vajza ishte krenaria e familjes. Babai i saj është një bankier dhe, sipas informacioneve, ai dha dorëheqjen nga banka ku punoi për t’u marrë me bujqësi, pasi po përgatitej të hapte një farmaci për 26-vjeçaren.
Banorët e zonës flasin me fjalët më të mira si për familjen e Garyfalli-s ashtu edhe për familjen e autorit të krimit.
Fjalët e nënës
Fjalët e para të nënës së 26-vjeçares Garyfallia janë tronditëse. “Karafilja ishte një dhuratë për mua. Drejtësia do ta bëjë punën e vet”.
“Unë dua që ju të respektoni dhimbjen tonë. Unë nuk e kam takuar të riun. Garyfallia tha se ishte një djalë i mirë”, tha nëna e saj.
“Mësojini djemtë tuaj të sillen si burra”, shtoi ajo.
Kronika e dramës
Kujtohet se autori ishte në kërkim që prej ditës së djeshme dhe më në fund u gjet rreth orës 21.00 të së shtunës në mbrëmje me orientimin e banorëve të ishullit.
30-vjeçari thuhet se nuk pranoi të dorëzohej dhe gjuajti me gurë zyrtarët e policisë dhe portit. Ai madje kërcënoi të bënte vetëvrasje. Kur u arrestua, ia atribuoi ngjarjen “momentit të keq” dhe tha se “marrëdhënia ishte prishur” …
Duhet të theksohet se makina e çiftit u gjet e mbyllur, gjë që përjashtoi mundësinë e rënies në det me vajzën në të. Autoritetet gjetën gjithashtu një gjerdan të thyer dhe një vathë me gjurmë gjaku afër vendit ku u gjet trupi i saj. Këto ishin tregues se kishte pasur një grindje të dhunshme.
Më parë, në zonën e detit ku 26-vjeçarja u gjet e vdekur, u gjet një çantë, në të cilën ndodhej identiteti i të dashurit të saj. /tesheshi.com/